Skandaloze nëse nuk hapen negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë

1

Nëse tash e tetë vjet ka ekzistuar vetëm një kusht, të cilin Maqedonia nuk e kishte përmbushur për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE, ai për zgjidhjen e çështjes së emrit do të ishte skandaloz sikur tash BE-ja të mos merrte vendimin javën që vjen për të nisur negociatat. Në këtë mënyrë BE-ja do të ndihmojë forcat që duan destabilizimin e Maqedonisë dhe rajonit. Por BE-ja ka befasuar aq shpesh duke ngurruar të marrë vendime të nevojshme saqë mund të ndodhë një gjë e tillë përsëri

 

Nga Augustin PALOKAJ

Në procesin e zgjerimit të BE-së tash e sa vjet dëgjohet se parimi i Bashkimit Evropian është qasja “strikt dhe fer”. Me këtë mendohet se BE-ja do të insistojë në mënyrë strikte që të gjitha kriteret dhe kushtet e kërkuara të përmbushen, por edhe se kur vendet kandidate të përmbushin këto kushte, atëherë BE-ja do të jetë korrekte dhe do të lëvizë duke përmbushur premtimet e saja.

Por tash duket se pjesa strikte në qasje ka mbetur, ndërsa ajo fer është zbehur. Në rastin e Kosovës kemi parë se BE-ja nuk ka qenë fer në procesin e liberalizimit të vizave. Ka bërë çmos që Kosova të ketë kushte më të vështira sesa vendet e tjera, dhe kur Kosova i është afruar përmbushjes së kushteve, ka zvarritur procesin duke u bazuar në nevojën që të bëhen verifikime të reja. Për shembull, kemi edhe ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për të cilën ishte krijuar përshtypja se është kushti i fundit që Kosovës t’i hiqen vizat. Por tashmë kanë kaluar tre muaj qëkur kjo u bë dhe BE-ja nuk ka lëvizur fare në përmbushjen e premtimeve të saja. Dhe në këtë mënyrë është bërë pothuajse e pamundur që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë para fundit të këtij viti, ndërsa edhe fillimi i vitit që vjen po bëhet gjithnjë e më pak i besueshëm, nëse BE-ja vazhdon me sjelljen e tillë.

Tash sfidë mund të jetë edhe vendimi i Këshillit Evropian për të nisur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, dy vende kandidate të cilat, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, i kanë përmbushur kushtet dhe Komisioni, si institucion i BE-së që ka kompetenca për të vlerësuar përmbushjen e kritereve, ka rekomanduar nisjen e negociatave. Por duket se ende nuk ka pajtim të plotë mes shteteve anëtare të BE-së që kjo të ndodhë. Konsultimet në grupet punuese të Këshillit të BE-së ku përfaqësohen shtetet anëtare janë në vazhdim e sipër dhe deri në momentin e fundit nuk do të dihet nëse ka apo jo konsensus të plotë që të vendoset për nisjen e negociatave me Maqedoninë. Për Shqipërinë tashmë duket se nuk ekziston konsensus, por në rast se vendoset për Maqedoninë, atëherë do të mundë të përfitonte edhe Shqipëria nga kjo atmosferë pozitive. Në këtë moment ndër shtetet që nuk janë të gatshme për një vendim pozitiv për Shqipërinë janë Franca, Holanda dhe Danimarka, ndërkohë që Belgjika, Luksemburgu dhe Gjermania nuk shprehen kundër, por janë skeptike.

Presidenca Bullgare e BE-së ka përgatitur draftin e konkluzioneve që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së në nivel të ministrave. Në to kanë propozuar që të vendoset për të nisur negociatat e anëtarësimit edhe me Maqedoninë, edhe me Shqipërinë, me kusht që një gjë e tillë tri ditë më vonë të konfirmohet edhe nga shefat e shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel. Por edhe pse një formulim i tillë i konkluzioneve është draftuar, kjo nuk do të thotë se do të ndodhë. Deri në momentin e fundit do të vazhdojë beteja.

Nëse tash e tetë vjet ka ekzistuar vetëm një kusht të cilin Maqedonia nuk e kishte përmbushur për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE, ai për zgjidhjen e çështjes së emrit, do të ishte skandaloze sikur tash BE-ja të mos marrë vendimin javën që vjen për të nisur negociatat. Në këtë mënyrë BE-ja do të ndihmojë forcat që duan destabilizimin e Maqedonisë dhe rajonit. Por BE-ja ka befasuar aq shpesh duke ngurruar të marrë vendime të nevojshme saqë mund të ndodhë një gjë e tillë përsëri.

Maqedonia në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe në fillim të këtij shekulli ka qenë shumë para shteteve tjera të rajonit. Madje ka qenë edhe para Kroacisë. Tash Kroacia është anëtare e plotë e BE-së për 5 vjet, Mali i Zi është duke negociuar anëtarësimin dhe po ashtu edhe Serbia. Maqedonia ka ngecur më së shumti për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit për çfarë ka problem me Greqinë, e cila bllokon vendimin në Këshill. E njëjta gjë ndodh edhe rreth anëtarësimit në NATO. Kjo ka ndikuar që edhe brenda në Maqedoni gjërat të shkojnë mbrapsht dhe në këtë shtet të ketë ecje prapa në disa çështje. Ka pasur edhe acarime të raporteve ndëretnike.

Edhe tash, pas zgjedhjeve të fundit, Maqedonia ka nisur të ecë përsëri në rrugën e duhur. Më në fund, pas shumë vjetësh, është arritur edhe pajtimi për çështjen e emrit sipas së cilit shteti do të quhet Republika Veriore e Maqedonisë. Kjo është një zgjidhje kompromisi, që nuk kënaq në tërësi asnjërën palë. Por alternativa do të ishte që të dyja shtetet të mbeten në pozitat e tyre pa lëvizur e Maqedonia do ta paguante çmimin pasi që për Greqinë nuk do të kishte pasoja. Nuk ka dyshim se BE-ja ka të drejtë kur thotë se zgjidhja e mospajtimeve mes shteteve të rajonit duhet të jetë kusht për lëvizjen drejt BE-së, por nëse dëshiron që vërtet mesazhet e tilla të kuptohen pozitivisht, atëherë edhe BE-ja duhet të lëvizë.

Tash ekziston pritja që NATO-ja pas një muaji në Samitin e Brukselit të rikonfirmojë thirrjen për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Një ftesë e tillë me kusht i ishte dhënë që në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, por ky premtim nuk u realizua për shkak të problemit me Greqinë rreth emrit. Tash NATO-ja do të mundë të përmbyllte këtë dhe ta anëtarësojë Maqedoninë si vendin e 30-të anëtar. Me këtë NATO-ja do t’ia bëjë një shërbim të madh stabilitetit të rajonit, sidomos në kohën kur edhe në Maqedoni Rusia tenton të rrisë ndikimin e vet dhe të inkurajojë forcat që janë antiperëndimore. E mungesa e thirrjes për NATO dhe mungesa e vendimit për nisjen e negociatave me BE-në do të shkonte në shërbim të këtyre forcave po ashtu. Prandaj BE-ja ka një javë për të evituar një gabim të tillë përndryshe do ta rrezikojë edhe zbatimin e marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës. (koha.net)

Comments are closed.