Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për gazetën KOHA se janë paraparë fonde për stomatologët specialistë, por se po presin miratimin e Ministrisë së Financave
Delvina KËRLUKU
Shkup, 11 dhjetor – Stomatologët specialistë ende nuk kanë marrë pagat e premtuara nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili kohë më parë theksoi se do të marrin kompensim specialistët për punën e tyre. Ndërkaq, premtoi se nuk do të lejojë më që mjekët e rinj, gjatë specializimit të punojnë pa pagesë, shkruan gazeta KOHA.
Vendimi i të parit të Shëndetësisë erdhi pas tubimit të specializantëve përpara Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kërkuan që zgjidhjet e ofruara nga ministri të precizohen. Ata kërkuan nga ministri ta përshpejtojë këtë proces dhe ta rrumbullakojë çështjen e pagesave tyre. Madje, atëkohë ministri tha se përmirësimi i pagave të specialistëve bëhet me qëllim ndalimin e ikjes së mjekëve drejt Europës. Megjithatë, deri më sot, asgjë pozitive nuk ka lëvizur në drejtim të pagave.
Specialistët në stomatologji, në shtator, dolën në një protestë paqësore jashtë Ministrisë së Shëndetësisë. Ata kërkuan kompensim financiar për punën e tyre. Protesta paqësore erdhi pas tetë muaj bisedimesh, ndërsa u premtua se pagesa do të fillojë pikërisht në muajin shtatori. Pas protestave të studentëve ministri Filipçe deklaroi se paratë do të ofrohen dhe ata do të fillojnë marrjen e kompensimit financiar nga tetori. Ndërsa, specialistët kërkuan një garanci për këtë, si një masë e dentistëve të rinj për ti mbajtur në vend dhe të mos emigrojnë në masë të madhe, jashtë vendit.
Tani, stomatologët ankohen se të gjitha bisedimet me Ministrinë e Shëndetësinë u degraduan, ndërsa vazhdon injorimi i specializantëve. “Për ne, mjekët, të cilët jemi në specializim privat, secila ditë e kaluar me status të këtillë të padefinuar është frustrim. Përsëris, paga patjetër të ketë për të gjithë, edhe atë në të njëjtën kohë, sepse pavarësisht se jemi mjekë të rinj, ne kryejmë punë nëpër Klinika”, tha Elmedina Asani, specializante në neurokirurgji. Premtimi se pagat do të fillojnë të merren që në shtator, lëre që nuk është marrë, por kjo nuk ka ndodhë as për muajin tetor dhe nëntor.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për gazetën KOHA se janë paraparë fonde për stomatologët specialistë, por se po presin miratimin e Ministrisë së Financave. “Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka siguruar një buxhet për pagesën e specialistëve të stomatologjisë dhe fondet janë transferuar në Klinikën e Stomatologjisë. Ministria e Shëndetësisë ka dhënë pëlqimin për punësime me kontrata pune përmes së cilës do të paguhen pjesëmarrësit privatë dhe do t’i dërgohet përmes Fondit për Sigurim Shëndetësor, Ministrisë së Financave. Aktualisht po presim miratimin në Ministrinë e Financave”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë. Nga këtu shtojnë se specialistët dentarë privatë janë përfshirë në Buxhetin për vitin 2019, ndërsa do të paguhen vitin e ardhshëm.
Specialistët nga ana tjetër thonë se ata vazhdimisht i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave të miratojnë fondet, por ankohen se kalojnë vazhdimisht topin nga njëri – tjetri. “Në Ministrinë e Shëndetësisë na thanë se dokumentet iu dërguan Ministrisë së Financave dhe se puna do të përfundojnë shpejt, në mënyrë që të nënshkruajmë kontratat. Pas thirrjes së fundit në Ministrinë e Financave, të cilët e dinin se kush ishin në radhë, na thanë se nuk morën asnjë dokument nga Ministria e Shëndetësisë”, thonë specialistët e stomatologjisë. Ankohet se rregullisht i përmbushin detyrimet e tyre të punës, ndërsa ende nuk kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje.
“Kanë kaluar tre muaj dhe ende nuk kemi nënshkruar marrëveshje, as kemi marrë rrogën e parë të pritur në fillim të muajit shtator dhe sot është tashmë dhjetori. Për një periudhë të caktuar po përpiqemi të zbulojmë nëse dhe ku ka pengesë për pagesën tonë dhe përgjigjet që marrim janë të paqarta dhe të pakënaqshme për ne. Mendojmë se nuk jemi subjekt manipulimi, por përkundrazi, duhet të vlerësojmë sipas kontributit tonë. Ne presim me përpjekjet tona për të marrë një zgjidhje pozitive në të ardhmen e afërt, sepse fundi i vitit kalendarik po afrohet dhe kemi frikë se mund të zhgënjehemi”, tha një specialist i stomatologjisë. (koha.mk)