Përfaqësuesja e Sllovenisë për herë të parë është kualifikuar në finale të një kampionati evropian të basketbollit. Sllovenia të enjten mbrëma, në gjysmëfinale të “Eurobasket 2017”, mposhti me rezultat të thellë kampionen në fuqi, Spanjën, me shifrat 92:72.
Goran Dragiq e Anthony Randolpoh me nga 15 pikë ishin shënuesit më të mirë në radhët e Sllovenisë, ndërsa 13 pikë i pati Klemen Prepeliq, ndërsa Gashper Vidmar 12 sosh. Supertalenti 18-vjeçar Luka Donçiq shkëlqeu, duke iu afruar shumë pranë dyshifrorit të trefishtë. Donçiq e mbylli ndeshjen me 11 pikë, 12 kërcime e tetë asistime. I munguan edhe dy asistime për “Triple-double”, shkruan sot koha Ditore.
Sllovenia rezultatin më të mirë në një turne të madh më herët e kishte arritur në “Eurobasket 2009”, kur doli e katërta.
Përballja e së enjtes ishte përballje e dy përfaqësueseve të vetme të pamposhtura në këtë evropian. Ishte pritur një sfidë më e niveluar dhe madje Spanja vlerësohej favorite. Por Sllovenia ka shtangur me lojën impresive, veçanërisht me saktësinë dhe më pas me lojën e fortë në mbrojtje. Basketbollistët sllovenë shënuan 14 nga 25 tentimet për tri pikë.