Laura PAPRANIKU
Shkup, 22 qershor – Deri në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor, ka edhe dy muaj e ca kohë që shkollat të bëjnë sistemimin e nxënësve nëpër paralele dhe vendosjen e tyre nëpër klasa. Mirëpo, kur janë në pyetje shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, tensioni fillon të ndjehet prej shumë përpara, shkruan gazeta KOHA. Në Shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup, janë zënë që tani të gjitha vendet për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë.
“Edhe po të donim të formojmë një paralele plus, nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë për shkak të mungesës së hapësirave”, pohon drejtoresha Luljeta Qerimi. Nevojat, sigurisht që janë të shumta, plotëson më tej ajo, duke pranuar se me nga dy paralele të qëndrimit tërë-ditor dhe nga dy paralele të rëndomta të klasave të para të cilat i kanë në dispozicion, shkolla nuk mund t’ju përgjigjet të gjitha kërkesave për shkollim bashkëkohor. Mbetet larg kërkesave të prindërve për paralele tërë-ditore dhe paralele të rëndomta me numër jo të madh nxënësish në klasë.
“Viteve të fundit edhe shkolla jonë ka problemin e mbingarkesës së paraleleve me numër të madh të nxënësve në klasë, sidomos nëpër paralelet e qëndrimit tërëditor. E veçanta e këtij viti është se kemi shumë nxënës në klasë edhe për paralelet e rëndomta. Që tani, për dy paralelet e klasave të para kemi regjistruar nga 34 nxënës, pra maksimumin e numrit të lejuar me Ligj”, tregon drejtoresha e SHF “Hasan Prishtina”, duke shtuar se 2017/2018 do të jetë një vit me numër të madh nxënësish në këtë, por edhe në shkollat tjera të Komunës së Çairit. Kjo komunë ka të paktën 10 vite që ballafaqohet me problemin e hapësirave shkollore, të cilat se vijnë e bëhen më të pakta për shkak të rritjes permanente të numrit të nxënësve. Qerimi, nënvizon për KOHA se këtë problem ka nis ta ndjejë dukshëm edhe SHF “Hasan Prishtina”. Problemi është se shkolla nuk ka mundësi të rrisë numrin e paraleleve të klasave të para për të formuar paralele me 22 apo 25 nxënës në klasë. Kjo pasi me kalimin e viteve, shtimi i një paralele në klasë të parë shumëfishon numrin e paraleleve të përgjithshme. Do të thonë nëse shkolla fillon të formojë nga tre paralele të klasave të para, këtë vit numri i përgjithshëm ritet për një paralele, vitin tjetër për dy më shumë, pastaj për tre, katër e kështu me radhë. “Dy-tre vitetet e para edhe mund ta përballojmë shtimin e numrit të paraleleve, por pastaj s’kemi vend ku t’i sistemojmë të gjitha paralelet”, shpjegon drejtoresha Qerimi.
Shkollat janë të detyruara të pranojnë dokumentet për regjistrimin e të gjithë nxënësve që plotësojnë moshën për klasë të parë deri më 31 gusht, veçanërisht të atyre që sipas rajonalizmit të shkollave vijnë nga zona në të cilën graviton shkolla përkatëse. Edhe pse sipas Ligjit për arsim fillor prindërit duhet të bëjnë regjistrimi e fëmijëve në muajin maj, prapë se prapë po në bazë të atij Ligji, shkollat janë të detyruara të mbajnë hapur dyert për regjistrimin e filloristëve deri një ditë para fillimit të vitit shkollor, pra deri në datën 31 gusht. Për këtë arsye, në shumë shkolla regjistrimi i nxënësve të klasës së parë zgjatet deri para fillimit të vitit dhe në të njëjtën kohë rritet numri i nxënësve në klasë shpesh herë edhe përtej 34-shit të lejuar me Ligj. Vala e problemeve hapësinore ka përfshirë tanimë edhe SHF “Hasan Prishtina”, e cila ashtu sikurse të gjitha shkollat tjera fillore te Çairit punon me nga dy ndërrime dhe me paralele të mbingarkuara. Sipas të gjitha gjasave, nga shtatori i këtij viti paralelet me 37 e 40 nxënës në klasë, nuk do të përbëjnë lajm vetëm për SHF “Ismail Qemali” e “Imri Elezi”, por edhe për shkollat e tjera. SHF “Hasan Prishtina”tashmë ka nis atë rrugë. Edhe pse pjesa dërmuese e prindërve që përfshijnë rajonin e kësaj shkolle kanë bërë regjistrimin e fëmijëve, bazuar në përvojën e viteve të kaluara, pritjet janë që regjistrimi të vijojë edhe ditëve në vijim dhe me këtë të tejkalohet edhe numri i deritanishëm prej 34 nxënës në klasë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.