Afati për formimin e qeverisë së re skadon sot në mesnatë pasi që më datën 9 të këtij muaji presidenti Gjorge Ivanov ia ndau mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht partisë e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi më shumë vota. Bashkimi Demokratik për Integrim pritet sot të marrë vendim përfundimtar nëse do të participojë në pushtetin ekzekutiv. Kryesia e partisë mbrëmë deri vonë në mbledhje në Reçicë të Vogël i ka shqyrtuar pesë opsionet – koalicionim me VMRO-DPMNE-në, me LSDM-në apo koalicion të gjerë, të shkohet në opozitë apo zgjedhje të reja. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani mbrëmë vonë paralajmëroi se mbëedhja e Kryesisë do të vazhdojë sot. “Ende nuk janë shterur të gjitha argumentet lidhur me opsionet të cilat tl ka vendosur BDI në tryezë. Konsultimet vazhdojnë. Ngadalë të gjitha argumentet reduktohen në konfirmimin e platformës së BDI-së dhe kushtet të cilat janë vendosur ashtu që do të presim reagim nga partitë politike lidhur me këto kushte që BDI i ka vendosur. Platforma e BDI-së është inkorporuar në deklaratën gjithshqiptare”, deklaroi Osmani. Deklaratë të shkurtër dha edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i cili theksoi se analizohen të gjitha opsionet me qëllim që të merret vendim më i mirë në dobi të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. “Nuk kam përgjigje me cilin do të jemi në koalicion. I analizojmë të gjitha opsionet për vendim më të mirë në dobi të shqiptarëve dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim nëse janë shqiptarë, maqedonas, serbë, romë apo vllehë. Diskutojmë për të gjitha opsionet”, theksoi Ahmeti.