Skenar i vjetër, target i ri? Privatizimi i Postave të Maqedonisë!

868

Pas vendimit të Qeverisë, shumë njerëz ngritën dyshimin se a ju tërhoq vallë licenca e operimit ESB-së mu në mes të pandemisë vetëm që të përkeqësohet gjendja financiare e Postës që më pastaj të arsyetohet privatizimi i saj. Këtë nuk e dimë me siguri dhe ndoshta nuk do ta dimë asnjëherë nëse nuk ngrihet “perdja e korporatës” së ESB-së. Megjithatë, çfarë dimë janë turmat e mëdha të qytetarëve para bankave që me shumë gjasë kontribuuan në ngritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19, e cila mund të ketë rezultuar me humbje jetë njerëzish

Nga Omer AJDINI

Tërheqja e licencës së operimit të Eurostandard Bankës (ESB) më 12 gusht 2020 dhe një zinxhir ngjarjesh që pasuan – përveç që krijuan një kaos në mes të pandemisë, na e përkujtuan edhe historikun e tmerrshëm e privatizimit të më shumë se 1700 ndërmarrjeve publike që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut, proces i cili shkatërroi ekonominë e vendit, rriti papunësinë e pabarazinë duke pasuruar dhe forcuar oligarkët e afërt me politikanët e atëhershëm (kryesisht të LSDM-së).

ESB ishte partneri i Ndërmarrjes Publike “Posta e Maqedonisë”, i cili i mundësonte Postës kryerjen e shumë shërbimeve financiare dhe shërbime të qarkullimit pagesore, si për shembull pagesat e faturave për energji elektrike, pagesat e pensioneve, pagesat e ndihmave sociale, etj. Heqja e licencës së operimit dhe hapja e procedurave të falimentimit (që sipas Bankës Qendrore, u bënë sepse “ESB nuk respektonte kërkesat minimale për funksionim të një banke”) përveçse krijoi kaos para bankave, shkaktoi edhe humbje të mëdha për Postën. Në një konferencë për media, më 13 gusht, drejtori i atëhershëm Ejup Rustemi deklaroi që Posta do të humbiste përafërsisht 110 milionë denarë nga shërbimet që nuk do të mundë t’i kryente më (apo 19.4% nga totali i të ardhurave të realizuara të Postës në gjashtëmujorin e parë të 2020-tës)”. Pra, më pak shërbime dhe më shumë humbje për Postën, me çka edhe vijon ajo që sipas skenarit të vjetër të privatizimit, duhej të ndodhte: më 14 shator 2020, Qeveria e RMV kishte sjellur vendim që të hapeshin dyert e privatizimit të postës, e këtij procesi do t’i paraprijë një “feasibility study” deri në fund të vitit me çka do të konstatohet forma dhe mënyra e arritjes së atij qëllimi. E pritshme, apo jo?!

Paradoksale në këtë rast mbetet deklarata e zv.kryeministrit për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, i cili duke qenë përfaqësues i një partie të majtë (LSDM-së), në një konferencë për media më 15 shtator çuditërisht tingëllonte sikur një neoliberal i përbetuar duke thënë se “shteti nuk është treguar menaxhues i mirë i kompanive publike” dhe prandaj – privatizimi do të ishte zgjidhja. Një qeveri e majtë do të duhej ta thoshte dhe dëshmonte të kundërtën, mirëpo siç duket në rastin e Postës, para ideologjisë vjen diçka tjetër. Pak besim kam që është interesi i qytetarëve!

Dikujt, privatizimi ndoshta mund t’i duket zgjidhja për humbjet masive të postës, megjithatë pyetja që duhet ta bëjmë është, përse vallë ndodhën këto humbje masive?! Posta ka pakashumë monopol mbi një pjesë të shërbimeve që ka ofruar, dhe pyetja e parë logjike që duhet të parashtrohet është se, si vallë mund të shpjegohet humbja vjetore e miliona eurove nga një ndërmarrje, e cila kërkesën për shërbimet e saja i ka të mëdha, të sigurta dhe stabile?! Përse vallë sektori privat do ta blinte Postën nëse fitimi nga Posta do të ishte i pamundur ashtu siç dëshiron të na bindë kjo Qeveri?!

Posta e Maqedonisë gjeneron diku 18 milionë euro të hyra vjetore dhe përsëri shënon humbje vjetore miliona euro. Punëtorët e Postës vazhdimisht ankohen për paga të ulëta dhe se pagat e tyre nuk janë rritur me dekada të tëra, megjithatë për vitin 2018 – shpenzimet për paga ishin mbi 900 milionë denarë, dhe nëse e njëjta shumë pjesëtohet me numrin e të punësuarve që ka Posta (860, sipas Ejup Rustemit) atëherë i bie që çdo punëtor të ketë pagë vjetore prej 17 mijë eurosh. E pagë prej 17 mijë eurosh punëtorët mesatar të Postës as në ëndërr s’i kanë parë! Ky absurditet mund të shpjegohet vetëm me pagat marramendëse që mund t’i kenë menaxhmenti i Postës ose me numër masiv të të punësuarve, të cilët mund të jenë të punësuar për të mbledhur vota dhe që Ejup Rustemi nuk i deklaroi publikisht. Sidoqoftë e vërteta, një dreq i madh fshihet aty e ai mund ta shpjegojë një pjesë të humbjeve!

Pyetja e dytë logjike që të vjen në mendje kur dëgjon Fatmir Bytyqin duke deklaruar që “shteti nuk është treguar menaxhues i mirë i ndërmarrjeve publike” është se, kush vallë është shteti në rastin e Postës dhe sa kanë qenë efikas dhe profesionist menaxhmenti i deritanishëm i Postës? Përgjigja është e lehtë: Menaxhmenti i Postës janë kryesisht njerëz të emëruar politikisht nga partitë politike në pushtet, ndërsa profesionalizmi i tyre është i kufizuar. Për shembull, drejtor gjeneral i deritanishëm i Postës ka qenë Ejup Rustemi, i cili për herë të parë u emërua drejtor në vitin 2008 pa asnjë ditë eksperiencë në Postë dhe vetëm me një vit eksperiencë menaxheriale në ndërmarrje publike. I njëjti njeri (me ndërprerje) udhëhoqi Postën deri në vitin 2020 dhe rezultati i udhëheqjes së tij në vitin 2018, për shembull, ishte 2.7 milion euro humbje për Postën, edhepse të hyrat për vitin 2018 ishin mbi 18 milion euro. Pra, “shteti”, në këtë rast vërtetë qenka treguar menaxhues i keq, mirëpo në vend që të thoshte “shteti”, ndoshta Fatmir Bytyqi duhej ta thoshte me emër dhe mbiemër se kush ishte konkretisht “shteti” që keqmenaxhoi, i.e. Ejup Rustemi dhe partia që e emëroi atë (i cili siç duket do të emërohet drejtor përsëri!).

A MUND TË BËHEJ NDRYSHE?

Pas vendimit të Qeverisë, shumë njerëz ngritën dyshimin se a ju tërhoq vallë licenca e operimit ESB-së mu në mes të pandemisë vetëm që të përkeqësohet gjendja financiare e Postës që më pastaj të arsyetohet privatizimi i saj. Këtë nuk e dimë me siguri dhe ndoshta nuk do ta dimë asnjëherë nëse nuk ngrihet “perdja e korporatës” së ESB-së. Megjithatë, çfarë dimë janë turmat e mëdha të qytetarëve para bankave që me shumë gjasë kontribuuan në ngritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19, e cila mund të ketë rezultuar me humbje jetë njerëzish, ndërsa depozitat që u kompensuan nga Agjencia për Sigurim të Depozitave, arritën shumën e diku 4.4 miliard denarë, një shumë e cila ndoshta do të kishte zgjidhur problemet e Eurostandard Bankës dhe do të kishte mundësuar funksionim e saj të paktën gjatë kësaj periudhe krize. Fundja “bail outs” për bankat në kohë emergjencash dhe interesi nacional nuk do të ishte diçka e re që do të kishim bërë ne. Një qeveri e përgjegjshme në kohë pandemie dhe krize ekonomike sinqerisht do të kishte menduar më seriozisht për këtë. Mirëpo, ne nuk e kemi atë fat!

ÇFARË DUHET BËRË?

Është disi e çuditshme që Qeveria qe aq e gatshme të mblidhet dhe të marrë vendim për të bërë “feasibility study” për privatizimin e Postës përderisa asnjëherë nuk i ka marrë me aq seriozitet humbjet multimilionëshe vjetore që ka pasur Posta ose ndërmarrjet tjera publike gjatë këtyre viteve. Prandaj, ndoshta në vend të studimit të fizibilitetit, kjo Qeveri duhej të kishte thirrur një proces të pavarur të revizionit me auditorë nga Bashkimi Europian, të cilët do të duhej të përcaktonin arsyet e humbjeve të mëdha që kishte Posta dhe të sugjeronin se si të ndryshohej kjo gjendje. E dyta, nëse vërtetë kjo qeveri do të ishte e interesuar mbi humbjet e Postës, atëherë do të duhej të ishte e gatshme për ristrukturim të mirëfilltë të Postës dhe të krijonte mekanizma të emërimit të menaxhmentit, të cilat do ta minimizonin ndikimin partiak dhe parandalonin emërimin e njerëzve jokompetentë. Mirëpo, kjo kërkon vullnet të mirë politik dhe atë vështirë se mund ta gjesh në këtë Qeveri.

Megjithatë, edhe nëse Posta paevitueshëm do të duhet të privatizohet, ky privatizim assesi nuk do të duhet të ndodhë pa marrë përgjegjësi politike bile edhe penale dikush për ato humbje miliona euro që Posta i ka shënuar. Së dyti, privatizimi assesi nuk duhet të bëhet nga këto njerëz që janë në këtë qeveri dhe pa monitorues nga BE, sepse janë pikërisht këta njerëz të cilët janë aktorët kryesorë të keqmenaxhimit të Postës dhe të rasteve të korrupsionit, ku dyshohen se kanë marrë para për të mbrojtur kompanitë e huaja nga kompeticioni (p.sh. “Magyar Telekom”, etj.). Së treti, presioni dhe shqyrtimi publik do të duhet të jetë në nivel për të parandaluar një përsëritje të një procesi të egër të privatizimit dhe për të siguruar mekanizma kontrolli për çmimet pas privatizimit (që të parandalohet një EVN-KRRE 2.0), por edhe për sigurinë e punëtorëve aktual të postës, një pjesë e madhe e të cilëve edhe mund të bëhen kurban të këtij procesi.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA. Njëherësh, është edhe kryetar i Forumit Rinor i partisë Aleanca për Shqiptarët)