Në esencë, të gjithë jemi të këqij, egoistë, të neveritshëm. Merreni torturën, për shembull. Unë jam realist. Sikur ta kisha një vajzë dhe dikush ta kidnaponte atë, kurse unë ta gjeja shokun e kidnapuesit, do ta torturoja atë njeri.
UNË NUK JAM BABA I MIRË. Është diçka qesharake në mbrojtjen e dinjitetit tim, proces të cilit i rezistoj automatikisht. Djali im adoleshent identifikohet me këtë gërryerje të autoritetit tim. Kur ishte 14 vjeçar, u nervozova shumë me të dhe e përdora shprehjen vulgare në sllovenisht: “Ta q… qeni nënën”. Ai u përgjigj: “Kjo ka ndodhur para 15 vjetëve. Kësisoj kam lindur unë”.
SHOKËT MË QUAJNË FIDEL. Jo për shkak të politikës, por sepse flas shumë. Gjatë një vizite të hershme në Kubë po shikoja televizorin e cili transmetonte Fidel Castron duke hyrë në një takim. “Shokë, pesë minuta për disa komente”, tha. Rashë në gjumë, u zgjova pesë orë më vonë, dhe ai ende po fliste.
JAM I PAAFTË TË KEM SEKS PËR NJË NATË. Në qytetin tim, në Lubjanë, me saktësi mund t’i identifikoni gratë me të cilat kam bërë seks. Jam martuar me to.
E URREJ ARROGANCËN POLITIKISHT KORREKTE. Për dallim nga miqtë e bardhë politikisht korrektë, kontaktin e vërtetë e vendosi me miqtë zezakë. Qysh? Përmes rrëfimeve të pista, shakave të pista. Kur udhëtoni në vendet e huaja, duhet ta luani lojën politikisht korrekte duke folur për ushqimin apo muzikën tuaj të preferuar, por si bëheni tamam miq? Duke shkëmbyer pisllëqe të vogla.
ME KOHË JAM BËRË MË AGRESIV. Disa thonë se jam bërë më i djathtë, gjë që absolutisht nuk është e vërtetë. Për krizën e refugjatëve duhet të heqim dorë nga patronizimi: “Ata janë njerëz të ngrohtë”. Jo, mes tyre ka vrasës ashtu siç ka edhe mes nesh. E majta liberale ndalon të shkruhet ndonjë gjë negative për refugjatët, dhe kjo rezulton me monopolizimin nga ana e së djathtës anti-emigrante.
DO TË ISHTE E TMERRSHME TË THOSHA SE E DUA ISIS-in. Mirëpo, vështrojeni këtë organizatë me identitetin e saj fluid postmodern. Ekziston një tendencë emancipuese e nëntokës në Islam: një historian i mrekullueshëm mysliman i filozofisë e ka zhvilluar tezën sipas të cilës, filozofi Thomas Aquinas e kishte keqlexuar Aristotelin nën ndikimin e mendimtarëve myslimanë si Avicenna, dhe kjo ia kishte hapur udhën modernitetit, të drejtave të homoseksualëve, etj.
PRINDËRIT E MI NUK ISHIN STRIKTË, POR ISHIN PATRONIZUES. Nuk më pëlqenin. Që të dy vdiqën në spital gjatë natës dhe kur më njoftuan përmes telefonit, në mëngjesin e nesërm isha para kompjuterit duke punuar. Thash: “A është gjithçka në rregull? OK, faleminderit”, dhe vazhdova. U ndjeva krejtësisht i ftohtë – diçka nuk ishte në rregull. Kjo nuk më bën nder.
HOLLYWOODI I DI TË GJITHA. Ai është i obsesionuar me skenarë shkatërrues, si në Elysium ose The Hunger Games. Vërtet mendoj se kjo është njëra ndër të ardhmet tona të mundshme. Njerëzit e rinj sot duhet të përgatiten për një katastrofë të madhe, por njëkohësisht edhe të përfshihen në beteja të përditshme lokale, të menduara mirë, e të mos arratisen në moralizim.
SHKRIMI MA KA SHPËTUAR JETËN. Para disa vitesh, për shkak të disa problemeve private, disa javë isha në disponim vetëvrasës. I thash vetes: “Mund ta vras veten, por më duhet ta përfundoj një shkrim. Së pari do ta përfundoj atë, pastaj do të vetëvritem”. Por, pas tij kisha për ta shkruar një shkrim tjetër, më vonë edhe një, e kështu me radhë. Ende jam gjallë.