Një nga përshkimet e një dhunimi seksual që lexova thoshte se vajza e dhunuar nga një familjar ishte vetëvrarë, sepse nuk duronte më dot gjendjen dhe traumën e përjetuar. Kishte lënë letër duke sqaruar se çfarë kishte ndodhur dhe kishte lënë këtë botë. Por familja nuk kishte denoncuar rastin dhe shpjegimi kishte qenë se vajza ishte rrëzuar dhe nga aksidenti kishte vdekur. Po tani turpi i kujt është mosfolja?
Nga Nazim RASHIDI
Sot është Shën Valentini. Por veç për dashurinë nuk do flas. Para pak kohësh lexova një artikull rreth një ekspozite që kishte në shënjestër dhunën seksuale. Nuk më kujtohet autorja, por mu fiksuan eksponatet. Ishin veshjet e femrave të përdhunuara. Shumica ishin pantallona, bluze, këpucë e çizme tejet të zakonshme. Asgjë provokative.
Ekspozita donte të thotë, jo s’kishin ato faj dhe as që kishin provokuar askënd me veshjet. Madje, edhe atë që e thonë shumë studiues, dhunuesit shpesh, shumë shpesh kanë qenë njerëz të njohur… edhe më e tmerrshme familjarë. Rastet e tilla ndodhin kudo, edhe te ne. Por me një dallim. Te ne heshten. Fshihen. Njerëz, duhet folur për seksin. Hapur. Të ndeshur me realitete ku virtualja ka aq shumë prezencë në jetët tona e ku krijon iluzionin edhe të reales, për një brez të tërë të rinjsh përballja me erotikën, por edhe seksin, nuk është më aq e fshehtë.
Çfarë dua të them? Nëse për brezin tim apo edhe ata më herët, seksi mund të zbulohej me një misticizëm të theksuar, apo vetëm nga rrëfimet e më të rriturve, sot që nga videot e këngëve e deri tek celularët seksi aksesohet shumë lehtë. Ky realitet megjithatë ende po sjell thyerje dhe përplasje për një prej akteve më jetike për qenien e njeriut. Thyerja e madhe bëhet në qëndrimet që ende ka shoqëria ndaj femrës, por dhe vetë familja për gjithë momentin e realitetin e ri për ta, ku të gjithë e pranojnë se seksi është shumë më prezent se më parë.
Por pse duhet folur për këtë çështje? Sepse, kjo përplasje dhe perceptim vë në thelb mbase dhe mungesën e diskutimit të hapur për seksin dhe gjithçka rreth tij. Përtej rasteve që skandalizojnë opinionin e që janë një tmerr, institucionet dhe sidomos profesionistët duhet të jenë më prezent në media, shkolla, hapësira publike për të shpjeguar dhe edukuar situatat “e reja” rreth seksit dhe perceptimit që ka brezi. Mbase dhe ka një përplasje brezash. Liria seksuale e brezave përballë qasjeve tradicionale të shenjtërisë së femrës.
Por të jemi të qartë. Këtu ka diçka që nuk shkon. Sepse si shpjegohet atëherë gjithë ajo dhunë seksuale. Në një anë është qasja moraliste e brezit më të rritur dhe jo vetëm, dhe nga ana tjetër dhuna e këtyre të rriturve moralistë ndaj të miturve apo dhe femrave në përgjithësi. Dhe për habinë e shumë vetëve, dhuna na qenka aq shumë prezente, madje dhe nga familjarë. Më shokoi konstatimi i Fatjonë Krasniqit, studente në Gjermani, e cila kishte shtruar pyetjen në rrjetet sociale se sa femra janë abuzuar seksualisht, kur u ka ndodhur për herë të parë, dhe ku? Nëse lexoni disa nga postimet që ajo nxjerr nga rrjetet sociale, dilemat që të shtrohen për vlerat, për moralin dhe për etikën shqiptare të hidhen në erë. Disi dua të besoj se ka fantazi të shfrenuara, apo dhe ekzibicionizëm, sepse nuk mund të kuptoj raste incesti, dhunë të theksuar dhe manipulime ndaj të miturave, nga njerëz të afërt. Por Fatjonë Krasniqi thotë se mbi 2000 femra i kanë shkruar, numri rritet. Rrëfimet janë të patolerueshme për kodet tona. Abuzimet me të tmerrshme ndodhin brenda familjes, madje edhe nga “vëllai e babai”, thotë studentja Krasniqi.
Pra ku qëndron puna? KU ËSHTË TABUJA KËTU? Te vetë seksi, apo tek heshtja e krimeve. Psikologë dhe ekspertë thonë se burimi i abuzimeve seksuale vjen fillimisht nga ndrydhja e urisë seksuale e pastaj shpërthimet rrëmbejnë të miturat, e lehtësia e dhunuesve vjen sepse mendohet se vajzat nuk do flasin për shkak të mentalitetit. Morali i familjes mbrohet nga “virgjiniteti i vajzës” dhe kjo bën që krimet të fshihen, mos fliten. Por gjasat janë se kjo nuk do të ndodhë më. Mbase jemi në agimin e një lëvizjeje “Me too” shqiptare. Fakti që shumë e shumë femra po dalin hapur e po tregojnë realitetin e hidhur e po na i përplasin në fytyrë do të thotë se ngjarje e zhvillime të tilla do të dëgjojmë edhe më shumë.
Kjo si rrjedhojë do të sjellë reagim institucional. Por e gjithë çështja është se a do të ndryshojë mentaliteti? Mentaliteti edhe për qasjen ndaj femrës në shoqëri, por edhe për vetë seksin dhe faktin sa dhe si duhet folur. Dhe pse duhet folur? Nga ekspertët vazhdimisht thuhet se meshkujt predatorë, të cilët shpesh janë të rritur dhe madhorë në moshë, marrin të drejtën të abuzojnë seksualisht sepse janë “plotësisht i sigurt” se viktima nuk do flasë për shkak të turpit. Por, cili turp? Turpi i kujt?
Një nga përshkimet që lexova thoshte se vajza e dhunuar nga një familjar ishte vetëvrarë sepse nuk duronte më dot gjendjen dhe traumën e përjetuar. Kishte lënë letër duke sqaruar se çfarë kishte ndodhur dhe kishte lënë këtë botë. Por familja nuk kishte denoncuar rastin dhe shpjegimi kishte qenë se vajza ishte rrëzuar dhe nga aksidenti kishte vdekur. Po tani turpi i kujt është mosfolja? Po kaq të rënda janë situatat me dhunën dhe prandaj duhet folur. Por më herët, kur s’ka tragjedi. Dhe kjo me të vetmin qëllim edukimin. Edukimi duhet tu thotë vajzave se asnjëherë, në asnjë rast dhe në asnjë vend, askush nuk duhet tu qaset, flasë apo dhe prekë pa lejen e tyre. Nëse kjo ndodh duhet të flasin, tregojnë bërtasin. Këtë ta bëjnë çdo herë, që mos të ndodhë më tragjikja. Kurse djemtë duhet edukuar se dhuna nuk është kënaqësia, por butësia. Se akti duhet të jetë i barabartë dhe me pëlqim dypalësh.
Këtë duhet ta dëgjojnë në vazhdimësi të rinjtë. Në të kundërt do kemi pasoja, e pasojat mund të jenë që nga dhuna e deri tek shtatzënitë e lindjet e padëshiruara. Nga një studim i bërë në Maqedoni. Për vitet 2016-2017, 731 të MITURA kanë lindur kurse 62 kanë ndërprerë shtatzëninë. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme as që nuk përmenden.
Pra seksi është prezent… të folurit është i nevojshëm… dhe frustrimet nuk mund të shpërthejnë në dhunë… kjo është e pa pranueshme të ndodhë në kohën e vlimit të informacioneve dhe vetëm se nuk flitet apo për shkak të një morali fallco. Sot është Shën Valentini dhe duhej folur për dashurinë dhe seksin. Por për pikën e qejfit mes dy të rriturve që bëjnë ç’të duan, se duhen, se duan.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)