Personat që bëjnë vepra kundërvajtëse në komunikacion më nuk do të kenë mundësi që pagesën e gjobës ta bëjnë me burgim. Kjo për arsye se që nga një janari i këtij viti ka hyrë në zbatim Ligji për Kundërvajtje në Kosovë, me ç’rast është hequr edhe dënimi me burgim për të gjithë ata që kryejnë vepra kundërvajtëse. Të gjithë ata persona që kryejnë vepra të tilla do të paguajnë me para në momentin e kryerjes së veprës. Me këtë rast, zyrtarë në Ministrinë e Drejtësisë kanë konsideruar se kjo gjë do ta rrisë përgjegjshmërinë në pagesën e gjobave, shkruan Zeri.info.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se do të zbatohen gjoba tjera për kundërvajtësit dhe se nuk do të ngarkohen më gjykatat. Në anën tjetër, njohës të çështjeve kushtetuese heqjen e dënimit me burgim nuk e shohin si zgjedhjen më të mirë. Ndërsa ekspertë të sigurisë e shohin vendimin si ngarkesë për kundërvajtësit, pasi që për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike ata zgjedhin burgun para pagesës së gjobës.
Tahiri: Nuk do të ketë më lëndë për kundërvajtje në gjykata
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ditë më parë ka njoftuar për këtë ligj e që sipas tij me anë të heqjes së dënimit me burgim u është dhënë mundësi organeve kompetente që të shqiptojnë gjoba dhe sanksione tjera për zbatimin e ligjit. Ndërsa sipas tij, në këtë mënyrë nuk do të ngarkohen as gjykatat. “Një gjë e tillë u mundëson gjykatave shkarkimin nga numri i madh i lëndëve të kundërvajtjes. Prandaj, e vlerësoj gatishmërinë e institucioneve për zbatimin e këtij ligji dhe ftoj të gjitha subjektet në këtë procedurë që t’i realizojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në të”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa sa i përket këtij ligji, zyrtarë nga Policia e Kosovës në një prononcim për “Zërin” kanë thënë se Policia është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka. Zyrtarë në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë për “Zërin” se me anë të këtij ligji pritet të rritet përgjegjshmëria në pagesën e gjobave. “Natyrisht se presim që nga standardet e vendosura me këtë ligj të rritet dukshëm përgjegjshmëria në pagesën e gjobave eventuale, pasi që është mundësuar pagesa e atypëratyshme e gjobave dhe mundësia që nëse paguhet brenda afatit të përcaktuar kundërvajtësi të lirohet nga pagesa e gjobës deri në 50% të shumës së saj. Kjo sigurisht se do ta stimulojë pagesën e gjobave nga ana e personave fizikë dhe juridikë”, kanë thënë ata. Ndërsa sa u përket masave që do të ndërmerren nëse nuk paguhen gjobat, ata kanë treguar se ligji i ri përcakton aktivizimin e mekanizmave të përmbarimit të detyrueshëm të lëndëve kundërvajtëse në pajtim me legjislacionin në fuqi për procedurën përmbarimore, e cila do të shërbejë si rrugë ligjore e ekzekutimit të lëndëve kundërvajtëse.