Infrastruktura vazhdon të jetë njëra prej problemeve kryesore të sportit në Kosovë, e veçanërisht në futboll.
Sapo të bie shi, e në rastin më të keq borë, fushat e futbollit në vendin tonë mbushen me ujë dhe me lloç, shkruan sot gazeta “Zëri”
Futbollistët megjithatë luajnë, pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve të mëdha të lëndimeve.
Mirëpo, për të mos e përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e fushave, si rezultat i reshjeve të shiut që ranë të hënën dhe të martën, Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur t’i shtyjë ndeshjet e rrethit të tretë të Kupës së Kosovës, Flamurtari – Australia, Arbëria – L. Baranit, Bashkimi (K) – Besa Irzniq, Vushtrria – Vllaznia (P), KEK-u – Ulpiana, Lepenci – Vëllaznimi, 2 Korriku – Istogu e Fushë Kosova – Dukagjini, të parapara të zhvillohen në mesjavë. Komisioni i Garave të FFK-së megjithatë nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do të zhvillohen këto ndeshje.
“Komisioni i Garave ka vendosur t’i shtyjë ndeshjet e rrethit të tretë të Digitalb Kupës së Kosovës, të cilat ishin paraparë të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten, më 9 e 10 nëntor. Vendimi për shtyrje të ndeshjeve ka ardhur si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut në vend”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kjo nuk është hera e parë që shtyhen ndeshjet. Thuajse çdo vit ndodh të shtyhen ndeshjet, mbi të gjitha kur bie borë, kur bëhet e pamundur të luhet futboll në fushat e stadiumeve të këtushme.
Pa dyshim, pas pranimit në UEFA e FIFA institucionet përgjegjëse duhet të punojnë më së shumti në përmirësimin e infrastrukturës, raporton Zëri.
Deri në përfundimin e pjesës së parë të sezonit kanë mbetur për t’u luajtur edhe katër xhiro dhe shpresojmë që futbollin kosovar të mos e zërë bora e cila mund të bjerë.
Superliga do të pushojë këtë javë për shkak të ndeshjes që do ta zhvillojë Përfaqësuesja e Kosovës me Turqinë të shtunën.