Qefser ABDYLI
Shkup, 13 prill – Zonja Sevdije Qaili jeton e vetme me tre fëmijët e saj në një banesë në lagjen Çair. Tash e disa muaj ajo ndodhet në gjendje shumë të vështirë ekonomike, pa dihmë nga askush, përveç parave që i merr për vajzën e tretë. Përveç nevojave të përditshme, asaj i duhet të paguaj edhe qiranë mujore të banesës, shkruan gazeta KOHA. “Jetojë vetëm me vajzat, njëra është tetë vjeç, tjetra katër dhe më e vogla një vjet e gjysmë”, tregon ajo. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, bashkëshorti të saj i është dashur të dalë tub punojë jashtë shtetit. Mirëpo, atje është arrestuar pasi është kapur nga policia gjermane duke punuar në të zezë, tregon zonja Sevdije.
“Burri shkoi për të punuar në Gjermani, e zunë duke punuar në të zezë dhe tash është i burgosur atje. Njëherë e kanë dënuar 5 muaj, por duhet të dalë përsëri para gjykatës dhe të shohim se a do e lirojnë apo do e dënojnë ende”, thotë ajo. Në gjithë këtë gjendje të rëndë asaj i duhet të paguaj edhe qiranë mujore prej 150 eurove për banesën.
“Për momentin e kemi shumë keq gjendjen, sepse po duhet të paguajmë qira, qiranë e paguajmë 150 euro. Ka dy muaj që s’e kam paguar… Të jetë vetëm qiraja, por shtëpia ka edhe obligime tjera, duhet të hamë, të vishemi, rryma…”, thotë Sevdije Qaili. Ajo thekson se pronari i banesës u ka dhënë afat një javë të paguajnë qiranë dhe nëse nuk e paguajnë, atëherë do t’i largojë prej aty. “Pronari na tha që i kam vetëm një javë kohë për të paguar qiranë, nëse brenda kësaj kohe s’e paguaj, atëherë do të na nxjerrë prej këtu. Nëse na nxjerr ku do të shkojë? Më herët kemi jetuar në Butel në shtëpinë tonë, por familja e burrit na larguan prej aty shkaku i disa problemeve, por deshi fati dhe burri hyri në një punë dhe e gjetëm këtë banesë. Sa ishte burri këtu e paguanim qiranë, por tash ai nuk është këtu dhe gjendja jonë është shumë e keqe, frikohem se do të na largojnë…”, tregon me lot zonja Sevdije Qaili.
Për ushqim në dy-tre muaj i ndihmon shoqata humanitare “Kalliri i Mirësisë”, kurse të ndihma tjera nuk ka. Ajo bënë apel deri tek të gjithë ata që kanë mundësi, t’i ndihmojnë sadopak të paguaj qiranë për këto dy muaj që i kanë ngelur, sepse rrezikon që të largohet prej banese. “I kisha lutur krejt ata që kanë mundësi të më ndihmojnë me para që ta paguaj qiranë, sepse do të më largojnë nëse nuk e paguaj. Me vajzat e vogla ku të shkojë? Kemi nevojë edhe për ushqim, sepse fëmijët janë të vegjël dhe çfarë nuk ju kujtohet të kërkojnë. Bëj apel kush ka mundësi të më ndihmojë, sepse vërtet e kemi gjendjen e rëndë”, thotë ndër tjera Sevdije Qaili. Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë familjen e Sevdije Qailit mundë të kontaktojnë në këtë numër telefoni: +389 78 341 993.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara