Qefser ABDYLI
Shkup, 3 maj – “Shkruaj punime seminarike dhe magjistrature për çmim të volitshëm”, janë shpalljet më të shpeshta të cilët shfaqen në rrjetet sociale dhe stacionet e autobusëve, por edhe në reklama nëpër portale. Punime seminarike shkruhen me çmime prej 200 deri 300 denarë, ndërsa çmimi i punimit të magjistraturës arrin deri në 500 euro, shkruan gazeta KOHA. Lufta për jetesë i detyron studentët, por dhe disa nga profesorët, të shkruajnë punime për ata të cilët nuk duan ta shpenzojnë kohën e tyre duke shkruar punime shkencore. Varësisht nga lënda, por dhe nga tema për të cilën duhet të shkruajnë, studentët më shpesh kërkojnë temë më origjinale, që të mos ju jepet plagjiat, për të cilat Ministria e arsimit dhe shkencës krijoi softuer për zbulimin e plagjiateve . Nga Ministria e arsimit dhe shkencës informojnë se në përputhje me Ligjit për veprimtarinë kërkimore-shkencore, softueri Plagijati.mk është i obliguar për të gjitha punimet e magjistraturës, specializimit dhe punimet seminarike, të cilët duhet të regjistrohen nga ana e mentorit, gjegjësisht profesorit. “Me këtë formohet bazë qendrore e të dhënave të këtyre punimeve, e cila më vonë mund të përdoret për zbulimin e plagjiatëve. Ky tip i bazës së dokumenteve në të kaluarën nuk ka ekzistuar në nivelin qendror, ndërsa paraqet mjet i cili i ndihmon mentorit nga baza e punimeve të magjistraturës, specializimit dhe punimeve seminarike, më lehtë dhe më shpejtë t’i gjejnë dokumentet prej ku është marrë teksti, gjegjësisht shfaqet plagjiatura. Pasi të gjenerohet raporti nga ana e softuerit, mentori duhet të shqyrtojë raportin dhe të vendos nëse punimi është plagjiat ose jo”, thonë për KOHA nga MASH. Prej aty shtojnë se Plagjiati është mjet i cili ndihmon në zbulimin e plagjiatit nga baza enorme e punimeve, ndërsa nuk mund të jemi të sigurt 100 për qind nëse një dokument është plagjiat ose jo. Ky është vendim i mentorit. “Megjithatë, studentët nuk mund të dorëzojnë punime të njejta ose të ngjajshme prej atyre tashmë të botuara apo të prezentuara nga gjeneratat e mëparshme, sepse ky mjet shumë shpejtë i zbulon. Do të thotë se duhet të mundohen të bëjnë diçka të re. Çdo institucion i lartë arsimor ka rregullore sipas së cilës saktësisht janë definuar kriteret për punimet dhe në të është definuar se në çfarë mënyre merren citatet dhe në çfarë mënyre theksohet burimi i citatit të marrë, pasi në të kundërtën punimi konsiderohet si plagjiaturë”, informojnë nga Ministria. Në këtë softuer kontrollohen punime seminarike, libra, magjistratura, punime shkencore, të doktoraturës dhe punime të tjera. Deri më tani përafërsisht janë kontrolluar më shumë se 26 mijë dokumente. Rreth dy mijë nga punimet e kontrolluara kanë qenë 100 për qind origjinale, kurse në rreth 136 punime janë vërejtur 100 për qind përsëritje. Për këto nga Ministria e arsimit dhe shkencës informojnë se bëhet fjalë për dokumente të dyfishta.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara