Ndryshimet lidhen edhe me skandalin e ndodhur me Programin e vitit 2018, parregullsive të konstatuara në disa komisione të kulturës në përzgjedhjen e projekteve fituese, shumave të akorduara në favor dhe disfavor të individëve dhe operatorëve të ndryshëm të kulturës
Evis HALILI
Shkup, 25 tetor – Emra të rinj do të ulen në komisionet e kulturës që do të merren me shqyrtimin e projekteve për Programin me interes nacional të kulturës për vitin 2019. Ndryshimet janë të pritshme në të shtatë komisionet, atë të Arteve vizuale, arkitekturë dhe dizajn; Folklor muzikë dhe aktivitet skenik-muzikor; Dramë; Literaturë dhe veprimtari botuese; Projektet interdisiplinare; Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe Veprimtaria ndërkombëtare, shkruan gazeta KOHA.
Nga Ministria e Kulturës nuk japin informacione lidhur me lëvizjet që priten të pasojnë dhe cilat janë kriteret që do të përcaktojnë anëtarët. Nga ky institucion kanë paralajmëruar më parë ndryshimet sa i takon konkursit vjetor, ndryshimit të disa kritereve të konkurrimit, por edhe funksionimit të komisioneve dhe shqyrtimit të projekteve. Ndryshimet, po ashtu lidhen edhe me skandalin e ndodhur me Programin e vitit 2018, parregullsive të konstatuara në disa komisione të kulturës në përzgjedhjen e projekteve fituese, shumave të akorduara në favor dhe disfavor të individëve dhe operatorëve të ndryshëm të kulturës.
Vitin e kaluar në suaza të riformatimit të institucionit, u ndryshuan anëtarët e tyre, me përjashtime të vogla tek pjesa shqiptare ku pati vetëm lëvizje anëtarësh nga një komision në tjetrin. Emrat e përzgjedhur u promovuan si
individë të njohur për kredibilitetin dhe kontributin e tyre artistik dhe për herë të parë u publikuan së bashku me konkursin vjetor. Sa i takon anëtarëve shqiptarë të komisioneve, edhe pse duhet të marrin pëlqimin e ministrit të Kulturës, emrat do të zgjidhen në marrëveshje mes dy partive që bashkëqeverisin Ministrinë e Kulturës – BDI dhe Besa.
Një tjetër risi është se hapja e zarfeve të aplikimit do të bëhet jo nëpër sektorë, siç bëhej më parë, por do të kryhet nga komisioni dhe në prezencë të të gjithë anëtarëve. Mandati i anëtarëve të komisioneve zgjat dy vjet, por viteve të kaluara një pjesë prej tyre kanë qëndruar për disa vjet me radhë pa lëvizur posti, duke e vazhduar disa herë mandatin dy vjeçar, sidomos tek pjesa shqiptare. (koha.mk)