Zejnulla VESELI
Shkup, 17 prill – Kriza e stërzgjatur politike përveç pasojave të rënda që po sjellë për ekonominë e vendit, njëkohësisht është duke shkaktuar dëme të mëdha te komuniteti i biznesit dhe negativisht ndikon në pagesën e subvencioneve të bujqve si dhe në vonesën e pagesave të rregullta të ndihmave sociale, shkruan gazeta KOHA. Zgjidhja e vetme për ta nxjerr vendin nga kriza e rëndë politike sipas ish ministrit plotësues të Financave, Kire Naumov, është formimi i shpejtë i qeverisë me qëllim që të mund të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2017. “Alternativa e vetme që vendi të del nga kriza e thellë politike dhe ekonomike është formimi i shpejtë i Qeverisë. Zgjidhje tjetër s’ka. Tani më është shumë e qartë se buxheti është në kolaps dhe të hyra të vetme janë gjobat ndaj subjekteve ekonomike dhe qytetarëve si dhe nga konsumi i përgjithshëm. Të hyrat nga TVSH-ja dhe tatimet tjera janë në rënie për shkak të situatës së rëndë financiare të komunitetit të biznesit si dhe për shkak të krizë politike të cilës ende nuk i dihet fundi. Nëse së shpejti nuk formohet qeveria e re, muajt në vijim nuk do të ketë para në buxhet as për rroga e pensione”, thotë Naumov. Ai bën thirrje deri të partitë që kanë shumicën parlamentare që të formohet sa më shpejtë qeveria, që të ndodhë ndryshimi i pushtetit, sepse buxheti aktualisht gjendet në kolaps. “Ndryshimi i këtij pushteti nuk është thjeshtë një detyrë elektorale, por është më shumë se kaq. Qeveria tani më në dorëheqje nuk po heq dorë nga gabimet që ka bërë gjatë 10 viteve sa ishin në pushtet partitë VMRO dhe BDI, as për hajni e as për dështime. Koha për ta ndalur këtë kolaps dhe për ta ndërruar këtë logjikë qeverisëse është sot të formohet qeveria, sepse nesër bëhet vonë”, thotë Kire Naumov, ish-ministër plotësues për Financa. Edhe ish kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menders Kuçi pohon se të hyrat shumë të ulëta në buxhet, sidomos pas zgjedhjeve të fundit të mbajtura më 11 dhjetor të vitit të kaluar, kanë ndikuar në vonesën e subvencioneve për bujqit, kurse mos formimi i qeverisë se re mund të lë pa rroga administratorët, pensionistët si dhe shfrytëzuesit pa ndihma sociale. “Vazhdimi i krizës politike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, e sidomos në pagesat e rregullta të pensioneve, rrogave dhe ndihmave sociale. Pasojat e gjithë kësaj do t’i bartin kompanitë dhe qytetarët, ndërsa qeveria këtë do ta ndjejë pasi arka shtetërore do të jetë e zbrazur, indikacione të cilat tashmë dhe kanë filluar të ndjehen. Vazhdimi i krizës politiko-ekonomike do t’i zbehë mundësitë për ta mbrojtur Maqedoninë nga falimentimi”, thotë Kuçi. Ndërkohë ish ministri plotësues i bujqësisë Lupço Nikolovski shprehet se mungesa e parave në buxhet jo vetëm që ka bllokuar të gjitha proceset ekonomike, por edhe qytetarët kanë filluar të ndjejnë pasojat e krizës ekonomike. “Më të rrezikuar janë bujqit të cilët ende nuk kanë marrë subvencionet e viteve të mëparshme. E gjithë kjo ndodhë për shkak të jo seriozitet dhe papërgjegjësive të udhëheqësve të partisë VMRO dhe deputetëve të kësaj partie, që numër më i madh i bujqve dhe familjarët e tyre të mos i marrin paratë të cilët u takojnë. Gati tre muaj qeveria e VMRO-së po i gënjen bujqit se pagesa e subvencioneve do të fillon shumë shpejtë. Mirëpo, pagesa e subvencioneve do të fillohet vetëm nëse formohet qeveria e re dhe kështu do të përfundojnë edhe gënjeshtrat e institucioneve shtetërore se pagesa e subvencioneve veç sa nuk ka filluar”, thotë ish ministri plotësues i Bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomizim me ujërat, Lupço Nikollovski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara