Shkup, 21 mars – Deri sot në mesnatë përfundon afati deri kur kandidatët për president të shtetit duhet t’i dorëzojnë kandidaturat në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Kandidaturën tashmë e ka shtruar Blerim Reka, kandidat i opozitës shqiptare ndërsa pritet këtë ta bëjnë edhe Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së dhe koalicionit dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.
Për zyrtarizimin e kandidaturës presidenciale është e nevojshme kandidatët t’i dorëzojnë 10.000 nënshkrime të qytetarëve apo 30 nënshkrime të deputetëve me ç’rast KSHZ duhet në afat prej 48 orësh prej dorëzimit, ta konfirmojë kandidaturën. Nëse ka parregullsi, e njëjta kthehet, me çka në afat prej 48 orësh duhet të hiqen parregullsitë.
Fushata për president të shtetit fillon më 1 prill dhe do të zgjasë deri më 19 prill me çka pason heshtja zgjedhore. Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale është caktuar për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj.
Sipas cilit numër rendor do të jenë kandidatët, KSHZ do ta përcaktojë më 25 mars me anë të shortit.
Raund të dytë të votimit do të ketë nëse asnjë kandidat për president nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave dhe atëherë votuesit do të zgjedhin midis dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota. Fushata për raundin e dytë përfundon në orën 24:00 më 3 maj, ndërsa votimi mbahet më 5 maj. Fitues i zgjedhjeve është njëri prej dy kandidatëve i cili në raundin e dytë i fiton më shumë vota, por me kusht që të realizohet censusi gjegjësisht nëse kanë votuar mbi 40 për qind e votuesve të zgjedhur. Nëse edhe në raundin e dytë të votimit asnjëri prej kandidatëve për president nuk e merr shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e gjithë procedura zgjedhore. (koha.mk)