Përderisa kam ende vetëdijen të hollë si shpatë se progresi nuk bëhet pa virtyte udhëheqësie e qeverisjeje, vërtet nuk mërzitem shumë se kush do jenë aparatusi qeverisës kësaj here, më shumë mërzitem se a do më ngjallin dëshirën për të mbetur ende e martuar me shtetin, …për fëmijët, jo për veten time më!
Nga Adelina MARKU
Kam një sprovë intelektuale me veten time e që nuk e kam patur më herët. E vërteta është që kjo gjendje intelektuale në të cilën kam kapërcy ose në të cilën rrethanat kontekstuale më kanë përpunu, më qetëson jashtë mase. Është si tip qetësie luksi me veten! Një miku im ka konstatuar se eskipizmi, ikja, i bënte mirë atij! Por kjo gjendje imja nuk është eskipizëm, përmban shtresime pjeknie kisha me thanë e ka të bëjë me të ashtuquajturën ndjenjë që t’a shkaktoka shtrirja e gjerë dhe thellimi i pingultë në shoqëri e që të krijoka – më në fund – një pahabi e pahidhërim se kush do e bëjë qeverinë . Të kuptohemi, kjo pahabi e ky pahidhërim nuk është si e qytetarit/es zviceran/e të cilin/cilën po t’a pyesësh se kush është president në shtetin e tij, hmmm, vështirë se do ia kujton edhe emrin. Për dallim nga zvicerani i/e cili/a saktësisht e din se përse bën punë aty ku punon, pra, qoftë në administratë shtetërore, media, qoftë në gjyqësi apo arsim e fabrikë, ne këtej edhe pas kaq shumë viteve me veten shtet – vështirë arrijmë të menaxhojmë me idenë e progresit në vendin e punës ku bëjmë ! Prandaj dhe na ka mbetur kaq e zhvilluar e madje edhe aktive memoria e jetës partiake në vend duke e asgjësuar planimetrinë e zhvillimit e progresit në të!
Sepse, pak progres ka patur! Saktësisht dimë emrat dhe mbiemrat e gjithë partive politike këtej, madje në këtë vazhdë edhe nuansat evolutive ideologjike të rrymave udhëheqëse nëpër kohë por edhe protagonistëve publikë! E gjithë kjo, quhet energji shoqërore e pashfrytëzuar drejtë! Pra, ajo që përmenda më lartë e që kishte të bënte me qetësinë time intelektuale, nuk është indiferencë e as eskipizëm, por ka të bëjë me atë që quhet psikologji e krijuar nga “një martesë e mundimshme me shtetin” e prandaj dhe NJOHJE e bështë e shoqërisë ku jetoj, protagonistëve në skenën politike e publike, rrugëtimit e bumerangjeve në shtet/shoqëri, ndaj dhe lehtësisht – edhe kuptinë se nga duhet të orvatet – ose më mirë, nga e ka të doemosdoshme të rradhitet vendi dhe njerëzit e tij . Martesa me shtetin bëhet e mundimshme, neurotike e vullgare kur e kupton nxitjen e vetëdijshme për karierë të inspirurar nga partizimi e klientelizmi ! Kjo nxitje qorre ka ricikluar Padobi nga Pashfrytzueshmëria e Potencialit Njerëzor e Intelektual në sistem, por po aq edhe ndaj resurseve natyrore! Doemos që shpesh kam menduar të divorcoj veten nga shteti, duke konstatuar se më ka lodhur barra hajvane që ka krijuar partneri im – shteti, jam e bindur se shpeshherë e lyp atë edhe ti- duke dashur të ikësh e t’a lësh në zvarritjen mondane të vetëkrijuar, por problem bëhen fëmijët! Kush do mendojë për to?! Sepse, ashtu siç ka përpara, ka edhe kthim pas! Ose ashtu siç ka lartë, ka dhe poshtë!
Prandaj dhe, konstatimi im është se kushdo të krijojë këtë qeveri besoj se e ka shumë të qartë se do jetë qeverisje edhe më e vështirë drejt orvatjes për progres e zhvillim se ajo e kaluara! Të bësh liderin ose lideren në këtë kohë të përmarrë nga ekspanzioni i pikëpyetjeve para zhvillimit dhe barrierave ekonomike, duhesh të kesh një dell krisnie të pashoq/e; pa atë, guximi për të udhëhequr me proceset e shoqërinë këtu e humbka arsyen apo! Ose, duhen të ketë ndonjë motiv tjetër!? Pra këta që qeverisin, çfarë motivesh kanë për të qeverisur?! Padyshim dhe e dukshme për t’u konstatuar se, jo të mirën e përgjithshme, por as edhe konkurencën! E mira partikulare – jo doemosdoshmërisht me virtyte, si dhe klientelizmi, këtej është ideologjia funksionale e shtetit/shoqërisë tanimë .
Kanë krijuar jashtëzakonisht hapësirë të madhe qeveritë e derimëtanishme për t’i përbuzur plotësisht “fitoret” e tyre nëpër cikle zgjedhore dhe përsetë janë evidente: natyra korruptive dhe klienteliste e shënimit të “zhvillimit në vend”, pabesueshmëria e madhe ndaj sistemit gjyqësor dhe partizimi i skajshëm I administratës shtetërore me çka është krijuar një përbindësh burokratik që zvarritet dhe është apatik, barazia disfunkcionale e e trajtuar përmes limiteve që krijojnë përqindjet etnike, arsimimi I deklasuar pothuajse në të gjitha nivelet tanimë e të tjera si këto, …e bëjnë sistemin shtetëror disfunkcional por prandaj edhe pritjet, dembele nga kjo qeveri e radhës! E me gjasë kjo është dhe arsyeja kapitale se përse kam kapërcyer në këtë stad që e përshkrova më lartë, e i cili më thotë se vërtet nuk ka rrëndësi se kush do bëjë qeverinë, me rrëndësi është se a e kanë të qartë se çka do bëjnë me të! Si do e zgjojnë nga gjumi konformist aparatin shtetëror?! Dhe përderisa në kokën time ishte vetëm ide qeverisja përpara se t’a jetoja veten në sistem, ndoshta nuk do i kisha të qarta vështirësitë e vetëkrijuara nga aparati shtetëror bërë një procesi ose qëllimi të dhënë! ( mere shembullin e ujësjellësit në fshatin Siniçan psh!).
Ose ky i radhës e që përmbildhet në emëruesin e evropeizimit të shtetit. E si të hapet ndryshe membrana psikologjike drejt një qeverisjeje evropeizuese kur protagonistët politikë janë po ato që nuk e luftuan korrupsionin për kaq vite në vend, po ata që nuk rivendosën sistemin e së drejtës, që nuk e liberalizojnë arsimin, që me vetëdije sajojnë simulakrume nxitjesh ndëretnike etj etj; por, po ajo jam edhe unë me vëzhgimet e mia me vite të tëra këtej, po ajo kam ngecur në “zonë të vdekur” duke ricikluar vrazhdë e më vrazhdë brengën për martesën time të rëndë me shtetin! Pyetjet e mia kësaj here më mbeten pa përgjigje të prekshme sepse me vetëdije jam ulur në zonë indolence! “Hej, më lerni të qetë!”- dua të bërtas! Ashtu si unë ka edhe të tjerë, të pashfrytëzuar dhe të nderë me veten, të atrofuar deri në sajesa “zorrë qorre “për një trup që din jetë ! Atëherë, përse kaq zhurmë se kush do bëjë qeverinë !?
Përderisa kam ende vetëdijen të hollë si shpatë se progresi nuk bëhet pa virtyte udhëheqësie e qeverisjeje, vërtet nuk mërzitem shumë se kush do jenë aparatusi qeverisës kësaj here, më shumë mërzitem se a do më ngjallin dëshirën për të mbetur ende e martuar me shtetin, …për fëmijët, jo për veten time më!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)