Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 mars – Qytetarët e Sllovenisë e mbajnë vendin e parë në rajonin e Evropës qendrore dhe lindore për kah lartësia e kursimeve që ruajnë në bankat e tyre, shkruan gazeta KOHA. Një qytetar slloven në mesatare kursen 8200 euro, me pagë mesatare prej 1087 euro dhe me një total të kursimeve vendore në banka prej 17 miliardë euro. Nga ana tjetër, në Maqedoni kursimi është i vlefshëm 3.7 miliardë euro, që është 1.850 euro për kokë banori, me pagë mesatare neto prej 381 euro, e që na rendit diku në mesin e shteteve krahasuar për nivelin e kursime të qytetarëve nëpër banka. Kursimet më të vogla në rajon, me shumë prej 1.5 miliardë euro kanë malazezët, që me pagë mesatare prej 509 euro, në mesatare kanë kursyer 2.465 euro për kokë banori, apo 1.5 miliardë euro në total. Në shtetin më të vogël ballkanik, me 620 mijë banorë, qytetarët posedojnë 840 mijë libreza kursimesh, apo 140 mijë më shumë se sa numri i banorëve. Në ndërkohë, në Maqedoni të dhënat zyrtare tregojnë se totali i të gjithë depozitave të qytetarëve deri më 31 dhjetor të vitit 2016 në bankat vendore ishte 227.6 miliardë denarë, apo 3.7 miliardë euro, që si shumë madje është për 500 milionë euro më e madhe se buxheti i shtetit i vlefshëm 3.2 miliardë euro. Ekonomistët thonë se në të gjithë rajonin, me luhatje të vogla, megjithatë rriten kursimet e qytetarëve në banka për shkak se të hollat vendosen në librezat e kursimit, e jo për të realizuar fitim për shkak të kamatave që vazhdimisht ulen, por para së gjithash që ato t’i kenë të hollat të sigurta për ditët kur më së shumti do t’ju nevojiten. Vlerësohet se kursimi rritet përkundër zvogëlimit të fitimit në emër të kamatave dhe krizës ekonomike si rrjedhojë edhe e transferimit të të hollave të qytetarëve nga jastëku në kasafortat e bankave. Ky veprim i qytetarëve vjen nga frika e vjedhjes së të hollave si dhe rritjes së besimit në sektorin bankar të Maqedonisë, që sjell fitime më të ulëta, por paratë këtu janë më të sigurta në raport me ndonjë investim potencial. Gjithashtu, në favor të rritjes së kursimeve është edhe masa qeveritare që qytetarët e Maqedonisë të mos paguajnë tatim në kamatat e depozitave deri në anëtarësimin e vendit në BE. Gjithashtu, ekspertë për çështje financiare vlerësojnë se në mungesë të një ambienti të sigurt për investime që është diskutabile sa mund të sjellin fitim dhe sa kanë ardhmëri, qytetarët obligohen t’i kursejnë mjetet e tyre financiare në banka, madje me kamata mjaft të ulëta. Bile për rritjen e kursimeve në banka në Maqedoni, flet edhe fakti se depozitat për një vit janë rritur për 6.3 miliardë denarë ose në raport me 31 dhjetorin e vitit 2015 janë rritur për afër 103 milion euro, duke arritur afër 228 miliardë denarë në fund të 2016-ës. Trendin në rritje të kursimeve në Maqedoni e tregojnë edhe analizat e Bankës Popullore të Maqedonisë.
“Stabilizimi i mëtejshëm i pritjeve të subjekteve ekonomik shihet edhe përmes ndryshimeve të depozitave të popullatës në sistemin bankar. Të dhënat fillestare për muajin shkurt të 2017-ën tregojnë rritje të mëtejshme të kursimit, për nëntë muaj me resht. Megjithatë baza e përgjithshme e depozitave tregon ulje mujore si rrjedhojë e uljes së depozitave të ndërmarrjeve. Realizimet e tilla kanë sjellë deri tek ulja e dinamikës vjetore të rritjes së depozitave, por megjithatë niveli i depozitave është më i lartë seç pritej”, thuhet në analizën e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë. Në ndërkohë, trende të kursimit të madh të hollave përkundër treguesve jo fort të favorshëm ekonomik, shënohen edhe në Kosovë. Përderisa buxheti për vitin e kaluar në Kosovë kap shifrën rreth një miliard e 600 milionë euro, ndërsa depozitat janë një miliard më tepër, apo mbi dy miliardë e 600 milionë euro. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vërehet se nga vlera e përgjithshme, depozitat e ekonomive familjare kapin shifrën rreth dy miliardë euro, kurse ndërmarrjet kanë të kursyera mbi 500 milionë euro. Me fjalë të tjera, qytetarët e Kosovës kursejnë 1100 euro për kokë banori në mesatare. Në ndërkohë, ekonomistët në Kosovë theksojnë se ngjashëm me Maqedoninë, shqetësues mbetet fakti se në mungesë të një ambienti të sigurt për investime, qytetarët obligohen që mjetet e tyre financiare t’i mbajnë të bllokuara në institucionet financiare, pavarësisht faktit se norma e interesit në depozita është mjaft e ulët. Ekspertët për çështje financiare, theksojnë se në Kosovë në dekadën e fundit, për çdo vit ka pasur rritje të vlerës së depozitave. Arsyeja e mbajtjes së parave të ngrira, sipas tyre tregon pasiguri për të investuar, po njëherësh tregon besimin që qytetarët kanë ndaj institucioneve financiare që veprojnë në Kosovë. Nga ana tjetër , totali i kursimeve në rajonin e Evropës qendrore dhe lindore, është më i madh në Çeki me afër 80 miliardë euro. Paga neto në Çeki është 750 euro, ndërsa kursimet për kokë banori janë 7.907 euro. Kroatët kanë paga mesatare prej 780 euro dhe kursim total prej 25,7 miliardë euro, që për kokë banori është 6.113 euro. Çdo hungarez kursen në mesatare nga 2.546 euro, në totalin prej 25,3 miliardë, me pagë mesatare prej 638 euro. Në Bullgari, kursimi është 23,2 miliardë euro, gjegjësisht 3.243 euro për kokë banori, ndërsa neto paga është 487 euro. Qytetarët e Bosnje e Hercegovinës në banka ruajnë 5,2 miliardë euro, ose në mesatare nga 1.489 euro për kokë banori, me një pagë mesatare prej 433 euro neto. Në Serbi, totali i kursimeve është 9 miliardë euro tregojnë të dhënat statistikore, ndërsa qytetarët me paga prej 371 euro kursejnë 1283 euro për kokë banori. Kursimi në Rumuni është 36 miliardë euro, që për kokë banori është 1.812 euro, ndërsa neto paga është 483 euro. Sllovakia ka kursime prej 33,7 miliardë euro, gjegjësisht nga 6.210 euro, për kokë banori dhe pagë neto prej 680 euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.