Miliona persona në mbarë botën mund të kurohen nga shtypja e lartë e gjakut falë një skanimi të ri revolucionar, shkruan “The Sun”. Skaneri i ri zbulon brenda pak minutave nyjat që shkaktojnë hipertension e që gjenden në gjëndrat e miliona njerëzve me këtë sëmundje. Një e treta e britanikëve kanë sëmundjen që u rrezikon jetën, pasi mund të çojë në sulme në zemër, dështim të veshkave apo demencë. Dhe një numër i caktuar i tyre e ka hipertensionin vetëm për shkak të nyjave në gjëndrat mbiveshkore të cilat prodhojnë sasi të tepërt të hormonit “aldosteron”.
Hormoni bën që trupi të mbajë kripën e cila nxit presionin e gjakut. Pacientët që kanë sasi të madhe të aldosteronit në trupin e tyre mund ta heqin në mënyrë të sigurt një gjëndër mbiveshkore.
Ekspertët në Britani të Madhe shpresojnë se skaneri i ri mund të ndihmojë të diagnostikohet dhe të shërohen më shumë njerëz nga kjo sëmundje e rrezikshme. “Këto nyje janë shumë të vogla dhe lehtësisht anashkalohen në një skanim të rregullt CT. Kur ato shkëlqejnë për disa minuta pas injektimit tonë, zbulohen si shkaku i dukshëm i hipertensionit, e kjo shpesh mund të kurohet”, ka thënë profesori Morris Brown nga Universiteti Queen Mary në Londër. Hulumtimi i këtij skanimi u botua në revistën “Nature Medicine”.