Një skandal i rëndë falsifikimesh ka plasur në futbollin austriak, teksa klubi ku mbylli karrierën Hamdi Salihi, Viener Nojshtad, është zbritur në kategorinë e tretë. Ky klub është dënuar nga Federata Austriake, pasi falsifikoi dokumentat për regjistrimin në kampionat.
Viener Nojshtad nuk i paguante prej muajit nëntor futbollistët dhe stafin teknik, por presidentja Putzenlehner, kishte arritur t’i bindte që të mos e bënin publike këtë gjë, për të mos rrezikuar licencën e regjistrimit për sezonin pasardhës.
Stafi dhe një përfaqësues i lojtarëve, që në mediat austriake raportohet se ishte Hamdi Salihi, firmosën dokumentin, duke fshehur të vërtetën edhe pse klubi ishte në krizë të thellë ekonomike.
Licencimi për sezonin e ardhshëm do t’i siguronte Nojshtadit një bonus prej 200 mijë euro. Por një hetim i hollësishëm i federatës austriake zbuloi gjithçka, duke nxjerrë në pah mashtrimin, teksa u zbulua se klubi austriak ishte zhytyr plot 250 mijë euro borxh.
Si pasojë e kësaj, Nojshtad u zbrit në kategorinë e tretë, ndërkohë që presidentja u dënua me 12 muaj pezullim, menaxheri Spritzendorfer me 9 muaj ndërsa drejtorët Kogelbauer dhe Puçeger me 6 muaj.
Ndëshkimit nuk i shpëtoi as ish-futbollisti shkodran, Hamdi Salihi, i cili aktualisht mban rolin e zv.trajnerit në ekipin Kombëtar të Shqipërisë. Shkodrani u dënua me një gjobë prej 2 mijë euro për përfshirje në këtë çështje.
Pas pensionimit nga futbolli, Salihi deklaroi se do të vazhdonte të ishte pjesë e stafit të Viener Nojshtad, por pas kësaj situate, gjërat duken të komplikuar, teksa shkodranit i duhet të kërkojë për një post drejtues diku tjetër.