Shkup, 26 tetor – Përpilimi i Buxhetit për vitin 2018, është nga fundi dhe janë duke u shqyrtuar detajet për precizimin e projekteve makroekonomike. Ministria e Financave, me projeksionet që parashihen më buxhetin e vitit të ardhshëm, pret rritje më të lartë ekonomike, shkruan gazeta KOHA. “Lidhur me deficitin buxhetor – qëllimi kryesor është që shteti të harxhojë më shumë para që ekonomia të del nga aktiviteti i ulët ekonomik. Me Buxhetin e vitin 2018 do të shkurtohen harxhimet për projekte joproduktive që t’ju jepet përparësi projekteve produktive me efekte multiplikative që të lëvizin ekonominë e vendit”, informojnë nga Ministria e Financave. Mirëpo, as nga Ministria e Financave e as nga Ministria e Transportit, nuk morëm përgjigje në pyetjen se me Buxhetin 2018 nëse parashihen para për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, për të cilin plot 8 vite assesi të sigurohen mjete financiare.
Pas miratimit të rishikimit të Buxhetit të vitit 2017, ministri i Transportit, Goran Sugarovski, deklaroi se me Buxhetin e vitit 2018, do të sigurohen mjete buxhetore për përgatitjen e projekt-dokumentacionit të saktë, sepse studimi fizibiliti i fundit i përgatitur nga “Western Ballkan Investment” ka rezultuar se përmban shumë mangësi dhe paqartësi. “Me buxhetin e vitit 2018 do të parashihen mjete buxhetore për përgatitjen e studimit fizibiliti dhe pasi të kemi gati studimin, atëherë do të mund të parashohim dhe mjetet financiare që do të nevojiten për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë”, kishte deklaruar Sugarevski. Mirëpo, në pyetjen e gazetës KOHA drejtuar Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve lidhur me këtë çështje, nga atje thonë se “kjo do të dihet vetëm atëherë kur Buxheti për vitin e ardhshëm të miratohet nga Qeveria e Maqedonisë. Për informata të sakta, mirë është t’i drejtoheni Ministrisë së Financave”. Njëherësh, nga Ministria e Financave, njëjtë sikurse në Ministrinë e Transportit – thonë se ende po punohet në përgatitjen e Buxhetit për vitin 2018 dhe se për momentin – nuk mund të dinë se për cilat projekte infrastrukturore parashihen të ndërtohen me para buxhetore. “Nuk mund të japim shifra të sakta se cilat projekte infrastrukturore do të ndërtohen me para buxhetore, sepse ende po punohet në përgatitjen e Buxhetit për vitin 2018. Vetëm kur të jetë gati Buxheti 2018, do të dihet saktë se a do të parashihen mjete për autostradën Shkup- Bllacë apo do të vazhdohet të kërkohet modalitetit i partneritetit publiko- privat”, thonë nga Ministria e Financave. (koha.mk)