Shkup, 25 maj – Bëhet e “gjallë” Ministria e Punëve të Jashtme, pas publikimit të lajmit se, këshilltari i ambasadës serbe në Shkup, Goran Zhivaljeviq, njëherësh oficer i Agjencisë serbe të kundërzbulimit (BIA), natën e 27 prillit ka qenë brenda Parlamentit të Maqedonisë. Mëgjithëse në pyetjen e gazetës KOHA dhe televizionit Telma nëse, pas skandalit diplomatik që ka shkaktuar këshilltari i ambasadës serbe, MPJ do të shpall person non-grata Zhivaljeviqin dhe të njëjtin ta dëbojë nga Maqedonia, kabineti i ministrit Nikolla Popovski ka thyer heshtjen. MPJ, në përgjigjen dërguar gazetës KOHA thotë se ka ftuar në bisedë ambasadoren e Serbisë në Shkup, Dushanka Divjak-Tomiç, por se takimi akoma nuk është realizuar. “Pasi të realizohet takimi dhe nga biseda me ambasadoren për të qartësuar praninë eventuale të këshilltarit të ambasadës, MPJ do të veprojë konform Konventës së Vjenës për diplomaci”, thuhet në përgjigjen drejtuar gazetës KOHA. (V.M)