Slovenia ka filluar punën që të zgjerojë gardhin kufitar në kufirin jugor me Kroacinë, me të cilin synon të mbajë larg numrin në rritje të emigrantëve që hyjnë në vend.
Policia e Sllovenisë regjistroi 7.415 migrantë të paligjshëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, një rritje prej 56% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018 pasi më shumë njerëz përpiqen të arrijnë në shtetet e pasura perëndimore përmes Ballkanit, transmeton portali arbresh.info
Muajin e kaluar qeveria nënshkroi një kontratë me një firmë serbe Legi-SGS për të vendosur 40 kilometra (25 milje) gardh në kufirin me Kroacinë.
Pasi të përfundojë ajo pjesë, gjatësia totale e gardhit do të jetë 219 kilometra dhe do të mbulojë gati një të tretën e kufirit slloven me Kroacinë. Kufiri i përgjithshëm tokësor dhe detar i Sllovenisë është i gjatë 1.370 km.
“Gardhi do të ngrihet përkohësisht në zonat ku është e nevojshme të parandalohet kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror dhe të sigurohet siguria e njerëzve dhe pronave të tyre,” tha Irena Likar, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme.
Sllovenia filloi ndërtimin e një gardhi kufitar gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015, kur për gjashtë muaj në vend kanë hyrë rreth gjysmë milioni refugjatë.
Shumica e refugjatëve kanë përdorur Sloveninë si vend tranzit, për të kaluar më pas në Itali dhe Austri.
Numri më i madh i refugjatëve dhe migrantëve që kanë hyrë në Sloveni janë nga Pakistani, Algeria, Afganistani, Maroku dhe Bangladeshi.