Në provincën e Panxhshirit, në Afganistan, ish-policë dhe ish-ushtarë po mundohen të sigurojnë disi jetesën, duke nxjerrë smeralde nga malet e ftohta Hindu Kush. Këta burra po kërkojnë nëpër grumbuj shkëmbinjsh, për të gjetur gurët e çmuar me ngjyrë të gjelbër, të cilët do të përdoreshin për të zbukuruar stoli.
Malet Hindu Kush, të pasura me smerald, qëndrojnë pranë luginës Mikeni, e cila ndodhet rreth 130 kilometra në verilindje të Kabulit, dhe janë gërmuar sistematikisht që nga vitet e 1970-ta. Njëri ndër gërmuesit ka treguar për AFP-në se dikur udhëhiqte një njësit kundërterrorizëm në kuadër të Policisë së Afganistanit.
Kur qeveria e mbështetur nga Perëndimi ra pas mësymjes së talibanëve, verën e kaluar, ai u mundua të shiste rroba të përdorura në rrugë, por thotë se nuk i shkoi mirë, dhe shpejt u nis drejt maleve, për të kërkuar smeralde.
Secili smerald shitet menjëherë aty ku gjendet – e blejnë tregtarët për një çmim ndërmjet 50 centëve dhe 1 dollari e gjysmë. Në tregjet perëndimore, smeraldet e rafinuara mund të shiten për disa mijëra dollarë.
Sipas AFP-së, shumë ish-ushtarë dhe ish-policë kanë shkuar në malet Hindu Kush, për të punuar për kafshatën e gojës. Talibanët publikisht kanë proklamuar amnisti për ish-pjesëtarët e forcave të rendit, por grupet për të drejtat e njeriut thonë se shumë prej tyre janë ekzekutuar apo janë zhdukur.
Provinca e Panxhshirit ishte rajoni i fundit që ra në duart e talibanëve, vitin e kaluar. Kërkuesit e gurëve të çmuar në zonë thonë se luftëtarët talibanë janë ngjitur te xehet e smeraldit, dhe i kanë kontrolluar njerëzit, për t’i identifikuar të sapoardhurit, duart e të cilëve nuk ishin të dërrmuara nga puna, dhe ish-ushtarakët apo policët e fshehur.
Njëri ndër gërmuesit e smeraldeve, i cili ka folur për APF-në, ka treguar se, pavarësisht të kaluarës së tij në forcat e sigurisë për qeverinë e rrëzuar, që mbështetej nga perëndimorët, talibanët e kanë ftuar të punojë për militantët, për shkak të aftësive të tij kompjuterike.
Një tjetër gërmues dhe ish-polic ka thënë se me dëshirë do të punonte për qeverinë e re islamike të vendit. Pasi ka kaluar vite të tëra në ndjekje të talibanëve, ai tani thotë se “nëse ata më thërrasin për të punuar, do të shkoj”. (REL)