Aksionarët e mëdhenj të futbollit anglez do të mbajnë një takim ë premten për të diskutuar opsione për shpëtimin e stinorit, pas shpërthimit të koronavirusit, shkruan agjencia AFP, transmeton Koha.net, përcjellë gazeta KOHA.
Stinori në Premier League është pezulluar së paku deri më 30 prill për shkak të pandemisë, por gjasat që të fillojnë ndeshjet në maj janë shumë të vogla. AFP Sport shikon disa nga skenarët që do të konsiderohen në bisedime:
Zhvillimi i ndeshjeve pa shikues
Një opsion është që klubet të vendosen në një lokacion neutral dhe të luajnë gjithë ndeshjet e mbetura pa shikues, duke u lejuar hyrja vetëm për personelin esencial dhe për transmetuesit.
Po rritet përkrahja në mesin e klubeve për këtë plan, ku nëntë xhirot e mbetura mund të luhen në qershor dhe korrik.
Ndeshjet do të luhen në një apo dy lokacione në Midlands dhe Londër.
Kjo nënkupton se lojtarët dhe trajnerët duhet të vendosën në karantinë larg familjeve në stil si të kampeve të Kupës së Botës për të evituar infektimin, ndërsa stadiumet, hotelet, e infrastruktura stërvitore, do të dezinfektohen vazhdimisht.
Një ndryshim radikal në testime për virus në Britani të Madhe gjatë dy muajve të ardhshëm është çelësi për këtë plan për një numër të arsyeve.
Së pari, për të lehtësuar shqetësimin e lojtarëve për kontraktim të COVID-19 derisa luajnë, por edhe për të evituar kritikat se lojtarët e privilegjuar profesionistë po testohen ndonëse me pak simptome apo pa simptome, derisa kjo mundësi nuk është për publikun e përgjithshëm.
Pritja
Duke marrë parasysh ndikimin e madh që virusi ka në shoqëri në përgjithësi, shihet në disa anë si moralisht jo e përshtatshme që futbolli të kthehet së shpejti.
Në vend se të nxitohet me rikthim, pritja derisa virusi të jetë plotësisht nën kontroll, para se ndeshjet të kthehen, është strategjia e preferuar në këtë skenar.
Me virusin në Britani që pritet të arrijë kulmin në qershor, kjo do të nënkuptonte që sportet mund të mos kthehen deri në gusht apo shtator.
Pritja mund të lejojë që stinori aktual të përfundohet plotësisht, duke siguruar që Premier League të mos paguajë rreth 842 milionë euro te kompanitë televizive për shkelje të kontratës së të drejtave televizive.
Por, do të kishte efekt të madh në stinorin vijues, potencialisht duke ndikuar që stinori 2020-21 të shkurtohet në tentim që të përfundohet më së largu deri në maj për të lejuar hapësirë për zhvillimin e Kampionatit Evropian që është shtyrë për një vit.
Sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane në fundjavë ka thënë se stinori duhet të anulohet nëse nuk përfundohet deri në fund të qershorit.
“Zhvillimi i ndeshjeve në korrik apo gusht dhe shtyrja e stinorit tjetër, nuk shoh tepër përfitim në këtë aspekt. Ndoshta limiti për mua është fundi i qershorit. Nëse stinori nuk kompletohet deri në fund të qershorit, atëherë duhet të shikojmë opsionet dhe të kthejmë sytë nga stinori i ardhshëm”, ka thënë Kane.
Anulimi i stinorit
Në atë që do të ishte skenari më i keq i mundshëm për Premier Leaguen, disa klube duan që stinori të anulohet menjëherë.
Zyrtarë të lartë të klubeve angleze besojnë se nuk ka vend për sport në këtë moment.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Anglisë (FA), Greg Clarke më herët këtë muaj tha se nuk beson se stinori do të kompletohet.
Anulimi i stinorit mund të sjellë padi nga shumë klube, pavarësisht nëse renditja aktuale do të llogaritet apo jo.
Liverpoolit i duhen vetëm dy fitore për t’u konfirmuar kampion i Anglisë për herë të parë që nga viti 1990, pasi ka një epërsi prej 25 pikëve ndaj përcjellësit të parë Manchester Cityt.
Anulimi i stinorit do të shuante gjasat për këtë titull, nëse nuk merret parasysh renditja aktuale.
Manchester United, Wolverhampton, Sheffield United dhe Tottenham, gjitha këto klube jashtë Top 4 aktualisht, po ashtu do të ankohen se i është mohuar mundësia për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Aston Villa do të binte nga liga së bashku me Norwich Cityn dhe Bournemouthin. Por, Bournemouth do të kishte ankesë shtesë pasi ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe me fitore në atë ndeshje do të ngrihej sipër Watfordit.
Në Kategorinë e Dytë të Anglisë, dy klubet e para në renditje Leeds United e West Bromwich Albion do të zemëroheshin nëse ky stinor nuk vazhdohet dhe nuk llogaritet i vlefshëm, pasi do t’u mohohej ngjitja luksoze në elitë.