Facebook ka thënë se të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve të vet u ndanë në mënyrë të paligjshme me konsulencën politike “Cambridge Analytica”, shumë më tepër se sa është zbuluar më parë, raporton BBC. Christopher Wylie, ish-drejtor i hulumtimeve në “Cambridge Analytica”, më parë kishte deklaruar se shifra e përgjithshme shkon deri në 50 milionë përdorues.
BBC gjithashtu raporton se Facebooku tani vlerëson se rreth 305 mijë persona kanë instaluar kuisin “This Is Your Digital Life”, që e ka bërë të mundur grumbullim e këtyre të dhënave. Shifra e sugjeruar më parë ishte 270 mijë. Rreth 97 për qind e instalimeve kanë përfshirë SHBA-në, megjithatë mbi 16 milionë të përdoruesve të prekur janë nga vendet e tjera.
Një zëdhënëse nga Zyra e Komisionerit të Informacionit në Britani të Madhe ka thënë për BBC se, “po vazhdohet të bëhen vlerësimet dhe të shqyrtohen provat përpara se të vendoset se çfarë hapash do të ndërmerren”.