Urim HASIPI
Tetovë, 25 dhjetor – Mosformimi i Këshillit në Komunën e Tetovës edhe sivjet mban peng ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave, të cilët gjatë katër viteve të kaluara – nuk u gjendën në asnjërën prej seancave të Këshillit, shkruan gazeta KOHA. Ndryshimi i emrave të disa shkollave të mesme dhe fillore në Tetovë, edhe pse është inicuar disa herë nga disa drejtorë të shkollave, megjithatë këto kërkesa nuk arritën të jenë në rend dite para këshilltarëve qoftë edhe për debat dhe më pas edhe për miratim. Mospasja e një konsensusi mes shumicës në ish-përbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës, gjegjësisht këshilltarëve të VMRO-së dhe BDI-së, kishte bërë që kjo çështje të mos debatohet me arsyetimin se duhet një klimë më pozitive në tërë vendin për të ndryshuar emrat e shkollave apo rrugëve. Ish-kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Isen Xhemaili, pati thënë se kjo pikë nuk ishte vendosur në rend dite për shkak se gjatë tërë mandatit ka patur probleme tjera lokale, kurse po ashtu vendi ka patur edhe shumë tensione etnike dhe politike që kanë ndikuar që kjo pikë të mos del në rend dite. Për ndryshimin e këtyre emrave duhet që në Këshillin komunal të Tetovës të sillet vendim me parimin e Badenterit, që do të thotë shumica e këshilltarëve maqedonas të votojnë pro këtij vendimi. Në bazë të kësaj dhe duke llogaritur numrin e këshilltarëve që ka VMRO-ja, gjegjësisht pesë këshilltarë dhe LSDM tre, është shumë e vështirë që të ketë ndryshime të emrave, pasi edhe në këtë përbërje të re të këshillit të Komunës së Tetovës, VMRO ka shumicën e këshilltarëve të nacionalitetit maqedonas, parti kjo e cila disa herë ka bojkotuar seancat edhe në të kaluarën, duke mos përkrahur asnjë vendim të Komunës së Tetovës. Drejtorët e shkollave të mesme kohë më parë janë shprehur se nuk kanë asgjë kundër emrave aktual të shkollave, por është kërkesë e nxënësve dhe prindërve që shkollat të mbajnë emër të ndonjë personaliteti shqiptar. “Sa i përket emërimit të shkollave, dihet se është e drejtë ligjore e themeluesit të shkollave, por kemi të bëjmë me një absurd, pasi ndërrohet sistemi shoqëror ku të gjithë shkollat mbajnë emra të përcaktuar nga ish-sistemi monist dhe me të njëjtat emra të shkollave vazhdohet e që nuk paraqesin realitetin etnik apo multietnik të shkollave. Një ndër ato shkolla është edhe shkolla e mesme, siç njihet në opinion, shkolla e mesme tekstile me emrin ‘Gjoce Stojçevski’, që ne nuk kemi asgjë kundër këtij emri, por kërkesa e nxënësve, kërkesa e prindërve, ai dhe kërkesa e kuadrit edukativo-arsimorë është që shkolla të emërohet me një emër që do të paraqet realitetin e strukturës dhe përbërjes së nxënësve, realitetin etnik në shkollë, dhe pikërisht iniciativa që ka rrjedh nga Këshilli i prindërve, nga Këshilli arsimtarëve dhe Forumi Rinor i Nxënësve është përcjellë deri tek themeluesi dy herë, mirëpo për shkak të rrethanave siç janë deklaruar edhe organet kompetente, nuk ka ardhur në rend të ditës”, deklaroi Abaz Abazi, drejtor i shkollës së mesme Tekstile. Me gjasë, nxënësit shqiptarë në gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, ata të shkollës së Mesme Komunale Tekstile “Gjoce Stojçevski”, të shkollës së Mjekësisë “Nikolla Shtejn”, të shkollës së Bujqësisë “Mosha Pijade”, edhe shumë vite do të presin ndryshimet e emrave të shkollave. Përndryshe, aktalualisht në Tetovë vetëm gjimnazi “7 Marsi” i themeluar para tre vitesh mban emrin që ndërlidhet me datë historike për shqiptarët, kurse shkollat tjera nuk kanë asgjë të përbashkët me të kaluarën e shqiptarëve në Tetovë. (koha.mk)