Javë e rëndësishme për Skënderbeun dhe Shkëndijën e Tetovës. Dy skuadrat e vetme shqiptare të mbetura në Europë këtë verë, përballen këtë të enjte me misionin e përmbysjes për të prekur play-offin e Europa League, me emocionet e të dyja ndeshjeve që do të mund t’i përjetoni nëpërmjet ekranit të Supersport, që do të transmetojë këtë të enjte të dyja ndeshjet, Skënderbeu-Mlada Boleslav dhe Shkëndija e Tetovës – Trakai. Për të dyja skuadrat është një moment kulmor, vazhdimi i rrugëtimit europian do të thotë jo vetëm prestigj, por edhe të ardhura të rëndësishme për të ardhmen.
Ishte pikërisht ai kalim në grupet e Europa League që konsolidoi vaazhdimësinë, ndërsa Shkëndija pasi e preku verën e kaluar play offin e kompeticionit për herë të parë në histori, dëshiron që të paktën të përsërisë atë arritje. Misioni është pothuajse i njëjtë, si Skënderbeu ashtu dhe Shkëndijës ju duhet të përmbysin disfatat respektive 2-1 të pësuara në ndeshjet e para. Prova e së vërtetës është këtë të enjte, nis me Shkëndijën që në orën 17.00 nga Strumica do të tentojë të mposhtë lituanezët duke u mbështetur dhe te tifozët e saj, ndërsa pak më pas në orën 20.00
Skënderbeu zbret në Elbasan Arena përballë Mladës duke shpresuar që të shfrytëzojë maksimalisht atë gol të shënuar nga Liridon Latifi në ndeshjen e parë për ti dhënë jetë rrugëtimit Europian. Në Korcë shpresojnë që tifozët të jenë të shumtë edhe në Elbasan, aty ku janë të ftuar jo vetëm fansat e Skënderbeut por edhe të gjithë të tjerët për të mbështetur Skënderbeun në një moment vërtet vendimtar.