Shkup, 31 dhjetor – Skadon afati i fundit në të cilin qytetarët duhet të regjistrohen në sistemin për paraqitje elektronike tatimore në Drejtorinë për të Ardhura Publike. Qytetarët të cilët deri më tani nuk e kanë bërë këtë, mund ta bëjnë edhe sot.
Zyrat e DAP-it, siç informojnë prej atje, do të jenë të hapura edhe sot nga ora 07:30 deri në orën 16:30. Për qasje më të madhe të qytetarëve, DAP-i kishte hapur edhe zyra në komunat Aerodrom, Gjorçe Petrov, Gazi Babë dhe Kisella Vodë të cilët punonin deri të premten, përderisa sporteli tatimor në komunën e Çairit do të punojë dhe do të pranojë kërkesa.
Në sistemin elektronik duhet të regjistrohen të gjithë personat fizikë të cilët kanë realizuar të ardhura si paga, regres për pushim vjetor, të ardhura nga qiraja, nga shpërblime për lojëra të fatit, nga jashtë vendit dhe të ardhura të tjera të cilat i nënshtrohen tatimimit me tatimin personal të të ardhurave, për shkak të pranimit të Fletëparaqitjes vjetore për tatime (TAP-FVT) nga DAP-i si dhe për vërtetimin ose korrigjimin e të dhënave për të ardhurat dhe tatimin personal të paguar. Nuk kanë për obligim të regjistrohen pensionistët të cilët pranojnë vetëm pension.
Me reformën e paraparë nga 1 janari i vitit 2019, Drejtoria për të Ardhura Publike do të jetë servis i qytetarëve dhe do të përgatisë Fletëparaqitje vjetore tatimore për të gjithë qytetarët – persona fizikë të cilët kanë realizuar të ardhura deri te qytetarët për konfirmim ose korrigjim.