S’ka Ligj që e ndalë “vjedhjen” e përmbaruesve

Edhe pas një vit në fuqi të ndryshimeve ligjore që rregullojnë çështjen si ulja e më shumë harxhimeve, uljen e kompensimeve për përmbaruesit dhe anulimin e kamatës për lëndët e vjetra, përmbaruesit vazhdojnë me të vjetrën. Për 2.5 denarë bllokojnë xhirollogari dhe kërkojnë borxh mijëra denarë!

Shkup, 12 nëntor – Qytetarët vazhdojnë të kenë probleme me pagesën e dhunshme të borxheve dhe kamatave nga ana e përmbaruesve. Edhe pas një viti që hynë në fuqi ndryshimet ligjore e që rregullojnë këtë çështje, si ulja e më shumë harxhimeve, dhe ulja e kompensimeve për përmbaruesit dhe anulimi i kamatës për lëndët e vjetra, megjithatë nuk ndalen ankesat e borxhlinjve se nuk kanë fund për telashet e tyre, shkruan gazeta KOHA. Të shtunën në Shkup protestuan një grup qytetarësh dhe aktivistësh kundër punës së përmbaruesve. Ato ankohen se përmbaruesit punojnë njësoj si më parë, ku për borxhe prej 2.5 denarë, kërkohen pagesa e mijëra e mijëra denarëve.

Bile, të dhënat e fundit tregojnë se në shtet janë të bllokuara mbi 80 mijë llogari të qytetarëve. Nga organizatat joqeveritare thonë se Ligji i ri i zgjidh vetëm problemet e borxheve të vjetra, por mbetet i pazgjidhur problemi i kamatave që duhet të anulohet në mënyrë retroaktive dhe për borxhet prej viti 2011 e këndej. “Shteti ka mundësi që të fshijë të gjithë kamatat e ndërmarrjeve në pronësi shoqërore, me qëllim që më vonë të konstatohet vetëm borxhi themelor. Kjo nuk është vështirë të bëhet dhe do të zgjidhë me mijëra e mijëra raste absurde të shumave tejet të mëdha për borxhe tejet të vogla”, thotë Marjan Ristevski nga organizata “Stop për përmbaruesit”. Nga kjo organizatë kërkojnë edhe ngrirjen e të gjitha vendimeve për personat fizik apo për qytetarët, si dhe një Ligj tërësisht të ri për përmbarimin. Kërkohet edhe revizion i tërë procesit të pagesës së përmbarimit nga ana e avokatëve, gjykatësve, noterëve, përmbaruesve dhe borxhlinjve, kthimi i përmbaruesve në gjykatë, korrigjimi i çmimores, realizimi me një të pestat dhe jo një të tretat e pagës apo pensionit.

“Kërkojmë të shlyhen të gjitha borxhet e vjetra që në një pjesë të madhe janë aktivizuar pasi me vite janë ruajtur në sirtarët e gjykatave dhe nuk është vepruar me to. Kërkojmë që edhe përmbaruesit më të mos jenë privat, por këto problem në të ardhmen të zgjidhen në gjykata. Këtu duhet ndjekur edhe shembujt e perëndimit, ku këto çështje zgjidhen duke punuar gjykatat për pagat e tyre, ndërsa të hollat që do të grumbullohen, të shkojnë në arkën e shtetit”, shton më tej Ristevski.

Nga ana tjetër, në fund të muajit tetor të këtij viti është ofruar zgjidhje juridike që pritet të kalojë filtrat parlamentar dhe të votohet në Parlament për anulimin e kamatave për pagesën e borxheve të vjetra për shërbime komunale. Pritet që pas zgjidhjes së problemit nga ana e EVN-së, edhe qeveria të implementojë Ligjin për përmbarimin duke ndihmuar më shumë se 300 mijë familje që kanë borxh më të madh se 110 milionë euro prej vitit 2005 e këndej.

KROACIA PËR TË 23-tën HERË NDRYSHON LIGJIN

Në ndërkohë, në Kroaci, nga 1 janari i viti 2020, procedura e përmbarimit kthehet vetëm në kompetencë të gjykatave. Sipas rregulloreve të reja, noterët do të jenë vetëm ndihmës në procedurë, ndërsa procedura kryesisht do të udhëhiqet me shfrytëzimin e komunikimit digjital që do të thjeshtësojë atë dhe do të kursejë kohë. Nga përmbarimi do të përjashtohen regresi, paga e 13-të, mëditjet ditore dhe ndihma sociale. Njëherësh parashikohet që me Ligjin e ri për përmbarim edhe pagesa direkte nga ana e Agjencisë Financiare në bazë të vendimeve gjyqësore të borxheve që kompanitë ju kanë punëtorëve për paga. Me këtë, Kroacia shpreson të rrit nivelin mbrojtjes të dinjitetit të borxhlinjve me paralajmërimin paraprak, ku për një siguri më të madhe të dorëzimit të lajmërimit me postë, pas dy përpjekjeve pa sukses të dorëzimit, lajmërimet shkojnë në tabelën informative si dhe me dërgimin e obligueshëm të lajmërimit edhe përmes kutisë postare, apo në kutinë postare përmes sistemit të qytetarëve elektronik. Me fjalë të tjera, lajmërimi dorëzohet edhe në mënyrë fizike, por edhe përmes postës elektronike. Ndryshe, Kroacia që ka ndryshuar më shumë se 23 herë Ligjin për përmbarim, tek ndryshimet e fundit ka ndjekur edhe vendimin e Gjykatave Evropiane, sipas së cilës, noterët nuk njihen si trup i jurisprudencës andaj edhe nuk mund të sjellin vendime të tilla. (koha.mk)