Duke mohuar çdo mundësi kontinuiteti me fiset ilire, një proces të vonshëm(dyndja e popullsisë në kuadër të Perandorisë Osmane), disa autorë maqedonas e marrin si argument për të “dëshmuar” prezencën “e vonë”, e së këndejmi edhe konotacionin “e nevojshëm” politik se gjithçka që u jepet shqiptarëve, e kanë “boll”, bile tepër, sepse si “ardhacakë” nuk meritojnë më shumë!
Nga Daut DAUTI
Një kapitull i veçantë i historiografisë maqedonase, ose të një pjese të saj, është qëndrimi ndaj elementit shqiptar. Bile, një nga aspektet më absurde, për çka në shumë raste kam shkruar. Duke u përballur me disa autorë diletantë, më është dashur t’u them pa doreza se duhet të merren me historinë e tyre e jo t’ua shkruajnë shqiptarëve gjersa kanë shumë tema të koklavitura të veta për të sqaruar!
SHKENCA NË SHËRBIM TË ETNOCENTRIZMIT
A i ka fajet “gjenetika”, politika, apo shkenca, si ndihmesë në përplasjet politike të kohëve të ndryshme? Teza e kundërteza mund të ketë shumë, por një gjë mund të jetë më se e sigurt: tendenca për shtet etnocentrik, çfarë deshi ta ndërtojë nomenklatura e kohës që në fillime, do të haste në pengesën e interesave të shqiptarëve, të cilët njësoj kërkonin vendin e tyre që meritonin në shtetin e ri të ASNOM-it. Është paradoks historik që një ideologji autoritare, siç ishte ajo komuniste, t’u japë shans popujve të vegjël për çlirim kombëtar nga shtypja në sistemet e kaluara. Këtë shans nga programi politik i PKJ-së, e përqafuan maqedonasit, të cilët për herë të parë fituan shtetin, ndërkaq për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi, maksimumi ishte autonomia politike dhe kulturore. Elementi shqiptar, duke qenë me prezencë të dukshme edhe në Maqedoni, që në fillim u trajtua si rrezik në ndërtimin e shtetit. Një ndër “fushëbetejat” për ta minimizuar rolin e shqiptarëve do të jetë shkenca e historisë, e cila do të ndërtojë qëndrimin duke i marrë disa teza të gatshme nga historiografia serbe. Kështu, qëndrimet negative ose paragjykuese ndaj disa ngjarjeve ose figurave historike për çlirim kombëtar të shqiptarëve, siç është Lidhja e Prizrenit ose kryengritjet shqiptare të fillimshekullit 20-të, do ta mbajnë të njëjtën vulë që ua kishte vënë historiografia serbe. Kështu, gjeneratat që janë shkolluar në sistemin monist, do ta kujtojnë se në librat shkollorë, Lidhja e Prizrenit përmendej sa për sy e faqe. Ajo lidhje ka pretenduar një shtet kombëtar të shqiptarëve dhe serbët e kanë trajtuar që me kohë si kërcënim për pretendimet e tyre po në të njëjtat toka. Por, ku e kanë parë rrezikun maqedonasit? Ekspansioni serb do të jetë ai që do të gllabërojë edhe pjesë të tokave shqiptare, por dhe te ato maqedonase, ndaj s’ka pasur logjikë ta shikosh historinë shqiptare me sytë e atij që t’i ka pushtuar edhe ty tokat tua! Po kjo historiografi ka heshtur ngjarje të cilat i kanë bashkuar dy popujt në raste të caktuara, siç është kryengritja e njohur shqiptare-maqedonase e vitit 1913, kundër rrezikut të përbashkët, pra, kundër pushtuesit serb. Kjo kryengritje është “zbuluar” dhe ka nisur të afirmohet si një ngjarje që ka bashkuar dy lëvizjet kombëtare tek viteve të fundit!
SHQIPTARËT KORREKTË, ATA AROGANTË!
Doemos do të duhet të konstatohet se me të gjitha të zezat e ideologjisë në Shqipëri, shkenca shqiptare ka pranuar si fakt të kryer ekzistimin e popullit maqedonas, duke mos e kontestuar, ndërkohë që grekët dhe bullgarët vazhdonin të mohonin mëvetësinë e tij. Por, ky qëndrim korrekt, sikur nuk ishte borxh moral për shkencën maqedonase, ajo nuk dijti ta çmojë këtë, por vazhdoi me qasjen e mbrapshtë, sidomos në këto dy dekadat e fundit. Kjo më ka shtyrë që në disa raste, në shkrimet e botuara në shtypin maqedonas, të theksoj se është paradoksale që kjo historiografi të merret me historinë e të tjerëve, në vend se të merret me zbrazëtitë e historisë së popullit të tyre, pikërisht ato gjëra që janë kontestuese për fqinjët tjerë.( Porosia dashamirëse që të merren me historinë e popullit të tyre e jo me atë të shqiptarëve, para së gjithash ka të bëjë edhe me disa çështje që prekin “strukturën” kombëtare, pasi në damarët maqedonas rrjedh edhe mjaft gjak shqiptarësh, ai i shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme, ndoshta dhe pak të katolikëve, të cilët janë asimiluar si maqedonas. Shqiptarët e Rekës së Epërme, ndonjë autor i përmendë si “shkretë”, si një vijë origjine maqedonase, e jo si shqiptarë të asimiluar. Në vend se të dëshmosh a janë shqiptarët pasardhës të ilirëve ose a kanë ardhur pas shekullit 17-të, më mirë është të merresh me dokumentet arkivore përse maqedonasit para një shekulli gjithkund paraqiten me tjetër emër etnik…).
Historiografia shqiptare nuk i nguci autorët maqedonas as kur shkuan aq larg sa maqedonasit antikë, që shumëkush i trajton si një fis ilir, t’i shpallin paraardhës të maqedonasve të sotëm…
SHTREMBËRIMET “ENCIKLOPEDIKE”
Skandali me disa teza të paqëndrueshme ndaj shqiptarëve kulmoi me Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Në të ra poshtë gjithë shkenca maqedonase, duke gjetur e shpikur për shqiptarët sajesa përçudnuese që tejkalonte gjithçka të shkruar më parë. Vetëm në një shkencë manipulative që s’bazohet në fakte, por në voluntarizëm subjektiv, mund të shpikte se shqiptarët i paskan quajtur “planinci”, duke e përdoru si etnonim një përcaktor gjeografik siç është “malësor”(këtu edhe si i tillë i përkthyer keq!), për ata që kanë jetuar nëpër vise të larta malore. Origjina ilire, që është tezë dominuese edhe në shkencën botërore, është një nga çështjet prej të cilit autorët maqedonas ikin si djalli prej temjanit! Mbase përcjellin logjikën politike që të mos pranohet ky fakt dhe t’i iket trajtimit të shqiptarëve si popull më i vjetër se maqedonasit. Gjithë kjo, që shqipEtarëve t’iu mohohen e drejta të jenë të barabartë. Si tezë shumë e parapëlqyer dhe me këtë duan të devalvojnë autoktoninë e shqiptarëve, është ajo që shqiptarët në Maqedoni i paraqet si ardhacakë pas shekullit të 17-të. Duke mohuar çdo mundësi kontinuiteti me fiset ilire, një proces të vonshëm(dyndja e popullsisë në kuadër të Perandorisë Osmane) e marrin si argument për të “dëshmuar” prezencën “e vonë”, e së këndejmi edhe konotacionin “e nevojshëm” politik se gjithçka që u jepet shqiptarëve, e kanë “boll”, bile tepër, sepse si “ardhacakë” nuk meritojnë më shumë!
Enciklopedia e AMSHA-s, është një kapitull ironik në vete, pasi “tërheqja” e saj zyrtare nuk e ka penguar shpërndarjen e saj. Hapi tjetër. që përmbajtjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, të shkrihen në bashkëpunim me Akademinë e Shqipërisë, as sot e kësaj dite nuk janë askund. Për më tepër, redaktori i ri, akademiku Mitko Maxhunkov, i cili e trashëgoi Bllazhe Ristovskin, të njohur për animozitetin ndaj shqiptarëve, me disa qëndrime të tij nuk u largua shumë nga fryma e tij. Më e mira e punës do të ishte që akademia shqiptare asaj enciklopedie t’i përgjigjej me një enciklopedi të vetën, por kushedi kur do të ndodhë kjo, ajo më shumë merret me vetveten se me shkencë. Një përgjigje meritore e mori AMSHA nga brenda Maqedonisë, përmes një botimi të redaktuar nga publicisti Nijazi Muhamedi, por botimet e këtilla duhet të përkthehen edhe maqedonisht edhe anglisht, që të arrijnë efektin e tyre.
MOHO E PËRVETËSO!
Është i njohur rasti i njërit prej autorëve më urrejtës, i cili ka shkruar qindra faqe për të dëshmuar se Skënderbeu është maqedonas! Po i njëjti autor, para disa vitesh shpiku teori që nëse do të kishte çmim “Nobël” për marri(budallallëk), pa kurrfarë dyshimi do të meritonte. Ai shpiku një kombësi të re: “gegët”, të cilët i shpalli “komb kriminoegjen” dhe për këtë shkaktoi reagime negative në publik para 12 vitesh. Por ai as u turpërua, as u tërhoq: gjithë ç’kam shkruar e kam të bazuar në fakte, tha! Ne historianët nuk duhet të ikim prej fakteve, sqaronte ai në një intervistë, duke shtuar se “bandat gege”, çdo vjet me thikë e me jataganë paskan prerë prej 5500-7000 maqedonas! Si dhe prej nga e ka faktuar këtë shifër ky autor? Ai thirret në “fakte”! Të vrasësh çdo vjet nga 7000 maqedonas, sot s’do të kishte mbetur asnjë “mohikan”, o mjeran! Anëtarët e Këshillit të Nderit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, që kishin reaguar ndaj qëndrimeve të tij për gjuhën e urrejtjes në një emision televiziv, do t’i quajë “të ndikuar nga “fryma gegoiste”(një sajesë e re nga fjala “gegë”)! Citat nga një intervistë e tij: “Edhe fjalët kontestuese se gegët janë komb kriminogen, nuk është konkluzë e ime autoriale. Këtë e kanë thënë dhe në këtë përfundim kanë ardhur qindra autorë, të cilët e kanë hulumtuar popullatën gege. Bëhet fjalë për punëtorë shkencorë me reputacion të lartë shkencor me famë botërore. Madje edhe Enver Hoxha nuk i ka dashur gegët për shkak të shprehive kaçake dhe hakmarrjes”. Ja, një “ekzemplar” shkencëtari, i cili “shkencërisht” ka shpikur një komb të ri ndër shqiptarët, “kombin gegë”! Dhe përmes një fenomeni, siç është i plaçkitësve në zonat e larta malore në periudha të caktuara, që nuk mund të thuhet se nuk ka ekzistuar, nxjerr konkluzione sikur të ishte hajdutëria projekt politik për të terrorizuar maqedonasit, kur dihet se në ato zona për të cilat flet, më shumë kanë jetuar shqiptarë se maqedonas, pra, i bie që edhe ata të kenë qenë viktima të plaçkitjes së bagëtive, për çka dhe njihet ajo dukuri. Por, çfarë thotë shkenca për popullatën maqedonase në ato kohë? Çfarë emri kanë pasur? Si i nxori ai ata viktima me atë emër? Por, këto janë irelevante, qëllimi është nxirja e shqiptarëve duke nxjerrë shifra të cilat flasin sikur të kishte rënë bombë atomike!(Zbulimi i tij epokal është se kaçakët arnautë-mirditorë-gegë paskan vrarë 1.2-1.4 milionë maqedonas, “krimi më i madh në historinë e civilizimit njerëzor!). (Sa për ilustrim: Pikërisht njëra nga kryeveprat e letërsisë maqedonase, “Serdari”, i Grigor Përçiçevit, që si motiv e ka kaçakërinë, siç ka shkruar Gane Todorovski dhe një studiuese gjermane, heronjtë e poemës origjinale, (ngjarja e rrëfimit vendoset në Rekën e Epërme), kanë qenë shqiptarë, pra, edhe Kuzman Kapidani, edhe vrasësit e tij…)
Përveç Gjergj Kastriotit, të cilin e përvetësojnë si historianët maqedonas, si ata serbë, figura tjetër e radhës që deshën t’ia marrin rrënjët etnike, përkundër deklarimit të vet si shqiptare, është Nënë Tereza, duke e shpallur si vllehe. Nuk patën guxim ta shpallin maqedonase, por nxorën tezën se familja Bojaxhiu paska qenë vllehe. Duke polemizuar me disa qarqe të këtilla, para disa vitesh, u kyç në polemikë një “punëtor shkencor”, i njohur për publikun e gjerë si mbrojtës i maqedonizmës, por më tepër për paraqitjet e tij sharllatane, i cili më nxori “argument” të “fortë” se Nënë Tereza nuk mund të jetë shqiptare, sepse babai i saj quheshka Nikolla! Hajt, shkencë, hajt! Këtij iu desh t’i them publikisht se detyra jote, para së gjithash, është që të merresh me rrënjët tua, pasi emrin e ke serb, mbiemrin bullgar, e gjuhën as kështu, as ashtu. Natyrisht, m’u desh t’i them se shkenca e tij s’është për pesë pare përderisa shërbehet me një argument qesharak si ai për emrin e babait të Nënë Terezës…
NGARKESA NEGATIVE NË LIBRAT SHKOLLORË
Nuk është problemi që ka ose do të ketë autorë të cilët në emër të shkencës do të shpikin gjëra të këtilla e teori jo shkencore për të kaluarën e popullit shqiptar ose që do të shtrembërojnë faktet kur shkruajnë edhe për historinë e popullit të vet. Por çështja bëhet delikate kur librat shkollorë të historisë lëvrijnë nga “kaçakët” e ardhacakë shqiptarë, sikur ata kurrë nuk kanë ditur të luftojnë për kauzë, por vetëm se si të grabisin toka ose prona maqedonase! Punëtorët arsimorë shqiptarë kaherë kanë ngritur zërin për korrigjimin jo vetëm të fakteve të njëanshme, por dhe shpesh edhe të kualifikime të paqëndrueshme. Shumë nga këta libra ende nuk janë tërhequr, vazhdojnë t’i indoktrinojnë gjeneratat e reja.
Përveç autorëve me energji negative, hasen edhe të tillë dashamirës, si Vllado Popovski, i cili shkroi disa libra për lëvizjen kombëtare shqiptare të fundit të shekullit 19-të dhe të shekullit 20-të, i fascinuar nga idealet dhe qëllimet e qarta kombëtare, duke dashur të bëjë një analogji me lëvizjen kombëtare maqedonase, e cila në atë kohë nuk arriti ta artikulojë si duhet programin e vet kombëtar. Por, ky dhe ndonjë autor tjetër (është njëri që polemizoi me një falsifikator të origjinës së Skënderbeut), janë të paktë kundrejt atyre të tjerëve që janë të preokupuar më shumë me origjinën shqiptare se me atë maqedonase!
Mund të them se jam skeptik ndaj mundësisë së harmonizimit të qëndrimeve midis historianëve të vendeve të ndryshme, sepse siç e kam thënë, nuk mund të ndryshohen qasjet që kanë ndaj figurave dhe ngjarjeve të veta historike, por, përderisa ka një marrëveshje të këtillë me Bullgarinë, pse të mos bëhet e njëjta gjë edhe me Shqipërinë. Jo me Shqipërinë, së pari, një harmonizim qëndrimesh midis historianëve maqedonas dhe atyre shqiptarë nga vetë Maqedonia Veriore. (fund)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)