Presim garanca juridike për respektimin e Marrëveshjes nga viti 2017 dhe përgjigje konstruktive nga Shkupi për një zgjidhje afatgjate të çështjes, deklaroi ministri bullgar i Punëve të Jashtme, ndërsa nuk dha asnjë shenjë nëse Sofja zyrtare do të lëshojë pe karshi kërkesave drejtuar Maqedonisë
Xhenur ISENI
Shkup, 10 qershor – “Bullgaria çdoherë ka treguar vullnet për dialog konstruktiv dhe pragmatik me Shkupin. Do të vazhdojmë të punojmë për rritjen e besimit. Presim garanca juridike për respektim të Marrëveshjes nga viti 2017 dhe përgjigje konstruktive nga Shkupi për zgjidhje afatgjate të çështjes”. Kjo është porosia e shefit të diplomacisë bullgare, Svetlan Stoev, e thënë gjatë kohës së takimit të tij me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Sofje. Takimi ishte organizuar nga ambasadorja portugeze, Marija Koelo Ribeiro da Silva, si ngjarje e fundit para përfundimit të presidencës portugeze me Këshillin e BE-së.
Nga Sofja edhe njëherë erdhi refreni i njohur se “Bullgaria çdoherë ka mbështetur perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Të njëjtën, ditë më parë e ka përsëritur edhe Stoev, duke shtuar se Bullgaria si vend në rajon qartë e kupton se rruga drejt BE-së është faktori më i fuqishëm për kalimin në udhëheqje demokratike. “Lidhur me integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Svetlan Stoev potencoi se pozicioni i Bullgarisë është konsistent dhe i parashikueshëm dhe nuk është ndryshuar. Ai deklaroi se qeveria teknike udhëhiqet nga pozita kornizë dhe deklarata në Parlamentin popullorë nga tetori i vitit 2019. Pozicioni jonë gëzon mbështetjen e 85% nga qytetarët bullgarë”, thuhet në kumtesën e MPJ-së bullgare pas takimit.
Pikërisht pozita e Bullgarisë dhe vërtetimet e VMRO-DPMNE-së se ajo do të bëhet pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë me BE-në, nxehën mesazhet mes pushtetit dhe opozitës në planin e brendshëm. Askush për momentin nuk lëshon nga pozicionet: pushteti akuzon për të pavërteta dhe spekulime, ndërsa opozita për indicie serioze për grusht ndaj interesave nacionale maqedonase. Në qendër të vëmendjes është e ashtuquajtura Udhërrëfyes, nga e cila pritet debllokimi i vetos bullgare. Dy pozicionet jashtëzakonisht të kundërta midis qeverisë dhe opozitës në lidhje me atë dokument, respektivisht jotransparenca në krijimin e saj, ndodhin para përfundimit të kornizës së shkrutë kohore në të cilën autoritetet po tentojnë të gjejnë zgjidhje për debllokim të fillimit të negociatave me BE-në, zgjidhje që nuk do t’i cenon çështjet e identitetit.
“Edhe pse është i qartë dhe i zëshëm qëndrimi jonë se identiteti dhe gjuha nuk janë dhe as nuk do të jenë të vendosura në tryezën e negociatave, Mickoski me gënjeshtra po tenton ti rrënon pozicionet maqedonase edhe atë në moment shumë të ndjeshëm”, reaguan mbrëmë socialdemokratët, pasi që lideri i VMRO-DPMNE-së kërkoi të ketë një pasqyrë në procesin. Ai dje tha se partia do të bllokon udhëkryqe nëpër qytet, deri sa opinionit nuk i tregohet dokumenti i “Udhërrëfyesit”. Atë që opinioni tani e di, është se me qëllim që të përmbushen obligimet nga Marrëveshja me Bullgarinë, për momentin grupet punuese në ministritë e punëve të jashtme të të dyja vendeve punojnë në dokument i quajtur Udhërrëfyes, në të cilën duhet të vërtetohet se si përparohet bashkëpunimi më efikas dhe më i suksesshëm në nivel të sektorëve, me afate. Tani as opinioni bullgar e as ai maqedonas nuk kanë pasqyrë apo qasje në propozimet me të cilën po precizohet Udhërrëfyesi, ndërsa Kryeministri Zaev në gjitha deklaratat vërteton se ata nuk e cënojnë identitetin maqedonas.
“Në mënyrë të qartë eksplicite thash se nëse gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas janë në tryezë, ne nuk negociojmë, kështu që ja 22 qershori, do të dihet se për çfarë është biseduar”, deklaroi Kryeministri para disa ditëve. “Me udhërrëfyesin do të garantohet se më shpejtë dhe me efikasitet do ti ndërtojmë korridoret që na lidhin, nëse ajo është pjesë e Korridorit 8 të cilën e lidhë Kumanovën me kufirin me Bullgarinë ose është Korridori Shkup-Shtip, Klepalo në Berovë, ose është Korridori lindor Strumicë-Novo Selo-kufij, në pjesën e infrastrukturës. Flas për të dyja palët, sepse ne presim gjithashtu që pala bullgare pas tre viteve të bën hap konkret, për arsye se është interes edhe i palës maqedonase edhe i palës bullgare hapja e pikës kufitare Klepalo”, tha Zaev.
INTEGRIM APO ASIMILIM?
Por nga opozita në dyshim vënë “infrastrukturën” e identitetit. Duke u thirrur nga “burime të larta diplomatike nga Brukseli, por edhe nga Sofja zyrtare”, Mickoski deklaroi se kërkesat të cilat janë pjesë përbërëse nga Deklarata e miratuar në Parlamentin bullgar, do të jenë pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë me BE-në, ndërsa bëhet fjalë për veçantinë të popullit maqedonas, gjuhës, kulturës, luftës antifashiste etj. “Nëse ndodh kjo, ne do të jemi para dy zgjedhjeve – asimilim – bullgarizim, që një ditë kur do t’i përfundojmë reformat, të jemi pjesë e Bashkimit Evropian ose lëshim dhe ngrirje të ëndrrës evropiane. Për këtë, apeloj deri te të gjitha partitë politike, pa dallim se a janë djathtist apo majtist, apo qendër. Pa dallim se a janë parlamentare apo jashtë parlamentit, të përfshihen në barrikadat sepse populli dhe kombi maqedonas meritojnë mbrojtje në këtë moment. Tani, të mos jetë vonë, sepse gabimi që do të bëhet sot, mund të ketë ndikim në ardhmërinë e të gjitha gjeneratave”, tha Mickoski.
Nga LSDM njoftimet e tilla i vlerësojnë si të pavërteta. “Nga kjo VMRO-DPMNE e paformuar dhe nuk pritet diçka tjetër përveç groposjes të të gjitha përpjekjeve për sukses të procesit dhe mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, përkatësisht heqjen e bllokadave në rrugën drejtë BE-së. Nuk mund të presim sens shtetërorë nga politikanë që nuk shikojnë më larg se hunda e tyre dhe interesit personal. Secili politikanë i përgjegjshëm e di se në momente të ndjeshme i ndihmohet shtetit dhe jo ti bën dëm. Nuk shpërndahen të pavërteta, nuk shkruhen gënjeshtra në Facebook. Nuk është problemi që na sulmojnë neve, problem është se me vetëdije i bëjnë dëm shtetit. Në momentet që po bëjmë përpjekje të fuqishme të marrim mbështetje për fillimin e negociatave, më së paku që i duhet shtetit janë minimet e brendshme të atyre përpjekjeve”, tha Stefan Vasev nga LSDM.
TË NA NDIHMOJË BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE
Për momentin, cak i kritikave opozitare në raport me negociatat me Bullgarinë është ose vetëm Zaev, ose dyshja Zaev-Buçkovski. Partneri i koalicionit qeverisës, Ali Ahmeti, kuadër i të cilit udhëheqë me MPJ, tha se Mickoski si lider i VMRO-DPMNE-së, duhet të jetë shumë më aktiv kur bëhet fjalë për interesat shtetërore. Lidhur me kontestin me Bullgarinë, Ahmeti vlerëson se duhet të ndihmon bashkësia ndërkombëtare. “Kjo çështje do të zgjidhet. Së pari duhet të vendoset nëse janë për zgjidhje, edhe unë vlerësoj se të dyja palët janë për zgjidhje, por ka disa dallime që po zvarrisin çështjen. Ato dallime janë të komplikuara, senzitive, bëhet fjalë për histori, persona, gjuha, dhe ato çështje vështirë zgjidhen në nivel politik, në nivel akademik asnjëherë nuk do të mund të merren vesh. Do të mbetet, sipas meje, në nivel politik të tregohen të guximshëm. Duhet të bëhet kompromis. Duhet të na ndihmojë, të na lehtësojë bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Ahmeti në një intervistë televizive. (koha.mk)