Omer XHAFERI
Shkup, 28 dhjetor – Në kuadër të Gjykatës Penale të Shkupit dhe Prokurorisë Publike pritet të formohet Reparti special për mbikëqyrjen e punës së policisë, respektivisht procedimin e rasteve penale të kryera nga nëpunësit e Ministrisë për Punë të Brendshme, shkruan gazeta KOHA. Ky propozim i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, mori dritë jeshile, me çka pakoja prej disa ligjeve në aspektin e procedurave penale së shpejti pritet të përfshihet në debat parlamentar. Plotësimi i Ligjit për gjykata, siç njoftojnë nga Qeveria, parasheh kontrollin efektiv mbi punën e policisë përmes krijimit të një mekanizëm të jashtëm.
“Me ndryshimet e këtij Ligji parashihet kompetencë e posaçme e Repartit të specializuar gjyqësor, i cili do të jetë i autorizuar për procedim të veprave nga fusha e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë Maqedoninë, me çka në GJPSH-ja do të shqyrtohen lëndët e Sektorit për luftë kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar që funksionon brenda Prokurorisë Publike, i cili njëkohësisht për detyrë do të ketë përndjekjen penale të nëpunësve policor dhe pjesëtarëve të policisë së burgjeve”, thonë nga Qeveria. Formimi i një mekanizmi të jashtëm për vëzhgimin e punës dhe veprimeve të policisë bëhet me qëllim respektimin dhe zbatimin e nenit 2 dhe 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përgjatë viteve të kaluara, në Gjykatën e Strasburgut nga ana e qytetarëve të Maqedonisë janë parashtruar disa iniciativa për shkeljen e këtyre dy neneve, e që kanë të bëjnë me privimin e kundërligjshëm nga jeta dhe dhunën e ushtruar gjatë këtyre arrestimeve. Nga ana tjetër, zbatimi i nenit 3 të kësaj Konvente, e cila shpeshherë është shkelur nga pjesëtarët e policisë dhe gardianët e burgjeve, ka të bëjë me ndalimin e torturës dhe trajtimeve çnjerëzore (degraduese). Njëkohësisht, duke e arsyetuar miratimin e këtyre ligjeve, nga Qeveria kanë shtuar se me këto ndryshime do të mundësohet objektivitet më i lartë i hetimeve për tejkalimet e policisë së burgjeve, me qëllim që të sigurohet vlerësim i paanshëm në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Pjesë e debatit në mbledhjen e fundi të Qeverisë ishte edhe plotësimi i Ligjit për procedurë penale. Propozimet e iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, sipas arsyetimit të Qeverisë, në këtë drejtim kanë të bëjnë me rishikimin e zbrazëtirave ekzistuese, kur flitet për zbatimin e Masave të Posaçme Hetuese (MPH), gjegjësisht kjo mënyrë e zhvillimit të hetimeve dhe mbledhjes së të dëshmive theksuar në dy raportet e Pribes, si çështje e cila duhet të rregullohet dhe në të ardhmen mos të keqpërdorime. Paralelisht me këto ndryshime në LPP, kabineti qeveritar i ka lëshuar në procedurë parlamentare edhe propozim-ndryshimet për dispozitat e kontestuara të Ligjit për ndjekje të komunikimeve (LNK). Ndryshe, me ndryshimet e LNK-së do të rregullohet procedura për zbatimin e MPH-së, respektivisht ndjekja dhe incizimi i bisedave telefonike dhe komunikimeve tjera elektronike, kushte dhe procedura për zbatimin e masave për ndjekje të komunikimeve me qëllim të mbrojtjes së interesave të sigurimit dhe mbrojtjes së shtetit, obligimet për Agjencisë Teknike Operative dhe operatorët, si dhe mbikëqyrja dhe kontrollimi mbi zbatimin e masave të ndjekjes së komunikimeve. Sidoqoftë, pas futjes në procedurë parlamentare, pjesa dërmues e këtyre ligjeve, në këtë rast Ligji për gjykatat, pritet t’i nënshtrohet një debati më të gjerë, për shkak se për plotësimin e tij nevojitën dy të tretat e votave të deputetëve (80+1). (koha.mk)