Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 shkurt – Çmimi i autogazit në tregun vendor të karburanteve të naftës është rritur në muajt e fundit për gati 40 për qind, shkruan gazeta KOHA. Kostoja e tij në Maqedoni, në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar ishte 24 denarë, ndërsa aktualisht shitet për 34 denarë për litër. Njohësit e automobilizmit dhe situatës në tregun e naftës vlerësojnë se autogazi, por edhe gazi për dedikime tjera në tregun vendor – nuk shitet sipas çmimit të përçaktuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, por sipas kërkesës dhe ofertës në treg, ndërsa në treg mungon konkurernca më e madhe për shitejn e autogazit, andaj edhe kemi çmime edhe më të shtrenjta se mjaft shtete në rajon. Krahasimi i kostos së karburanteve të ndryshme të naftës tregojnë se vozitësit tanë e paguajnë çmimin e njëjtë me vozitësit e shtetit më të pasur në Evropë, atë të Luksesmburgut – që kanë paga dhjetë herë më të larta se ne. Bile më lirë autogazin se vozitësit në Maqedoni e paguajnë ato në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Bullgari dhe Bosnje e Hercegovinë.
“Ekzistojnë dy shkaqe kryesore të shtrentjimit kaq të madh të autogazit për veturat. E para dhe kryesorja është se çmimin e saj nuk e përcakton Enti Rregullator për Energjetikë sikur ato të derivateve të naftës. Faktori i dytë që ndikon në luhatjen kaq të madhe të çmimit të autogazit është mungesa e konkurrencës së mjaftueshme në treg që ndikon edhe në formimin e çmimeve të këtij energjensi për veturat që është ndër më të shtrenjtit në rajon”, thotë eksperti i automobilizmit, Agron Sulejmani. Në ndërkohë, se paguajmë më shtrenjtë autogazin se mjaft shtete në rajon e tregon edhe krahasimi i çmimeve të uebfaqes sllovene “pompat e plinit”. Sipas të dhënave të saj, litra e autoplinit në Maqedoni është 0.544 euro që është sa çmimi në Lukesmburg si shteti më i pasur në Evropë e që e paguan 0.545 euro litërn e autoplinit, ose e përafërt me tregun gjerman që e paguan 0.569 euro që kanë standard jetësor dhe paga dhjetë herë më të mëdha se në Maqedoni. Më lirë autogazin se vozitësit në Maqedoni e paguajnë ata në Shqipëri me 0.533 euro për litër, Kosova me 0.51 euro, Polonia me 0.483 euro, Bullgaria me 0.522 euro, dhe Bosnje e Herçegovina me 0.435 euro për litër të autoplinit. Çmimin më të lirë në Evropë e paguajnë vozitësit e Ukrainës me 0.313 euro për litër dhe Bjellorusisë me 0.288 euro për litër. Vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës falë burimeve të tyre vetanake të naftës, por edhe tregut të madh, kanë çmimin më të lirë të autogazit në botë me 0.258 euro për një litër. Nga ana tjetër, raporton KOHA, në Maqedoni numërohen rreth 12 mijë vetura që përodrin gazin si karburantin e ngasjes. Me benzin-gaz si mjet lëvizës në vitin 2015 janë të regjistruara 11.620 vetura. Me benzin janë të regjistruara 226 mijë vetura dhe me naftë apo dizel janë të regjistruara 203 mijë vetura. Ndryshe, vlerësohet se vetura duhet të kalojë së paku 10 mijë kilometra në vit për të pasur leverdi që të instaloni aparaturat shtesë për ngasjen me gaz. Përllogaritjet e eksperëtve kroat tregojnë se Opel Astra 1.6 me një motor 100 kuaj fuqi në mesatar harxhon afër 7.5 litra benzinë në 100 kilometra dhe me gaz afër 20 për qind më shumë, gjegjësisht 9 litra në 100 kilometra.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.