Fatos RUSHITI
Shkup, 19 gusht – Komisioni Shtetëror zgjedhor ka filluar përgatitjet intensive për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 15 tetor të këtij viti. Sipas asaj që thotë anëtari shqiptar në KSHZ, Subhi Jakupi, aktualisht po presin përpunimin e të dhënave të zgjedhësve më të drejtë vote nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe më 21 gusht të vënë të njëjtën në shqyrtim publik, shkruan gazeta KOHA. “Ministria e Punëve të Brendshme më 11 gusht ka bërë përditësimin e ri të listës zgjedhore, ndërsa ne menjëherë e kemi dorëzuar në Entin Shtetëror të Statistikave që t’i përpunojë të dhënat personale të të gjithë zgjedhësve më të drejtë vote. Por, presim që pasi të mbarojë me punë ESHS ne të marrim vendim për vënien e listës zgjedhore për shqyrtim publik sipas afatit ligjor-më 21, ndërsa i njëjti do të zgjasë 20 ditë, deri më 9 shtator. Gjatë kësaj kohe presim që qytetarët të dorëzojnë ankesa për parregullsi eventuale të të dhënave personale dhe po këtë të drejtë e kanë edhe partitë politike”, thotë Subhi Jakupi. Të ashtuquajturit “votues fiktiv” me automatizëm për zgjedhjet lokale kthehen në Listën zgjedhore pasi u hoqën në zgjedhjet e fundit parlamentare, por mbeten dilemat e mëhershme për verifikimin e tyre. Në pyetjen nëse institucionet kanë ndërmarrë hapa konkret për verifikimin e tyre, anëtari i KSHZ-së Jakupi, thotë se përveç deklarimeve publike nuk ka ndonjë punë serioze nga Qeveria në këtë drejtim. “Zotime publike ka pasur, por jo edhe ndonjë iniciative konkrete nga ana e institucioneve shtetërore, aq më shumë kur këta votues u hoqën me kërkesë të LSDM-së dhe tani kjo parti është në pushtet. Mbetet të shihet si do të veprohet pas zgjedhjeve lokale, sepse tani më koha nuk premton edhe aq shumë. KSHZ ashtu siç ka ngritur problemin më herët me votuesit e Pustecit, ku shumë banorë kishin letërnjoftim me një adresë të vetme, edhe kësaj radhe është e gatshme të punojë maksimalisht që të hiqen të gjitha dilemat e listës zgjedhore. Por, barrën kryesore e kanë institucionet qeveritare”, thekson për gazetën KOHA, Subhi Jakupi. Sa i përket kërkesës së Lëvizjes BESA që të ketë anëtarin e vetë në KSHZ, Jakupi nuk dëshiron të deklarohet, ndërsa sa i përket Këshillave zgjedhor ai thotë se partitë politike opozitare do t’i kenë përfaqësuesit e vetë, por ndarjen, siç tha, e bëjnë vetë ato. Në komisionet lokale zgjedhore siç njofton Jakupi, anëtarët përzgjidhen nga Ministria e Shoqërisë informatike dhe administratës publike, nga e cila presin që këto ditë t’i japë emrat. “Partitë, si ato të pushtetit ashtu edhe të opozitës, delegojnë anëtarët e tyre në këshillat zgjedhor dhe aty ndarja bëhet me marrëveshje mes tyre, në këtë rast të opozitës kur bëhet fjalë për Lëvizjen BESA. Ndryshe qëndron puna në komisionet lokale zgjedhore, sepse aty përzgjedhja bëhet nga ana e Ministrisë së shoqërisë informatike dhe administratës publike, nga e cila këto ditë presim të na dërgojë listën me emra”, thekson Jakupi. Ndërkaq, Lëvizja BESA pretendon se i takon anëtar në KSHZ, që të zëvendësoje anëtarin e tanishëm Bedredin Ibrahimi i deleguar nga PDSH, me arsyetimin se PDSH nuk e ka pozicionin e partisë së dytë më të madhe opozitare. Por, BESA akuzon se deri më tani ka munguar vullneti nga ana e partive në pushtet për të ndërmarrë veprime në Parlament për zëvendësimin e anëtarit të KSHZ-së Bedredin Ibrahimi me përfaqësuesin që do të delegojnë ata. Nga LSDM kanë shfaqur qëndrimin se Lëvizjes BESA i takon anëtari në KSHZ, por që nuk ka pasur hapa konkret në Parlament nga kjo parti. Nga BDI kanë qëndruar neutral, duke mos pranuar të japin ndonjë qëndrim për këtë çështje. Lëvizja BESA më herët ka dorëzuar iniciativë ne Qeveri për të dhënë mendim mbi dispozitat e Kodit zgjedhor dhe po ashtu kërkesë në Parlament për interpretim autentik të Kodit Zgjedhor. Deputeti nga Lëvizja BESA Afrim Gashi thotë për gazetën KOHA se po presin nga Qeveria që të japë mendim pozitiv pro tyre. Sa i përket Parlamentit, Gashi thotë se shumë shpejtë do të kenë takim me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi, për të parë se deri ku ka shkuar puna rreth kërkesës për interpretim autentik të Kodit zgjedhor. “Po presim që në mbledhjen e Qeverisë të jepet mendim pozitiv rreth pretendimin tonë të mbështetur në dispozita ligjore se neve na takon anëtari nga opozita në KSHZ. Kur jemi tek Parlamenti, shumë shpejtë do të kemi takim me kryetarin Talat Xhaferi për të parë më për së afërmi se deri ku ka shkuar puna e kërkesës sonë për interpretim autentik të Kodit Zgjedhor. Edhe këtu presim përgjigje pozitive bazuar në dispozita konkrete ligjore se neve na takon anëtari në KSHZ”, thotë Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.
Ndryshe, kur jemi tek përgatitja e zgjedhjeve do të dihet numri i zgjedhësve tek kur KSHZ do të vendosë për shqyrtim publik Listën zgjedhore, por numri nuk mund të lëviz shumë nga 1.820.00 mijë zgjedhës, kjo nga të dhënat e përditësimit paraprak të MPB-së. Sa i përket kandidatëve, partitë afatin fundit e kanë 14 shtatorin deri në në ora 24:00 që ti dorëzojë emrat për kryetar komune dhe emrat për këshilltar komunal. KSHZ në afat pre 48 orëve do të vendosë për parregullsi eventuale në listat e kandidatëve, dhe më pas partitë apo kandidatët e pavarur kanë afat prej 48 orëve ti përmirësojnë ato. Nëse KSHZ përsëri konstaton në afat prej 24 orëve se lista prapë ka parregullsi me aktvendim e hedhë poshtë atë. Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 gusht, ndërsa në rrethin e parë zgjedhor ajo mbaron më 13 tetor në ora 24:00 ku 24 orë të tjera kemi heshtje parazgjedhore. Fushata në rrethin e dytë zgjedhor sipas dispozitave ligjore mbaron më 27 tetor në ora 24:00 dhe më pas kemi heshtje parazgjedhore ndërsa rrethi i dytë për kryetar komunash do të mbahet më 29 tetor. Ne ditën e 11 të fushatës parazgjedhore partitë apo kandidatëve pavarur të detyruar të dorëzojnë në KSHZ raport financiar për të hyrat dhe të dalat në parti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.