Sllatina nderon dëshmorin Burim Huseini

482

19 vite pas rrënies heroike

Tetovë, 31 korrik – Ish komandanti i fshatit Sllatinë, Memedin Abazi duke rikujtuar Burim Huseinin dhe dëshmorët tjerë tha se, ne sot përkulemi përpara madhështisë së tyre, sepse sa e deshën këtë tokë tregon fakti që sot nuk ndodhen në mesin tonë.

Urim HASIPI

Tetovë,31 korrik-Mëngjesi i 31 korrikut të vitit 2001 do të zgjojë me trishtim banorët e fshatit Sllatinë të komunës së Tearcës.Ende pa u shëruar dhimbjet nga rrënia e dëshmorit Murtezan Etemi nga thellësia e Malit Sharr do të vjen lajmi i zi se ka rënë dëshmorë studenti Burim Huseini, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ky lajm do të jetë edhe më i rëndë për familjen Huseini e cila një javë më parë kishte humbur një anëtar tjetër të saj në frontin e luftës Murtezan Etemin. Që mozaiku i dhimbjes të mos ketë fund për tërë këtë familje fill pas humbjes së Murtezanit dhe Burimit nga një plumb i forcave policore dhe paramilitare maqedonase vritet 9 vjeçarja Adelina Arifi.

Lufta e vitit 2001 në këtë fshat do të përhapet me shpejtësi të madhe ku me uniformën e UÇK -së do të vishen mbi 150 ushtarë.Paraprakisht 7 djem nga fshati Sllatinë ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në kalanë e Tetovës, në fshatin Gajre dhe fshatin Xhermë.Rikthimi i tyre tashmë në fshat bashkë me shtabin civil do t’i jep dimension tjetër organizimit ushtarak në këtë fshat me shumicë shqiptare i rrethuar nga dy fshatra që kishin shumicë popullatë maqedonase dhe ishin stacionuar shumë forca policore maqedonase.

Jo rrallë herë për shkak të këtij organizimi fshati Sllatinë granatohej nga fshatrat Ratajë dhe Zhilcë. Krah për krah me djemt e Sllatinës pushkët i kishin bashkuar edhe shumë djem nga fshatra tjerë të rrethinës së Tetovës kurse nuk mungonin as vllezërit nga Kosova dhe Shqipëria.19 vite pas,në varrezat e dëshmorëve në këtë fshat u përkujtua dëshmori Burim Huseini dhe dëshmorët tjerë bashkë me martiren Adelina Arifi.

Ish luftarë, eprorë, veteran të UÇK-së dhe familje të dëshmorëve bashkë me shumë banorë lokal të shoqëruar edhe nga përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta nderuan veprën dhe heroizmin e dëshmorëve duke vendosur kurrora me lule të freskëta.Ish komandanti i fshatit Sllatinë Memedin Abazi duke rikujtuar Burim Huseinin dhe dëshmorët tjerë tha se, ne sot përkulemi përpara madhështisë së tyre, sepse sa e deshën këtë tokë tregon fakti që sot nuk ndodhen në mesin tonë.

“Të tillë ishin të gjithë ata që në vitin 2001 sakrifikuan jetën e tyre që ne sot të jemi të lirë. Asgjë nuk mund të zbeh madhështinë e dëshmorvëe, as dështimet e pas luftës, as mos përmbushja e aspiratave dhe idealeve që kishim kur ishim bashkë nëpër fronte. Sado që ne të gjallët nuk e çuam në vend amanetin, kujtimi për Burimin dhe dëshmorët do të mbetet i freskët në mendjet tona”tha komandant Muja. Më tej ai foli edhe për figurën e dëshmorit Burim Huseini.

“Burimin e njoha qysh në fëmijëri, ai u rrit dhe u kalit në frymën e atdhedashurisë, kurse u brumos me idealet për bashkim kombëtar.Këtë e dëshmoi edhe atëherë kur ai u nis për në luftën e Kosovës. Si djalë i ri me plot energji, me prejardhje nga një familje atdhetarësh, Burimi nuk priti kushtrimin që të ngjesh armët dhe emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe kreu detyrat me shumë përkushtim.Kisha nderin që kam qenë eprori i tij dhe një epror mburret kur ka njerëz që janë të gatshëm të bien në altarin e lirisë. I tillë ishte edhe Burimi. Mengjësi i 31 korrikut i verës së vitit 2001 do të na kap të gjithëve në befasi.

Lajmi i kobshëm do të vjen nga thellësia e Sharrit plak, se Burimi nuk është më në mesin tonë.Për ne si ushtri kjo do të thoshte një pushkë më pak në frontet e lirisë, kurse varrezave të dëshmorëve do ti shtohet një kurrorë më shumë” theksoi ai. Ish komandanti i Sllatinës nuk harroi të flasë edhe për mos përmbushjen e amanetit të dëshmorëve.

“Thonë se dëshmorët shkojnë në pavdekësi, dhe këtë fat nuk e ka gjithkush. Janë të paktë ata që dhanë jetën dhe kjo u duket pak.Jam i bindur se ata kurrë nuk u penduan që ranë në frontet e luftës, kurse do të duhet të pendohen ata që tradhëtuan dhe devijuan idealet e tyre, mbi të gjitha ata që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve” theksoi Memedin Abazi-Muja ish eprorë i UÇK-së.

Burimi kishte braktisur indeksin e studentit në Univeristetin e Tetovës për t’ju bashkuar luftarëve në malet e Sharrit, tha mes tjerash Ismail Selmani, i njohur si komadant Mala.

”Burimin kur e kam parë herën e parë dhe raportimin e ka bërë sikur 10 vite të kishte qenë në akademi ushtarake.Kishte lënë bankat e universitetit për të luftuar për liri.Ishte trim dhe bujar dhe i guximshëm”, tha komandant Mala.Ndërkohë, banorët e fshatit Sllatinë mburren për të kaluarën e lavdishme dhe për kontributin e dhënë në luftën e vitit 2001 kurse jo rrallë herë politika ua ka kthyer shpinën këtyre banorëve duke i lënë shumë djem pa punë të cilët sot kanë marrë rrugët e gurbetit, ndërsa luftarët u lanë në mëshirë të fatit ku janë të paktë ata që kanë gjetur punë.

Nga ky fshat emblemën e UÇK-së e veshën edhe shumë djem të ri në moshë të njomë madje pa mbushur akoma 16 pranvera.Si shenjë respekti në qendër të fshatit Sllatinë valon flamuri kuq e zi dhe pllaka përkujtimore me emrat e Burim Huseinit, Murtezan Etemit, Adelina Arifit dhe Enver Ademit veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare i vrarë disa vite më parë në rrethana të pasqaruara.

Comments are closed.