Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 dhjetor – Kaosi urbanistik në Maqedoni pritet të rregullohet përmes ndryshimeve të shumta ligjore dhe më një mbikëqyrje më të madhe të ndërtimeve në shtet, shkruan gazeta KOHA. Në vitet e kaluara ndërtimi, vend e pa vend, shpesh edhe në hapësirat publike të parqeve, ka shkaktuar kaos urbanistik në shtet, që si dukuri nuk shqetëson vetëm Shkupin, por edhe një pjesë të madhe të vendbanimeve urbane dhe rurale në pjesën më të madhe të Maqedonisë. Andaj, Ekzekutivi i ri përgatit reforma të mëdha të legjislacionit të ndërtimit. Pritet që në pako të ndryshohen ligjet ekzistuese si dhe të miratohen rregullore të reja, që do të përfshijnë ligjet për ndërtim, kadastrën, planifikim urbanistik dhe hapësinor etj.
Nga Trupi koordinues që udhëheq me procesin e ndryshimi të më shumë ligjeve në sferën e ndërtimit dhe urbanizimit, thonë se një ndër qëllimet e intervenimeve në legjislacion është edhe pamundësimi që të kryhen brenda nate intervenimet planin e detajuar urbanistik ose ndryshime në lokacione dhe parcela të ndryshme ndërtimore.
Barrën më të madhe të ndryshimeve pritet ta ketë Trupi koordinues, ku janë inkuadruar përfaqësues qeveritar, nga ministritë e ndryshme, komunat si dhe shoqatat e arkitektëve dhe ndërtimtarëve dhe të shkencës. Pritet që në deri në vit të ri të përgatiten ndryshimet intervenuese që të anulohen anomalitë, ndërsa do të përgatiten edhe një sërë ndryshimesh ligjore, me të cilat do të intervenohet në kaosin urbanistik në tërë Maqedoninë. Arkitektët vlerësojnë se së pari duhet të përgatiten planet hapësinore që do të japin informacione dhe udhëzime për përgatitjen e planeve të reja urbanistike gjenerale dhe më tej për përgatitjen e planeve të reja të detajuara urbanistike
Nga Këshilli koordinues me në krye, Mirosllav Gërçev, profesorin në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup, kanë paralajmëruar se në periudhën e ardhshme së pari do të shoshiten mirë e mirë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me planifikimin hapësinor dhe urbanistik si dhe ndërtimtari që të konstatohen problemet e ndryshme në këtë sferë.
“Është e domosdoshme që të realizohet një analizë serioze që të shikohet se çka prej gjithë asaj që e shikojmë në hapësirë dhe shoqëri, është pasojë e problemeve sistemore të legjislacionit dhe çka prej pasojave negative është rezultat i ndryshimeve të gabuara, që në një pjesë të madhe i bënte pushteti paraprak, i motivuar nga interesa partiake. Ato kanë shkatërruar grupe ligjesh që janë shndërruar në vegla jo për harmonizimin e hapësirës, por për keqpërdorimin e saj”, thekson Gërçev. Sipas tij, vetëm Ligji për planifikim urbanistik dhe hapësinor i miratuar në vitin 2005 është ndërruar deri tani 18 herë, ndërsa ligji për ndërtim është ndërruar 34 herë, që ka shkaktuar një kaos të vërtetë të legjislacionit dhe në teren për çka dëshmitarë okularë është e gjithë shoqëria.
Ndryshe, sfidë në të ardhmen e shumicës së vendbanimeve në Maqedoni, mbetet cilësia e jetesës që vlerësohet si shumë e varfër. Ekzistojnë shumë deformime urbane nëpër vendbanimet tona që vërehen dhe preken nga të gjithë ne, të cilat duhet ndryshuar për të mirën e të gjithëve. Në një pjesë të konsiderueshme të qyteteve në Maqedoni, por edhe vendbanimet në afërsi të Shkupit, shkruan KOHA, nuk janë të zgjidhura as problemet elementare infrastrukturore, si furnizimi i rregullt me ujë për ujin 24 orë, kanalizimet apo deponitë e egra. Pra, përmirësimi i kushteve të jetesës së banorëve në tërë Maqedoninë, përfshi planifikimin hapësinor dhe urban, ndotjen e ambientit, transportin urban në qytetet më të mëdha, ndërtimin e çerdheve dhe shkollave fillore, riparimin apo ndërtimin e rrugëve të reja në fshatrat apo qytete e kështu me radhë, lë për të dëshiruar në periudhën e ardhshme për kryetarët e ri të komunave në tërë shtetin. (koha.mk)