Gjimnazistët shqiptarë në Kumanovë do të vazhdojnë edhe më tej të ndjekin mësimin në ish kombinatin bujqësor, i cili është transformuar në shkollë. Shumë premtime, por zgjidhje për gjimnazin Sami Frashëri ende nuk ka. I fundit premtoi ish-ministri i Arsimit, deputeti aktual Arbër Ademi. Ai para dy vitesh i tha TV21 se ka siguruar objekt për gjimnazin në kuadër të kazermës së qytetit, mirëpo që atëherë asgjë nuk ka lëvizur. Deklaratën e Ademit e hedh poshtë kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski. Ai thotë se ka kërkuar nga ministri e nga Qeveria ndihmë, por askush nuk i është përgjigjur. Dimitrievski e porositi Ademin që të jetë më i sinqertë me qytetarët.
“Ministri i mëparshëm Ademi, duhet të jetë shumë më i sinqertë me qytetarët. Kjo është vetëm dëshirë, përderisa situata reale është ndryshe. Çështja e gjimnazit të Kumanovës hapet gjithnjë përpara zgjedhjeve dhe më pas të gjithë tërhiqen nga deklaratat që japin”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar I Komunës së Kumanovës.
Meqë Qeveria dhe ministrat e arsimit nuk na kanë dhënë përgjigje ne si komunë do t’i hyjmë vetë kësaj pune, thotë i pari i Kumanovës.
“Ne si komunë kemi vendosur që vetë me vendim të këshillit të gjejmë zgjidhje për këtë problem. Kemi porositur të bëhet projekt ideor për ndërtim të dy shkollave që të përfshihen paralelet e gjimnazit Sami Frashëri dhe paralelet shqipe të shkollës teknike dhe të sigurojmë një pjesë të buxhetit nga komuna dhe të kërkojmë nga shteti mjete shtesë për ta zgjidhur këtë problem“, pohoi Maksim Dimitrievski, kryetar I Komunës së Kumanovës.
Arbër Ademi thotë se objektet e kazermës vazhdojnë të jenë në pronësi të Ministrisë së Arsimit dhe se ka pritur që komuna të bëjë planin detal urbanistik që objektet gjegjëse të mund të adaptohen në objekt shkollorë. Ademi thotë se Dimitrievski nuk ka projekt dhe dokumentacion teknik.
“Vizatimet e shkarravinat e ndryshme që bëhen për gjysmë ore nuk përfaqësojnë dokumentacion teknik, ju jeni gazetarë dhe pyesni kryetarin e Komunës së Kumanovës se a ka dokumentacion teknik që është hapi i parë për financimin e një projekti të rëndësishëm nga qeveria. Nuk ka as dokumentacion teknik, as projekt, në qoftë se ata refuzojnë, ai posaçërisht refuzon që të bëjë dokumentacion teknik. Vetëm le ta përmbush detyrimin e tij për ndryshim të panit detal urbanistik dhe dokumentacionin teknik dhe vetë realizimin e projektit do e bartë qeveria”, theksoi Arbër Ademi, ish minister i Arsimit.
TV21 kërkoi përgjigje nga ministri aktual i Arsimit Jeton Shaqiri, por prej atje nuk morëm përgjigjë. Herën e fundit që u deklarua për këtë çështje na tha se do të realizojë takim me kryetarin e komunës. Komuna gjatë kësaj jave ka realizuar mbledhje por nuk është vendosur asgjë për shkollën përkatëse./TV21