Skicë për tregim: Mikelangjelo me sy nga kalaja

109

Kur ishte kthyer Shpat Sharri nga ky udhëtim i paharrueshëm e përplot përjetime ëndrrash, më kot ishte përpjekja e tij për të bërë një shkrim udhëtimi për botim gjetiu, sepse s’kishte kaçik e talent për një gjë të tillë, pos vullnetit të madh dhe i trimëruar nga botimi i ndonjë poezie në periodikun e vendit. Pasi hodhi lapsin anash paksa i dëshpëruar, përnjëherë iu kujtuan paketat e cigareve që i bleu për  “kontrabandë” në Itali…

Nga Ismail ARSLLANI

Kishin kaluar disa vjet nga një ekskursion studentësh në Venecia. Ky ishte bërë tashmë njeri i diplomuar, me ditar në dorë. Duhej të shpjegonte për artin e renesancës në Itali, për pikturat e famshme të Mikelangjelos, i cili më shumë se kaq ishte një skulptor gjenial dhe në kohën e vet punonte në Oborrin mbretëror. Pikturat e tij në pëlhurë ishin kolosale, me dimensione marramendëse, të ekspozuara në kishat dhe muzetë e këtij qyteti bregdetar, unik për nga pamja dhe me histori të lashtë prej romakëve.

Sakaq mbylli enciklopedinë e artit të renesancës, drejtoi shikimin përtej dritareve, prej nga çdo mëngjes përthithte bioenergji nga gjelbërimi mbi kodrën e Kalasë së qytetit, të cilën e kishte filluar me ndërtim një pasha i pushtetshëm, i cili nuk i përfillte fermanët e Sulltanit, ndaj dhe atë e quajti “satrap” nga Arnautistani, përderisa në fund të jetës e syrgjynosi për vdekje në Anadoll.

Ky pasha prej rebeli nuk i dërgonte regrutët arnautë për ushtrinë perandorake, që luftonte në Siri, ndërsa taksat e grumbulluar i mbante për vete. Ai liroi nga ushtria disa mjeshtër që i kishte sjellë nga një fshat me arnautë “të pa fe”, që gjallëronin nëpër do kodra prapa një gjoli dhe ishin me zë për muratori. Mblodhi edhe mijëra të tjerë argatë, të cilëve u dha disa privilegje për t’i bartur për punë fizike në një kodër përmbi Kasabanë e tij nga pashallëku, duke shqepur shkëmbinjtë e mëdhenj të shpateve që  ujdiseshin për themele, për të ngritur një kështjellë prej bedeni, me një tunel të ndërtuar në fshehtësinë më të madhe, prej pesë mijë hapash të gjatë, që atij do t’i siguronte një pushtet të rehatshëm prej kërcënimeve të Sulltanit. Në rast të ndonjë sulmit të papritur, do të mund të arratisej pa hetuar nga konakët e tij drejt në Kala, bashkë me të afërmit dhe qenin larosh të Sharrit, të cilin e ushqente me mish të zgjedhur. Të gjithë nga familja e Pashait do të hipnin në dy-tri “çeze” të mëdha, vende-vende të dekoruara me fildish, të cilat do t’i tërhiqnin përpjetës me nga katër “arabka” nga ahuri, përherë të gatshme për udhëtim. Kalaja për pashain e Kasabasë që kishte disa xhami e një hamam, të cilën e ndante mes për mes një lumë që pranverë e vjeshtë tërbohej, ishte një sfidë sigurie, për çka harxhoi 30 vjet ndërtim, për të nxjerr nga qesja njëqind mijë dukatë të mbledhur nga taksat.

– He, mendje e mendje…! – belbëzoi Shpat Sharri, duke larguar  fiksimin nga dritarja, për t’u kthyer aty ku qëndronte i stepur pas kredhjes së mendimeve udhëtuese, pa biletë e shpenzime shtesë. Atëherë, ra sikur nga qielli në shqisat e shpirtit të tij, kujtesa për kabinetin e kimisë në fakultetin ku studionte artin pamor. Kishin ngritur anembanë skele, për të hipur gjatë “dekorimit” të mureve të këtij kabineti, me do sisteme të Mendelievit e ku ta di se çfarë formulash të tjera, për çka drejtoria do t’ua siguronte njëzet studentëve të artit, në përfundim të studimeve, udhëtimin për në Venecian e gondolave, rrugëve me kanale uji, kishave përplot me piktura grande të mjeshtërve të rrallë, të Urës së psherëtimave, Pallatit të Dukëve dhe të rariteteve të tjera nga arti.

Kur ishte kthyer Shpat Sharri nga ky udhëtim i paharrueshëm e përplot përjetime ëndrrash, më kot ishte përpjekja e tij për të bërë një shkrim udhëtimi për botim gjetiu, sepse s’kishte kaçik e talent për një gjë të tillë, pos vullnetit të madh dhe i trimëruar nga botimi i ndonjë poezie në periodikun e vendit. Pasi hodhi lapsin anash paksa i dëshpëruar, përnjëherë iu kujtuan paketat e cigareve që i bleu për  “kontrabandë” në Itali, ku asokohe kishte mungesë e çmim të mirë, për të pasur ndonjë lirë italiane gjatë tregtimit, për të mos u kthyer duarthatë. Por nuk arriti dot që t’i shesë, ngase kjo punë nuk i vinte për dore. Bredhte do rrugëve të thata, me mure të larta, me tela prej gjembash sipër, sakaq deshi të largohet prej aty, ra në duart e një agjenti civil. Ai as që pandehte se mund të ketë të tillë, sepse në vendin e tij kishte frikë prej palce vetëm nga ata me uniformë. Por ky takim me agjentin s’kaloi me pasoja, sepse pas një kontrolli rutine, s’e kuptoi ç’i tha me italishten e tij, por e mori mesazhin e mirë kur ia ktheu cigaret.

Me paratë e cigareve që i ndihmuan në shitje shokët e tij, bleu një mbulesë që s’e kishte parë syri në vendin e tij socialist, më shumë për ta qetësuar nënën pse mori një udhëtim pa leje. Iu kujtuan fotografimet e shumta përpara muzeve që kishin një arkitekturë të rrallë e mjeshtërore prej dekorimesh të stilit barok e rokoko, para platesë së Pallatit të Dukëve, me katër kuaj nga bronzi dhe përplot me pëllumba që hipnin në qafë të njerëzve, në kërkim të drithit që hidhnin përreth tyre. Ishin të paharruara kujtimet nga shëtitja me gondolë, fotot e rralla mbi urat unike të Kanal Grandit, si dhe kalimi emocional prej Pallatit të Dukëve, nëpërmjet një ure të shkurtër, me dritare katrorësh përmbi kanal, ku të burgosurit e gjykuar hidhnin shikimin e fundit me psherëtima, siç përshkruan shkrimtari  Michel Zevaco, në romanin e tij po me këtë emër, ndërsa në prapavijë shihej Ponte degli Scalzi. Qelitë brenda ngjanin më shumë do zgafelleve sesa një burgu, me mure të trashë, anembanë të gërvishtura me shifra datash që kishin lënë gjurmë të burgosurit. Ky  ishte një tmerr prej pamjeje, oshtinin ende lemerisjet e fatkëqijve, me zinxhirë e topa hekuri nëpër këmbë, të cilat kishin mbetur aty si relikte të një kohe të zymtë.

Në të vërtetë, ato piskama që i vinin në vesh si në zhgjëndërr, ishin të fëmijëve të lagjes që loznin do lojëra të çmendura. Kthjelloi paksa mendjen e u kthye sërish në përsiatjet që vinin e shkonin, si udhëtarët e lodhur të ndonjë bujtine pranë rruge. Shpat Sharri, të cilit i ishte ngulur në rradake se çdo qytet duhet të ketë nga një muze, habitej fare se si ishte e mundur që Venecia të kishte aq shumë muze, përplot me piktura njëra më e bukur se tjetra, që shprehnin nivelin e ngritur të kulturës në artin pamor. Të gjithë me padurim pritnin ditën kur do ta vizitonin Bienalen e vitit me eksponate nga arti bashkëkohor, për të nxjerr ndonjë digresion për orientim stili e pune në vendlindje. Aty ishin tubuar eksponatet artistike nga e mbarë bota. Sytë e tij s’kishin parë një gjë të tillë jo vetëm për nga hapësira e madhe ekspozuese e eksterierit, që mund të kalohej e gjitha për disa orë, por edhe për nga rrymimet gati me shfrenim të artit pamor, që kishin tejkaluar edhe Pikason. Mund t’i shihte do piktura të gjalla që lëviznin, do me vija të holla e të trasha, me pika e rrethe, të cilat për të ishin të pakapshme në orientimin e tij artistik. Vërejti do “skelete” hekurishtesh, të cilat autori i quante skulptura, të lidhura me tel e gjemba, në kombinim me do copa dërrasash. Ishin, vaj medet.

Atë ditë, studentët e artit i mblodhën valixhet dhe në një rrugëtim me tren, përplot shpotish rinore, pritnin me ngashërim arritjen në vendlindje. (koha.mk)

Comments are closed.