Shkup, 28 korrik – Goran Tozija dje e ka ushtruar ditën e fundit si drejtor i Agjencisë për Film. Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të pranojë kërkesën e Komisionit për Antikorrupsion që Tozijës të mos i vazhdohet mandati si drejtor, pasi i njëjti ka keqpërdorur pozitën zyrtare, ndërsa ka kryer malverzime financiare në periudha të ndryshme sa ushtronte detyrën e drejtorit në Agjencinë e Filmit, shkruan gazeta KOHA.
Përveç Komisionit për Antikorrupsion, kundër Tozijës ishin deklaruar edhe regjisorë të shumtë shqiptarë, të cilët kanë akuzuar se i njëjti në secilin konkurs e ka diskriminuar filmin shqiptarë, ndërsa ka mbështetur projekte filmike që kanë ndarë mjete financiare edhe për Tozijën. Edhe në konkursin e fundit, nga 20 projekte të miratuara, vetëm dy filma shqiptarë u gjenden në listë, ndërsa shuma financiare nuk e kalonte 16 përqindëshin.
Ndryshe, Agjencia për Film është institucion i themeluar nga Qeveria, ndërkohë që financiarisht mbështetet kryesisht nga Ministria e Kulturës. Në këtë agjenci, i vogël ishte numri i punonjësve shqiptarë, ndërsa anëtari i vetëm i Komisionit për përzgjedhjen e projekteve, çdo herë mbivotohej. Tozija së fundmi kërkonte mandat të tretë në Agjencinë për Film. (koha.mk)