Sofje, 17 qershor – Republika e Maqedonisë së Veriut nuk mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE pa i plotësuar kushtet e nevojshme, deklaroi sot lideri i partisë bullgare “Ka një popull të tillë”, Sllavi Trifonov.
“Për sa kohë që bullgari nuk është i qetë për historinë e tij, që e paraqet edhe Republika e Maqedonisë së Veriut , mendimi ynë do të jetë i njejtë sikur edhe i gjithë bullgarëve”, deklaroi në tubimin parazgjedhor me studentët në Plovdiv, Trifonov, partia e të cilit sipas anketave të fundit është favoriti më i madh për fitore në zgjedhjet e parakohshme në Bullgari më 11 korrik.
Duke i komentuar takimet e sotme të kryeministrit Zoran Zaev me liderët e partisë Qytetarë për zhvillim evropian të Bullgarisë (QZHEB), Bojko Borisov dhe të Partisë Socialiste Bullgare (PSB), Kornelija Ninova, Trifunov theksoi se është dashur së pari të takohet me presidentin dhe kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe Stefan Janev, ndërsa jo me kryetarët e këtyre dy partive politike, të cilët sipas tij janë “njerëz të parëndësishëm”.
Kryeministri Zaev sot në Sofje mbajti takime me presidentin bullgar Radev, kryeministrin Janev, si dhe me liderët e QZHEB-së dhe PSB-së, Borisov dhe Ninova. Në konferencën për shtyp pas takimit me Janevin, kryeministri Zaev tha se plani ka qenë të mbajë takime me përfaqësuesit e katër partive më të mëdha në Bullgari, por janë mbajtur takime vetëm me liderët e dy prej tyre, ndërsa dy të tjerat pamundësinë për tu takuar e kanë arsyetuar me aktivitetet parazgjedhore.