Zgjidhja është e thjeshtë. Të plotësohen nenet përkatëse të ligjeve me sqarimin se transliterimi i emrit dhe mbiemrit të personit dhe përdorimi i tyre në gjuhët tjera bëhet nga gjuha që përdor qytetari. Kjo duhet të vlejë jo vetëm në rastin e personave që flasin gjuhë tjetër zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedone (shqiptarët) por për të gjithë, pra edhe për qytetarët tjerë që përdorin gjuhë me alfabet jocirilik, sepse respektimi i njeriut fillon nga respektimi i emrit të tij
Nga Dr.Artan DIKA
I keni parë futbollistët që luajnë për Zvicrën: Shaqiri, Xhaka dhe Xhemaili. Që të tre janë shqiptarë. Dy të parët janë nga Kosova dhe u shkruan mbiemri siç e kanë në origjinal, ndërsa të tretit që është nga Maqedonia i shkruan Dzemaili. Ai nuk është fajtor. Nëse hidhni një vështrim në rrjetet sociale ajo që bie në sy është se e njëjta gjë ndodh me një numër jo të vogël personash nga Maqedonia (kryesisht të atyre që jetojnë jashtë vendit). Kjo dukuri po bëhet gjithnjë e më masive: Dzaferi dhe jo Xhaferri, Dzevat dhe jo Xhevat, Sakiri dhe jo Shaqiri, Djelili dhe jo Xhelili, Dzejlan dhe jo Xhejlan. Kërkoni në FB me dj, dz, lj, sakiri etj., dhe do bindeni.
Në paraqitjen e tij të fundit në TV https://www.youtube.com/watch?v=um4x4UJRDgk në pyetjet e një shikuesi (1:16:00 – 1:16:32) për deformimin e emrave shqip në dokumentet zyrtare të Maqedonisë, duke dhënë si shembuj rastet: Zymer – Zimer, Ylber – Ilber, Bardhyl – Bardil dhe Yllka – Illka, Kryetari i partisë shqiptare në pushtet Z. Ali Ahmeti u përgjigj: “- Kjo është një çështje që duhet të rregullohet, jo me ligj, me ligj është kryer ajo punë por duhet të rregullohet pjesa teknike.
Nëse unë e kam mbiemrin Bardhyl nuk mund t’më thuhet Bardil … se emri Bardhyl dhe Bardil nuk është njësoj. Për një germë ka kuptim tjetër. Ose Thaç e Taç, nuk është njësoj Thaç e Taç, duhet teknologjia dhe këtu arsyet kanë qenë sepse nuk mund të gjejnë zgjidhje me këto qendrat ndërkombëtare për informacion që janë për shkak të germave, alfabeteve dhe kështu me radhë, nuk di mirë edhe të ta shpjegoj këtë çështje” (1:16:32–1:17:44).
Në përgjigjen e tij, Kryetari i BDI-së, pasi thotë atë që e di secili se Bardhyl dhe Bardil nuk është e njëjta gjë, pas 16 vitesh moszgjidhej të problemit konstaton se çështja duhet të zgjidhet dhe bën tre përfundime: 1.kjo punë është rregulluar me ligj por duhet të rregullohet pjesa teknike; 2. është problem i teknologjisë; dhe 3. duhet gjetur zgjidhje me qendrat ndërkombëtare për informacion.
Por ta shohim se si qëndron problemi realisht. Për letërnjoftimet kjo çështje është përcaktuar në brendësi të nenit 5 të Ligjit për letërnjoftimet, për pasaportat në nenin 27 të Ligjit për dokumentet e udhëtimit, ndërsa për dokumentet tjera, në ligjet tjera përkatëse.
Neni 5 i Ligjit për letërnjoftimet thotë: “Formulari i letërnjoftimit shtypet në gjuhën maqedone dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën angleze dhe alfabetin e saj.
Të dhënat në formularin e letërnjoftimit shkruhen në gjuhën maqedone dhe alfabetin e saj cirilik dhe në alfabetin latin bazë (ICAO Doc 9303).
Për qytetarët që flasin gjuhë zyrtare të ndryshëm nga gjuha maqedone, formulari i letërnjoftimit shtypet dhe të dhënat në të shkruhen edhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin e gjuhës të cilën e përdor qytetari.
Për qytetarët që flasin gjuhë të ndryshëm nga gjuhët zyrtare, me kërkesë personale të tyre, të dhënat për emrin personal të cilat futen në letërnjoftim shkruhen në gjuhën maqedone dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari.”
Neni në fjalë përcakton dy momente në lidhje me letërnjoftimet: a.) shtypjen e formularit të letërnjoftimit, me pjesën që është e njëjtë për të gjitha letërnjoftimet dhe b.) shkrimin e të dhënave që futen në letërnjoftim dhe të cilat janë të ndryshme për individë të ndryshëm. Tek momenti i dytë bën pjesë edhe shkrimi i emrit dhe mbiemrit të personit, bashkë me adresën dhe të dhënat tjera.
Paragrafi i dytë i nenit 5 përcakton se këto të dhëna duhet të shkruhen në maqedonisht si edhe në alfabetin latin bazë në përputhje me dokumentin ICAO Doc 9303, në mënyrë që shkonjat cirilike të kuptohen në vendet që nuk e përdorin këtë alfabet. Paragrafi i parë përcakton se formulari i letërnjoftimit shtypet në maqedonisht dhe anglisht (neni 27 i Ligjit për dokumentet e udhëtimit përcakton se pasaportat shtypen në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht). Në këtë mënyrë përcaktohet se emri edhe mbiemri i personit, (adresa etj.), në rubrikën në gjuhën angleze plotësohet me shkronja latine bazuar në emrin dhe mbiemrin me shkronja cirilike të gjuhës maqedone, sipas rregullave të dokumentit ICAO Doc 9303. E thënë më thjeshtë: se si do të shkruhet emri me shkronja latine në anglisht përcaktohet nga emri i shkruar me shkronja cirilike në maqedonisht dhe jo nga emri origjinal në shqip. Këtu edhe fillon absurditeti i përcaktuar me ligj. Paragrafi i tretë më pas përcakton se për qytetarët që flasin gjuhë zyrtare të ndryshëm nga gjuha maqedone (në këtë rast për gjuhën shqipe dhe shqiptarët), formulari i letërnjoftimit shtypet dhe të dhënat në të shkruhen edhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj. Kështu, gjuha shqipe dhe shkrimi i saj shtohen si gjuhë shtesë në letërnjoftim, por gjuha shqipe nuk është gjuha që merret për bazë për të shkruar (transliteruar) emrin dhe mbiemrin e personit në gjuhën angleze dhe në vend të saj merret gjuha maqedone dhe alfabeti cirilik. Neni 27 i Ligji për dokumentet e udhëtimit të shetasve të RM-së ndjek të njëjtën logjikë. Kjo është arsyeja se pse emri Rexhep së pari bëhet maqedonisht Реџеп dhe pastaj në anglisht Redzep; Lule/Љуле/Ljule; Ylli/Или/Ili; Xhemaili/Џемаили/Dzemaili; Bardhyl/Бардил/Bardil; Qëndrim/Ќендрим/Kjendrim; etj.
Shkrimi i një fjale nga fjalë me germa të një alfabeti (p.sh. arab ose latin) në fjalë me germa të një alfabeti tjetër (p.sh. cirilik apo kinez) quhet transliterim. Transliterimi është i ndryshëm nga transkriptimi, sepse transliterimi përcakton vetëm shkronjat mes alfabeteve të ndryshme pa marrë parasysh se si shqiptohen shkronjat ndërsa transkriptimi përcakton tingullin e shkronjave. Lidhur me transliterimin e shkronjave nga një alfabet në tjetrin (konkretisht nga ai cirilik në atë latin) ligjet e mësipërme marrin si referimi dokumentin e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil – ICAO Doc 9303 https://www.icao.int/publications/pages/publication.aspx?docnum=9303. Nëse emrat e shqiptarëve në versionin anglisht apo frëngjisht do të transliteroheshin nga alfabeti shqipe dhe jo nga ai maqedon, bazuar në këtë dokument, atherë vetëm shkronja ‘ç’ do të bëhej ‘c’ dhe shkronja ‘ë’ do të bëhej ‘e’. Të gjitha shkronjat dyshe të gjuhës shqipe dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh, por edhe q dhe y do të shkruheshin njësoj në anglisht e frëngjisht sepse transliterimi ka të bëjë vetëm me përshtatjen e germave si simbole mes alfabeteve dhe jo domosdo edhe të tingujve se si ato shqiptohen.
Fanelat me emrat Xhaka dhe Shaqiri e vërtetojnë këtë.
Ndryshe nga sa thotë Kryetari i partisë shqiptare në pushtet, problemi qëndron te ligji aktual, nuk ka lidhje me teknologjinë dhe zgjidhja nuk duhet të kërkohet në qendrat ndërkombëtare për informacion. Ajo që të bën përshtypje është se Kryetari i BDI-së shpesh nuk ka njohuri për shumë çështje të thjeshta, ndërsa ka njohuri, megjithëse të gabuara, për një çështje specifike si kjo në fjalë. Logjika të thotë se Z. Ahmeti ka qenë i njoftuar paraprakisht me pyetjet e emisionit dhe në ndërkohë ka kërkuar përgjigje nga kompetentët dhe ekspertë në partinë e tij dhe në ministrinë e brendshme, prandaj dhe mosnjohja e problematikës dhe konfuzioni i përgjigjeve të tij në fakt është tregues i mosnjohjes dhe konfuzionit të përfaqësuesve shqiptarë brenda strukturave të pushtetit. ICAO Doc 9303 është dokument shumë i detajuar, me mbi 600 faqe, që përmban edhe detaje të tilla si trashësia e faqes së pasaportës, radhitja, margjina e faqes dhe aspekte të tjera të shumta të teknologjisë informatike dhe dizajnimit të pasaportave biometrike gjë që mund të ketë bërë që personat që janë nisur ta shqyrtojnë këtë çështje të humbin në detin e madh të informacionit dhe të lodhur të kthejnë një përgjigje sa për sy e faqe se problemi qëndron te teknologjia dhe se duhet të gjindet zgjidhje me qendrat ndërkombëtare për informacion.
Pjesa kryesore e dokumentit ICAO Doc 9303 të cilit i referohet Ligji për letërnjoftimet dhe Ligji për dokumentet e udhëtimit për çështjen e shkrimit të emrave është pjesa e tretë e tij, “Specifikimet e përbashkëta për të gjitha Dokumentet e Udhëtimit të Lexueshme nga Aparatet” https://www.icao.int/publications/Documents/9303_p3_cons_en.pdf , konkretisht faqet 2 – 4 dhe sidomos faqet 30-37, “Transliterimet e rekomanduara për përdorim nga shtetet”, ku përcaktohen tabelat e transliterimit të shkronjave mes alfabeteve të ndryshme, si atyre latine mes vete ashtu
edhe mes alfabeteve tjera të ndryshme (cirilike, latine, arabe).
Para disa vitesh im at më pat treguar se e kishte kundërshtuar punonjësin e zyrës së çertifikatave të lindjes që mbiemrin e nënës time Lena e kishte bërë Ljena. Ai ishte arsyetuar se nga ministria u është dërguar një tabelë ku përcaktohet se cila shkronjë cilës shkronjë i përgjigjet.
Ligji për dokumentet e udhëtimit (pasaportat) është miratuar në vitin 1992 ndërsa Ligji për letërnjoftimet në vitin 1995.
Ata janë ndryshuar pas luftës me miratimin e BDI-së, në vitin 2002 Ligji për letërnjoftimet dhe në vitin 2003 Ligji për dokumentet e udhëtimit, në mënyrë që të përfshihet shkrimi i emrave edhe në gjuhën shqipe, por duke e lënë të pazgjidhur problemin e sllavizimit të tyre në versionin ndërkombëtar (anglisht, frëngjisht) që është shumë i rëndësishëm për shqiptarët që zhvendosen jashtë Maqedonisë. Kjo bën që këtyre personave dhe familjeve në gjithë dokumentacionin e mëtejshëm jashtë vendit t’ju vuloset version i sllavizuar i emrit dhe mbiemrit të tyre. Nga viti 2001 e deri më tani Ligji për letërnjoftimet ka pësuar ndryshime dhe plotësime 10 herë (në vitin 2002, 2004, 2005, 2007, 2010, 2011, janar 2012, dhjetor 2012, 2015 dhe 2016) ndërsa Ligji për dokumentet e udhëtimit 8 herë (në vitin 2003, 2004, 2007, 2008, prill 2011, tetor 2011, 2015 dhe 2016). Edhe pse shqiptarët kanë patur vazhdimisht përfaqësuesit e tyre në Ministrinë e brendshme (duke filluar nga zv. ministri e më tej, pos pjesëmarrjesve në nivelet tjera më të larta të pushtetit) në këto 16 vjet asnjëherë nuk është kërkuar rregullimi ligjor i kësaj çështje të ndjeshme.
Një kërkesë e tillë nëse do ngrihej do duhej të miratohej pa shumë pengesa sepse korigjimi i këtij problemi është në përputhje me respektimit të identitetit të njeriut.
Dikur shqiptarët tentohej të sllavizohen duke u vënë me imponim mbiemrave të tyre prapashtesat ov, ski ose viq, ndërsa sot kjo bëhet në mënyrë të ligjshme me dekada duke i deformuar emrat dhe mbiemrat e tyre, duke futur në to shkronja që nuk janë pjesë e gjuhës shqipe por asaj sllave.
Zgjidhja është e thjeshtë. Të plotësohen nenet përkatëse të ligjeve me sqarimin se transliterimi i emrit dhe mbiemrit të personit dhe përdorimi i tyre në gjuhët tjera bëhet nga gjuha që përdor qytetari. Kjo duhet të vlejë jo vetëm në rastin e personave që flasin gjuhë tjetër zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedone (shqiptarët) por për të gjithë, pra edhe për qytetarët tjerë që përdorin gjuhë me alfabet jocirilik, sepse respektimi i njeriut fillon nga respektimi i emrit të tij.
Në përputhje me këtë duhet të harmonizohen edhe aktet tjera nënligjore eventuale dhe procedurat e shtypjes se dokumenteve në aparaturat përkatëse. (koha.mk)