Urim HASIPI
Tetovë, 18 shtator – Më 15 shtator ka skaduar afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për subvencione për në bujqësi. Sipas Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, këtë vit ka rreth 100 kërkesa më pak se sa vitin e kaluar, shkruan gazeta KOHA. Prej atje theksojnë se ka shumë bujq që tërhiqen dhe nuk dëshirojnë që të vazhdojnë të merren për arsye të shumta.
“Këtë vit kemi rreth 100 aplikime më pak se vitin e kaluar. Nëse në 2016 kanë aplikuar rreth 4500 bujq, këtë vit kemi rreth 4300 aplikime për të marrë subvencione në bujqësi. Ka edhe shumë bujq, të cilët nuk dëshirojnë që të merren me bujqësi për arsye se kanë shumë pak tokë dhe nuk kanë llogari që të merren, ndërsa në anën tjetër harxhimet janë të mëdha. Po ashtu ka edhe shumë që e shesin tokën dhe kësisoj numri këtë vit është ulur për 100 më pak, në krahasim me vitin e kaluar për të marrë subvencione”, theksoi Afrim Serjani, udhëheqës i Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë. Ai nënvizoi se më shumë aplikime ka për tokë të mbjella, për pemë, për kafshë dhe për qumësht. Ndërkohë që vazhdon trendi negativ i mosinteresimit të bujqve tetovarë për të mos hapur kooperativë bujqësore. Në ndërkohë, gati se dy vite pasi që shteti mundësoi formimin e kooperativave bujqësore në Tetovë, ende nuk ka të formuar një të tillë nga bujqit tetovarë. Përderisa në Maqedoninë Lindore kooperativat bujqësore shtohen gjithnjë, në Tetovë nuk ka asnjë të tillë.
“Fatkeqësisht edhe këtë vit nuk kemi asnjë aplikim për kooperativë bujqësore apo mini kooperativë. Kishim një të interesuar gjatë vitit të kaluar, por deri ku ka arritur me procedurat, ende nuk ka asnjë informatë kthyese. Këtë vit nuk ka asnjë iniciativë në këtë drejtim. Të paktën duhen 25 bujq që të bashkojnë bonitetet e tyre për të formuar kooperativë bujqësore, ku bëjnë pjesë pronat, makineria bujqësore por ka një hezitim në këtë drejtim. Ka që vijnë dhe interesohen për këtë qëllim por më pas heqin dorë. Ata mendojnë se me këtë do t`u konfiskohet prona e tyre apo edhe lodhen nga procedurat dhe heqin dorë”, deklaroi për KOHA Serjani.
Ndërkaq, lidhur me ankesat e bujqve të fshatit Poroj, se nuk kanë marrë dëmshpërblimet, nga Njësia Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, thonë se procedurat janë në vijim e sipër por nuk kanë informacione se është përfunduar edhe procedura që duhet të kalojë në Byronë për Vlerësime Juridike. “Ne kemi pasur komisione në teren, janë bërë vlerësime dhe më pas janë dërguar në Ministrinë e Bujqësisë. Prej atje më pas lëndët dërgohen në Byronë për vlerësime juridike dhe instanca e fundit është Ministria e Financave. Se deri ku janë proceduar tash për tash nuk e dimë”, njoftoi Serjani. Përndryshe, deri më tani, në nivel republikan subvencionet ende nuk i kanë marrë rreth 20 për qind e bujqve dhe bëhet fjalë për subvencione nga viti i kaluar. (koha.mk)