Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Margaret Chan, udhëtoi për në Guineja në fillim të këtij muaji për t’iu bashkuar presidentit të vendit për të festuar vaksinën e parë botërore të Ebolës. Pasi që i lavdëroi punëtorët shëndetësorë në Afrikën Perëndimore për fitore ndaj virusit vrasës, Chan e kaloi natën në suitën e cilësisë më të lartë presidenciale në hotelin buzë plazhit, Palm Camayenne. Suita, e pajisur me dhoma të banjës prej mermeri dhe me një dhomë të ngrënies për tetë persona, ka një çmim prej 900 euro natën, transmeton Express. Disa thonë se akomodime kaq komode i dërgojnë një mesazh të gabuar pjesës tjetër të stafit të OBSH-së, i cili numëron plot 700 punëtorë. Sipas disa dokumenteve të brendshme të OBSH-së, të siguruara nga AP-ja, agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara në mënyrë rutinore ka shpenzuar rreth 200 milionë dollarë në vit për shpenzime të udhëtimit, më shumë se shuma e përgjithshme e fondeve që i ndan për t’i luftuar disa nga problemet më të mëdha në shëndetin publik, përfshirë AIDS, tuberkulozin dhe malaria-n së bashku. Vitin e kaluar, OBSH harxhoi 71 milionë dollarë për AIDS dhe hepatitin. Për malarian ndau 61 milionë dollarë. Ndërsa për ta ndalur shpërndarjen e tuberkulozit, OBSH investoi 59 milionë dollarë.