Laura PAPRANIKU
Shkup, 16 janar – Më tepër se 100 milionë denarë do të investohet këtë vit për ndërtimin e sallave sportive të shkollave se sa për ndërtimin dhe rindërtimin e vetë shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Dallimi në buxhetet e planifikuara për këta zërë është dukshëm i madh, pa llogaritur në këto shifra disa qindra milionë denarë të të tjerë që i ndahen Agjencisë të Rinisë dhe Sportit për objektet sportive. Gjykuar nga paratë e planifikuara për investime në infrastrukturë, vështirë se mund të pritet përmirësimi i gjendjes së rënduar me objektet shkollore, të paktën këtë vit. Sepse, mjetet që planifikohet të investohen për këtë qëllim nuk premtojnë edhe aq për ndryshime të mëdha në infrastrukturën shkollore, si në nivelin e arsimit fillor ashtu edhe të mesme. Madje, investimet për ndërtimin e shkollave të mesme është thuajse në nivelin e njëjtë me investimin për ndërtimin e sallave për ato shkolla. Konkretisht nëse për ndërtimin e shkollave të mesme janë planifikuar të shpenzohen 25.000.000 denarë, vetëm për sallat e shkollave të këtij niveli do të shpenzohen 20.000.000 denarë.
Në buxhetin e investimeve kapitale të këtij viti, raporton KOHA, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka planifikuar që për ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme të investojnë 3.658.536 euro (225.000.000 denarë), kurse për meremetimin e objekteve në të dyja nivelet 1.300.813 euro (80 000 000 denarë). Këto mjete, sikurse dihet janë shumë pak për të përmirësuar strukturën aspak të mirë të shkollave në Maqedoni por edhe për t’ju përgjigjur kërkesave për ndërtimin e shkollave në ato vendbanime ku mungojnë objektet shkollore. Vetëm për ndërtimin e një shkolle të kategorisë mesatrae nevojiten mbi 2.000.000 euro, ndërsa me kaq mjete sa janë planifikuar në buxhetin e 2017-ës, zor se do të ndërtoheshin dy shkolla bashkë. Ende më pak për tu dëshiruar është buxheti i investimeve kapitel për rindërtimin dhe meremetimin e shkollave ekzistuese. Për këtë qëllim në arsimin fillor janë ndarë rreth 81 mijë euro (50.000.000 denarë). Në total për ndërtimin, ri ndërtimin dhe meremetimin e shkollave në të dyja nivelet janë planifikuar rreth 5 milion euro ose 305.000.000 denarë. Ndërkaq, për sallat sportive, nga buxheti i MASH-it këtë vit është planifikuar të harxhohen rreth 6.6 milion euro (405.229 000 denare), pra 1.6 milionë euro më shumë se gjithë investimi kapital i shkollave fillore dhe të mesme. Ajo, për të cilën edhe për këtë vit mund të mburret MASH janë sallat sportive, për ndërtimin e të cilave do të ikin shuma të majme parash ashtu se edhe vitin e shkuar. Në MASH thonë se planifikimi i buxhetit, konkretisht investimeve kapitale për ndërtimin e objekteve të reja shkollore dhe për meremetimin e tyre bëhet sipas kërkesave që bëjnë shkollat, respektivisht sektorët komunalë të arsimit. Ndërkaq, planifikimi i buxhetit shumë më tepër për sallat sportive se sa për vetë shkollat lidhet me projektin për ndërtimin e 125 sallave sportive, të nisur gjashtë-shtatë vite më parë. 100 milionë denarë apo mbi 1.600.000 euro do të investohet për përkthimin e librave nga universitete prestigjioze, kurse 76.250.000 denarë ose mbi 1.235.772 euro për botimin e librave profesional.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.