Skriniar kthehet në Milano, pritet të luajë ndaj Realit

27

Milan Skriniar është i vetmi futbollist i Interit që vijon të jetë i infektuar nga koronavirusi dhe nuk është vënë ende në dispozicion të trajnerit Antonio Conte. Pas një izolimi 21-ditor në Sllovaki, ku edhe u konstatua se ishte pozitiv, Skriniar është rikthyer paraditen e sotme në Milano dhe i është nënshtruar një tjetër testi për të parë nëse vijon të jetë i infektuar ende.

Te Interi shpresojnë që sllovaku të dalë sa më parë negativ dhe të rinisë stërvitjen bashkë me skuadrën, me shpresën që të gjejë formën e duhur fizike dhe të jetë gati për ndeshjen e të mërkurës së ardhshme në Ligën e Kampionëve ndaj Realit të Madridit. E pamundur ndërkohë që Skriniar të jetë gati për ndeshjen e të shtunës ndaj Parmës, pasi edhe nëse testi i sotëm del negativ, do t’i duhen disa seanca stërvitore për të gjetur ritmin e duhur për të përballuar një takim zyrtar.

Ndërkohë Conte shpreson që të rikuperojë për transfertën madrilene edhe sulmuesin Alexis Sanchez, pasi aktualisht ka në dispozicion vetëm Lukakun, Lautaron dhe të riun Pinamonti. I vështirë, në mos i pamundur është rikuperimi i Stefano Sensit, që prej më tepër se një viti po shoqërohet nga probleme fizike të njëpasnjëshme, që e kanë lënë më shumë në infermieri sesa në fushën e lojës.