Deklarata vjen pas votës për pavarësi të organizuar nga qeveria autonome rajonale e Katalonjës ditën e diele, votim ky i vlerësuar ilegal nga Madridi, ku pasoi dhuna derisa policia provoi të ndalonte këtë proces, raporton Reuters. Rezultatet e votës në shumicë absolute përkrahën pavarësinë, ndonëse dalja në votime ishte 42 për qind sepse ata që ishin në favor të mbetjes së Spanjës një njësi e bojkotuan atë. Qeveria autonome e Katalonjës ka bërë thirrje për ndërmjetësim ndërkombëtar. “Spanja do ta vlerësojë këtë votim jo-legjitim por fuqia e ndjenjës së demonstruar nuk mund të injorohet nga Spanja, e as nga komuniteti i gjerë evropian e ndërkombëtar”, ka thënë ministrja e Jashtme e Skocisë, Fiona Hyslop, transmeton Koha.net. “Tani duhet të zhvillohet dialog për të zgjidhur këtë çështje në një mënyrë që respekton edhe demokracinë edhe sundimin e ligjit, dhe i lejon popullit të Katalonjës të përcaktojë vetë fatin e vet”. Vetë Skocia kishte refuzuar pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në një referendum detyrues më 2014, ndonëse nacionalistët janë ende forcë dominuese në politikën skoceze.