Lufta për të zbuluar terapinë që do të na bënte më imun ndaj këtij skllavërimi modern të mendjeve tona, do të jetë kauza më sublime e shekullit që po e jetojmë.
Nga Emin AZEMI
Humbja e kontaktit me realitetin, prodhon virtualitetin, kurse ata që bëhen rob të virtualitetit nuk mund të japin gjykime të drejta mbi ndonjë ndodhi në terren. Simptomat e këtij deformimi kanë prekur jo pak media dhe individë, te të cilët doza e vetëmjaftueshme në përshkrimin e gjërave, pa i ‘prekur’ ato nga afër, po shndërrohet në një projektim të gabueshëm të realitetit.
Mediat sociale dhe badihavxhinjtë e portaleve ( të caktuara) dominohen nga kjo trajtë dritëshkurtër e inventarizimit të ideve që paketohen si njohuri të mjaftueshme për akëcilin problem. Por, në fakt objektivi i kësaj dioptrie del të jetë i shtrembëruar, jo vetëm pse realiteti në terren nuk përputhet gjithmonë me realitetin virtual, por edhe ata që bazohen kryekëput në këtë metodë raportimi, nuk dërgojnë gjithmonë mesazhin e duhur. Këtij mesazhi i mungon fryma e ambientit, pluhuri i ngjarjeve dhe esenca e bilancit që përbëhet nga numrat dhe faktet.
A po bëhemi robër kolektiv të këtij skllavërimi modern? Përveç emrave të përveçëm të njerëzve me përgatitje akademike e shkencore, të cilët edhe kur shkruajnë nga distanca udhëhiqen nga ftohtësia e gjykimit dhe vlerësimit, të gjithë të tjerët, sidomos poetët dhe badihavxhinjtë e portaleve që mundohen të zbërthejnë termet gjeologjike e sizmike të tërmeteve, ndërtojnë kulla prej kartuçi në të cilat i magazinojnë idetë e tyre gjeniale. Kjo lagje mendimtarësh të lirë gjithë takatin e tyre intelektual e bazojnë në realitete virtuale që ua imponon media sociale dhe pastaj ta ka ëndja të lexosh e shikosh lloj-lloj broçkullash, me pretendime analitike dhe parashikuese.
Çkontakimi me realitetin ekzistues dhe katapultimi në një realitet virtual, ka shumëfishuar sasinë e mendimit bajat, të cilit jo vetëm që i ka skaduar afati i ‘fermentimit’ paraintelektual, por ka kaluar në vokacionin ‘profetizues’ të fallxhoreve.
Varshmëria nga ky lloj vokacioni mund të sjellë degradime të theksuara mendore në shkallë kolektive, kurse ata që nuk kanë mundësi të lirohen nga ky rreth vicioz janë të dënuar të bashkëjetojnë me substandardin social e intelektual që ofron çarshia e llafeve e muhabeteve të kota.
Nëse një analist që e ka mbaruar gjuhën dhe letërsinë e dëgjoni duke folur për parametrat gjeologjik e sizmik të tërmeteve, të jeni të sigurt se ai është një ‘pacient’ potencial i kësaj karantine psiko-sociale ku realiteti virtual dominon në saje të gjithologjisë që vjen nga një pjesë e rrjeteve sociale. Këto të fundit, përveç zanatit të copy past plagjiaturës, i kanë mësuar njerëzit të jenë edhe dembel, të mos lexojnë libra, të mos ndjekin mësimet e njerëzve të ditur dhe përfundimisht të shndërrohen në debila që gjithçka e marrin të gatshme.
Ky paketim i dijeve të konzervuara, të marra copa-copa, patjetër që si nusprodukt do të ketë deficitin intelektual në vlerësim dhe gjykim.
Lufta për të zbuluar terapinë që do të na bënte më imun ndaj këtij skllavërimi modern të nendjeve tona, do të jetë kauza më sublime e shekullit që po e jetojmë.