Skocezët kanë vijuar në “Loro Boriçi” festën e nisur që dy ditë më parë, teksa kanë shkatërruar Shqipërinë me rezultatin e thellë 4-0. Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Christian Panucci kanë provuar kështu humbjen më të thellë të pësuar në më shumë se një dekadë. Formacionit me shumë ndryshime dhe skemës aspak rezultative iu shtua në minutën e 21’ edhe gafa e pafalshme e kapitenit kuqezi, Mërgim Mavraj, që për shkak të një reagimi antisportiv, u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Shqipërinë me 10 futbollistë. Përfaqësuesja kuqezi ka mbyllur kështu në mënyrën më të shëmtuar të mundshme aventurën në këtë edicion të parë të Ligës së Kombeve, duke u renditur në vend të fundit të Grupit 1, të Ligës C, me vetëm 3 pikë në 4 ndeshje, me një golavarazh të tmerrshëm me vetëm 1 gol të realizuar dhe plot 8 të pësuar. Një finale aq e shëmtuar sa që tifozët në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” kanë shpërthyer në sharje e ofendime ndaj trajnerit Christian Panucci.
Sinjali i parë dhe mbase më flagranti gjatë të gjithë ndeshjes për kuqezinjtë ka qenë ai i minutës së 11’ kur Memushaj krosoi në zonë për Uzunin, që shumë pranë portës nuk arrin dot të devijojë topin në rrjetë. Një gabim që u ndëshkua shumë shpejt nga miqtë, të cilët vetëm 3 minuta më pas, në të 14’ kanë kaluar në avantazh me gol të Fraser, që kishte përfituar nga gabimi i Xhakës, për të depërtuar më pas në zonë e mposhtur edhe Berishën. Kur mendohej se gjërat ishin mjaftueshëm keq për Shqipërinë, kapiteni kuqezi, Mavraj ka përkeqësuar gjithçka, pasi ka lënë ekipin me 10 futbollistë, pas një veprimi antisportiv. Avantazhi dhe epërisa numerike ka bërë që Skocia të imponohet edhe më shumë në fushë, aq sa për të dyfishuar shifrat në fundin e pjesës së parë, kësaj here nga pika e bardhë e penalltisë, pas vendimit të arbitrit për prekje të topit me dorë. Ishte Fletcher ai që realizoi nga 11-metërshi.
Ca për shkak të dëmtimeve, por edhe të tjera për zgjedhje personale, trajneri Panucci dështoi totalisht edhe me zëvendësimet e realizuara, duke bërë që edhe në pjesën e dytë përfaqësuesja e Shqipërisë të torturohet edhe më shumë në fushë. Kështu kur kishin kaluar vetëm 10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, skocezët kanë realizuar golin e tretë, kësaj here me Forrest, i cili në të 68’ ka shënuar golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për Skocinë, që iu afrua edhe golit të pestë, në të 78’ kur McTominay goditi traversën e portës së mbrojtur nga Berisha, por fatmirësisht për kuqezinjtë, skocezët nuk goditën më në shenjë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.