Tryeza e qytetarëve në Maqedoni vite me radhë dominohet nga buka dhe patatet, si dhe konsumi i ulët i mishit të pulës dhe peshkut. Krahas sofrës së varfër, në dhjetë vitet e fundit po regjistrohet ulje e konsumit e gati të gjitha artikujve ushqimor
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 maj – Tryeza e qytetarëve në Maqedoni vite me radhë dominohet nga buka dhe patatet, dhe konsumi i ulët i mishit të pulës dhe peshkut. Gjithashtu, krahas sofrës së varfër, në dhjetë vitet e fundit po regjistrohet ulje e konsumit e gati të gjitha artikujve ushqimor dhe të konsumit të përditshëm në shtet. Njëherazi ka mbetur në nivele të njëjta konsumi i mishit të pulës, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu se nga viti në vit po bëhet më modeste, menuja mesatare e një familje në shtet.
Analiza e Entit të Statistikës tregon se një familje katër anëtarëshe në vitin 2017 ka konsumuar 272 kg bukë, që paraqet një rënie në raport me 297 kilogram në vitin 2007. Rënie shënon edhe konsumi i miellit për një familje nga 177 kg në vitin 2007 në 90 kilogram miell, dhjetë vite më vonë që tregon se, jo vetëm që është ulur konsumi i bukës, por është ulur edhe përgatitja e bukës dhe gatimeve të tjera nga mielli. Në harkun dhjetor prej dhjetë vitesh është ulur prej 114 kg në 103 kg edhe konsumi i patateve, nga 33 kg në 26 kg konsumi i orizit si dhe ai makaronave nga 31 kg në 21 kg. Është ulur në këtë periudhë kohore dhe konsumi i groshës nga 29 kg në 22 kg, i lakrës nga afër 49 kg në 38 kilogram, i domateve nga 78 kg në 50 kg, i specave nga 102 në 65 kg dhe i bizeles dhe bishtajave nga 6,6 kg në 4.6 kg.
Është interesante të theksohet se shënon një rritje të butë përdorimi i perimeve të përpunuara apo të konservuara në një amvisëri në shtet në dhjetë vitet e kaluara nga 16 kilogram në 17.4 kilogram. Nga artikujt e tjerë për konsum personal vërehet se ka mbetur i pandryshuar konsumi i mishit të pulës me nga 44 kilogram si në vitin 2007 – ashtu edhe në vitin 2017. Mirëpo shënon një ulje të madhe konsumi i mishit të mëshqerrës nga 41 kg në 25 kilogram, si dhe shënohet rënie e konsumit të peshkut nga 21 kg në 18 kg. Mishi i derrit shënon ulje nga 24 kilogram në vitin 2007 në 22 kilogram për amvisëri në vitin 2017.
Ekonomistët thonë se ulja e mirëqenies së popullatës, si dhe shpërngulja e madhe e njerëzve jashtë shtetit, janë shkaqet kryesore të ndryshimit të strukturës së e ushqimeve që më shpesh konsumohen në tryezat tona. Këtë e dëshmon edhe ulja konsumit të qumështit në tetrapak nga 187 litra në 98 litra qumësht, të jogurtit nga 73litra në 51 litra jogurt, si dhe përgjysmimi i konsumit të djathit nga 45kg në 22 kg djathë.
Vlen të theksohet edhe ulja e madhe e përdorimit të vajit nga 78 litra për një familje në 53 litra në periudhën 2007-2017, që tregon edhe uljen e nivelit të përgatitjes të gjellëve në amvisëritë në tërë shtetin. Njëherazi edhe konsumi i kafes dhe kakaos tregon ulje prej 12 në 9.6 kg, ndërsa ulje shënon edhe konsumi i cigareve prej 241 kuti në 153 kuti të duhanit industrial. Rënie shënon konsumi i sheqerit prej 66 kg në 38.4 kg. Ulje shënon edhe konsumi i pijeve të ndryshme joalkoolike prej 296 litra në 211 litra si dhe konsumi i pijeve alkoolike si birrës nga 57 në 40 litra dhe i verës nga 9 në 6 litra.
Nga pemët ulet konsumi i mollëve nga 46 kg në afër 40 kg mollë, si dhe i rrushit nga 96.5 kg në 17 kg rrush. Ndryshe, edhe krahasimi se për çfarë i shpenzojnë paratë qytetarët e Maqedonisë, në krahasim me mesataren e BE-së, tregon se sa më i varfër është një vend, aq më shumë shpenzon popullsia e tij për t’u ushqyer.
Familjet në Maqedoni shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit mujor për ushqim, ndërsa konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen me vetëm me një të shtatën e buxhetit familjar për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme e të ushqyerit. Të dhënat statistikore tregojnë se 41 për qind e buxhetit mujor në Maqedoni ndahet për ushqim që është për dy herë e gjysmë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 15.6 për qind. (koha.mk)