Partitë nga blloku politik shqiptar janë duke pritur për marrëveshjen mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, megjithëse BDI publikisht u deklarua për zgjedhje të shpejta, varësisht nga gjendja me Kovid-19, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë për zgjedhje më 26 korrik, ndërsa BESA është kundër zgjatjes së zgjedhjeve dhe do të pranojë konsensus të mundshëm ndërpartiak
Shkup, 23 maj – Nuk ka përafrim të qëndrimeve mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Të dy palët mbeten në pozicionet e tyre, por ende nuk e përjashtojnë mundësinë për marrëveshjeje të mundshme, megjithëse insistojnë që pala tjetër të heqë dorë. LSDM kërkon zgjedhje më 21 qershor, ndërsa VMRO-DPMNE propozon konfrontim elektoral në fund të gushtit ose fillim të shtatorit. Partitë nga blloku politik shqiptar janë duke pritur për marrëveshjen mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, megjithëse BDI publikisht u deklarua për zgjedhje të shpejta, varësisht nga gjendja me Kovid-19, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë për zgjedhje më 26 korrik, ndërsa BESA është kundër zgjatjes së zgjedhjeve dhe do të pranojë konsensus të mundshëm ndërpartiak.
“Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë është parti përgjegjëse dhe shtet-ndërtuese që ka qenë dhe mbetet në anën e interesave të qytetarëve dhe shtetit. Zgjedhjet janë të nevojshme sa më shpejt, për shkak të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe përgatitjes për pikun e ri nga koronavirusi në vjeshtë, për rimëkëmbjen më të shpejtë dhe transformimin e ekonomisë vendase dhe vendosjen e sërishme të institucioneve në funksion që janë thelbësore për funksionimin normal të sistemit. Me legjitimitet të ri nga qytetarët, Qeveri dhe Parlament politik. Ne nuk duhet të lejojmë dëmtimin e shtetit, dëmtimin e qytetarëve dhe nuk duhet të lejojmë që vendi të futet në një krizë kushtetuese. LSDM nuk do ta lejojë këtë”, thanë dje në LSDM.
Ka reaguar VMRO-DPMNE. Sipas partisë së Hristijan Mickovskit, derisa në rajon epidemia nga koronavirusi po zvogëlohet në mënyrë drastike, tek ne procesi është i kundërt. “Kroacia dhe Shqipëria shënojnë nga dy raste të reja, Sllovenia nuk ka asnjë, ndërsa në Maqedoni numri i të infektuarve të rinj është rritur në 40 dhe një viktimë. Nëse të dhënat e tilla për Zaevin, Filipçen dhe LSDM-në janë përballje e suksesshme me epideminë, atëherë e qartë është pse populli është në frikë dhe panik. Ata në vend që të zhvillojnë politikë dhe të bëjnë interesa të imëta partiake, duhet të ndërmarrin masa konkrete shëndetësore me qëllim që të mbrohet shëndeti dhe jeta e qytetarëve. Maqedonia tani më është në kulmin e vet në rajon sipas vdekshmërisë në një milionë banorë, gjithashtu edhe sipas numrit të të infektuarve në një milionë banorë, ndërsa pothuajse në fundin e vet sipas numrit të testimeve”, akuzon VMRO-DPMNE. Ndryshe, deri tani, nuk ka nisma për takim të ri të liderëve tek presidenti Stevo Pendarovski. Në dy takimet e mbajtura deri tani, liderët e partive nuk kanë arritur konsensus për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Fillimisht, zgjedhjet u caktuan për 12 prill, por për shkak të pandemisë koronavirus dhe gjendjes së jashtëzakonshme, ato u shtynë me Dekret qeveritar me fuqi ligjore. (koha.mk)